ZHANETA TOMÇINI 


Duke marrë shkas nga një emision në “Top Channel”, m’u kujtua që ka njerëz në këtë botë që i mbajnë sytë nga dera, sy të mbushur me mall e trishtim njëkohësisht. Kush do trokasë tani? Mos vallë prindërit e të afërmit e mi u kujtuan për mua? Mos vallë babagjyshi do më rikthejë prindërit e mi? Dhe sa do të pres? Janë monologët e përvitshëm të fëmijëve jetimë, që rriten dhe edukohen në strehët që shteti ka ngritur për t’i rritur dhe kujdesur për to. Hedhin hapat e para në këto “familje”, thonë fjalët e para, festojnë festën e abetares, kalojnë virozat si gjithë të tjerët, luajnë, shkarkojnë energji pozitive e negative, rriten! Është bërë goxha nga shteti për t’ju dhuruar një familje kolektive fëmijëve jetimë po sërish ne si opinion drejtojmë gishtin nga shteti për gjithçka lidhet me to. I kujtojmë në ato pak kronika ku këta fëmijë janë protagonistë dhe me të mbaruar i rikthehemi rutinës së përditshme, duke harruar se ato janë vetëm fëmijë dhe nuk ndodhen aty për fajin e tyre. Dikush i solli në jetë, por harroi se ai fëmijë duhet të jetojë çdo ditë, por normalisht kjo nuk është përgjegjësia dhe faji ynë. Nuk vendosëm ne për ardhjen e tyre në jetë, por ama të gjithë mund t’u japim një dorë që ditët e tyre të jenë më të bukura, më të ngrohta, t’i mësojmë të buzëqeshin e t’i ndihmojmë të jenë të lumtur në “vetminë” e tyre të përjetshme! Ne duhet të bëjmë diçka më shumë për to, të paktën në këto ditë të bukura festash ku më shumë se kushdo gëzojnë fëmijët. Duke mos diskutuar faktin që çdo qendër ka menduar për organizimin e festave për fëmijët që strehohen në to, dua ta çoj fjalën pak më gjerë. Nuk e kam fjalën për ato familje që mezi nxjerrin muajin dhe “ngushtohen” për t’ua bërë më të bukura këto ditë fëmijëve të tyre. Ju drejtohem bizneseve e biznesmenëve, bankave,  të cilat pushtojnë ekranet me spote prej mijëra eurosh për fare pak sekonda në prag festash, organizatave e donatorëve të ndryshëm, ambasadave e institucioneve pa harruar partitë politike apo zonjat e bizneseve. Të ulur para ekraneve këto fëmijë u gëzohen reklamave të bukura, me borë, bredh, drita e në fund produktin e servirur. Po sikur vetëm një 30 sekondësh i spotit të shkonte për ca dhurata fare simbolike për këta fëmijë që nuk presin nga askush, që u mungon një ledhatim apo shuplakë nga dora e nënës që i solli në jetë. Mjafton t’i kujtoni në këto ditë festash qoftë dhe me një kartolinë me babagjysh, e ato me aq sa munden, të kuptojnë që nuk janë fare vetëm. Ka njerëz zemërgjerë që jo se nuk duan, por nuk u ka shkuar mendja t’i gëzojnë këto fëmijë në këto ditë të bukura festash, mbingarkesa në punë bën të sajën. Një ditë këto fëmijë do rriten, do bëhen pjesë e shoqërisë me kontribute të ndryshme, pasi këta njerëz që vuajnë në vogëli, bëhen më të dobishëm, më të drejtë dhe më shumë zemërgjerësi i  japin vendit të tyre. Këta fëmijë kanë nevojë për ngrohtësi dhe mbështetje. Ju lutem jepuni një dorë dhe shtojini buzëqeshjen në këto ditë të bukura. Ne prindërit nuk ua kthejmë dot por mund t’i bëjmë të lumtur qoftë edhe për një moment të vetëm. Unë e hodha një hap, hidheni dhe Ju hapin Tuaj dhe do të keni një motiv më shumë për të trokitur gotat kur akrepat të bashkohen. Ata janë vetëm fëmijë dhe trishtimi e lotët e tyre duhet të na bëjnë të gjithëve të kthejmë sytë më nga kjo shtresë! Mbase dhe Zoti do të tregohet më dashamirës me Ne nëse një ditë do të jetë më e vështirë se të tjerat…!