Intervista
Sekretari i PS: Mes Pinochet dhe Chavez, qytetarët meritojnë më shumë
Ylli Pata
Ervin Bushati, sekretari i PS-së për Ekonominë dhe kryetar i PS-së për njësinë numër 8 në Tiranë, deklaron në një intervistë për “Shqip” se opozita po fiton çdo ditë e më shumë terren në bastionin e mazhorancës në kryeqytet, ndërkohë që flet për çmontimin e platformës së kryebashkiakut të Tiranës…
Zoti Bushati, jeni i angazhuar prej vitesh në një zonë të Tiranës, që i përket pjesës së vjetër të qytetit dhe një bastion i Partisë Demokratike. Kohët e fundit, kjo zonë pati edhe një debat të fortë mes të zgjedhurve nga Partia Demokratike. Realisht, çfarë po ndodh në njësinë numër 8?
Njësia nr. 8 ndodhet mes Pazarit të Ri, Medresesë dhe Tregut të mallrave dhe është një nga lagjet e para themeluese të Tiranës së vjetër, e cila ka ruajtur dhe ushqyer shpirtin e vet tiranas. Sigurisht që edhe kjo njësi nuk i ka shpëtuar lëvizjes së madhe demografike që ka pësuar kryeqyteti këto njëzet vitet e fundit: ndaj besoj se çdo qytetar i lindur apo i ardhur rishtas në kryeqytet, e ka ndjerë që në fillesë mirësinë brenda traditës tiranase. Është gjithashtu e vërtetë se njësia nr. 8 njihet për një elektorat tradicionalisht qytetar dhe kërkues në punë dhe standarde: duke u etiketuar gabimisht një bastion i Partisë Demokratike, parti kjo që sot e ka lënë tërësisht pas dore këtë njësi. Unë kam çdo ditë takime me shumë banorë të kësaj njësie e jam në kontakt të vazhdueshëm me bizneset, grupet e interesit ndaj dhe çdo ditë e më shumë e ndiej të rritet pakënaqësia – e diktuar nga gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale në kryeqytet. Ashtu si gjithë Tirana, edhe njësia nr. 8 vuan keq menaxhimin dhe neglizhencën e administratorit të pazot në Bashkinë e Tiranës. Lulzimi di të buzëqeshë; por Basha nuk di të punojë. Përpara disa ditësh, z. Basha pati një takim me banorët e njësisë 8, për të diskutuar për projektbuxhetin fantazmë të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013. Aty mohoi të përballet me realitetin: Asnjë nga punët publike të vitit 2012 nuk është përfunduar, dhe shumica as nuk ka filluar akoma deri për festa në dhjetor.
Strategjia lokale e PD-së do të jetë prerja e shiritave elektoralë kudo në qytet, pa mbyllur asnjë punë në Tiranë…
Ndërkohë në njësinë nr. 8, ende nuk ka filluar pjesa kryesore e ndërhyrjeve të planifikuara në buxhetin e miratuar të vitit 2012, projektbuxheti 2013 vjen me premtime bosh, për të mbuluar dështimet sot. Shembull: Kush ka sy dhe njeh pak Tiranën, shikon se “Rikonstruksioni, ndriçimi dhe trotuaret në Rrugën e Dibrës” i planifikuar me vlerë 45 milionë lekë, as nuk ka filluar, dhe jo të mbaronte për fundvit, ndërkohë që kosto në projektbuxhetin 2013 “rishfaqet” si fantazmë, me një vlerë të dyfishuar në 99 milionë lekë.
Gjithashtu “Rikonstruksioni i rrugës ‘Gjon Buzuku’”, me kosto 10.8 milionë lekë nuk është bërë; “Rikonstruksioni i rrugës ‘Xhemal Tafaj’”, me kosto 17.8 milionë lekë nuk është bërë; “Rikonstruksioni i rrugës ‘Pandi Stillu’”, me kosto 7.7 milionë lekë nuk është bërë; “Asfaltimi i rrugës së brendshme të bllokut, të kufizuar nga Rruga Dibrës me rrugën ‘Bardhyl’ dhe ‘4 Dëshmorët’”, me kosto 9.7 milionë lekë nuk është bërë; “Ish-blloku i magazinave OMT” nuk është bërë. Pra Bashkia e Tiranës na vjen me një premtim të vjetër dhe një diskutim – show të ri për planifikime të tjera në buxhetin e vitit 2013: për të mbuluar atë që nuk di, ndaj dhe nuk e bën dot me punët publike reale për qytetarët
Kemi parë një panoramë të ngjashme me Parlamentin e Tiranës në Këshillin Bashkiak, ku edhe pse opozita ka një fuqi specifike më të madhe, nuk e tregon forcën reale. Pse ndodh kjo?
Barrikada i shfaqet përballë dhe përditë nga opozita qytetare që është ngopur me pallavra dogmatike dhe politike të tipit Berishian nga goja e komanduar e z. Basha. A mund të flasë z. Basha për uljen e papunësisë kur bizneset e vogla vazhdojnë të mbyllen njëri pas tjetrit, sepse tregtari i vogël sot paguan shumë më tepër taksa sesa paguante në të kaluarën? 1.5 miliardë lekë zhvati në 2012-n nga bizneset e vogla administrata e paturp e bashkisë, një rritje +58% nga viti paraardhës. Këto janë shifra nga buxheti i sapomiratuar! A mund të flasë për shkollimin kur ngrohja në shkolla vazhdon të jetë një problem gati i paprekur dhe klasat janë të mbipopulluara, sepse nuk është inauguruar asnjë shkollë e re dhe fëmijët nuk kanë më shumë parqe lojërash se kishin dje. A mund të flasë për transportin publik kur kompanitë private të kthyera tashmë në monopol nuk ofrojnë shërbim më të mirë për pasagjerët së ç’kanë ofruar dy vite më parë, kur nuk është bërë asgjë për tramin e shumëpërfolur. A mund të flasë për ndërhyrjen në infrastrukturë, kur edhe banorët që jetojnë në të njëjtën zonë ku ka lindur z. Basha vazhdojnë të ecin në baltë? Unë mendoj se ka ardhur koha që z. Basha dhe Bashkia e Tiranës nuk mund të pretendojnë më se qytetari është i pari për ta.
Jeni i angazhuar në projekte sociale, më shumë se në një aktivitet të pastër politik. Keni ngritur një nismë të quajtur “Zemra e Tiranës”. Një risi kjo në formatin politik shqiptar. Ç’përfaqëson dhe cili është qëllimi i kësaj nisme?
Opozita ka në fuqinë e saj të denoncojë atë që nuk është e drejtë, ashtu si edhe të kritikojë punët që nuk kryhen saktë: por njëkohësisht ka edhe një dimension shërues, duke sjellë shembuj mirësie me nisma pozitive në komunitet. E mira shëron shpirtin. Sot njerëzit ndihen të lodhur nga politika, nga hallet e përditshme, pasiguria, papunësia, ekonomia në rrënim, pamundësia për të gjetur vetveten e shpalosur vlerat e tyre të vërteta. Prandaj i dhamë jetë një nisme të tillë, që në shpirt të saj ka misionin “Komunitet në harmoni”: dhe si qëllim ka të ushqejë traditën dhe shpirtin qytetar në komunitet, të njohë fqinjin e të respektojë të njohurin dhe çdo njeri të ndihet i rëndësishëm për atë që është i atë që përfaqëson. “Zemra e Tiranës” organizon në mënyrë periodike aktivitete të ndryshme që kanë thelb të tyre pikërisht këto që unë rendita më lart, si vlera bazë të bashkëjetesës qytetare. Kemi organizuar aktivitete të tilla si: Kupa e Futbollit në kalçeto, në të cilën morën pjesë 32 ekipe me rreth 200 të rinj nga kjo njësi, dhe ekipi fitues mori si çmim 1000 euro.
Konkursi i pikturës “Tirana … më e Mirë”, ku rreth 270 fëmijë paraqitën punimet e tyre në sallën “Balshaj” në hotel “Tirana”, dhe fituesi mori një udhëtim së bashku me prindërit në “Eurodisney” në Paris, por edhe çmimet e dyta morën laptop, si dhe u ndanë edhe disa çmime të tjera. Organizuam mikpritjen qytetare për 40 të sapolindurit e njësisë nr. 8, ku foshnjat e para të 2012-s morën një pako në ndihmë të prindërve të rinj; festën e 1 Qershorit me pako për fëmijët; dreka e madhe për Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve etj. Nisma jonë më e re është Junior–Akademia e Futbollit “Zemra e Tiranës” nën drejtimin e “Mjeshtrit të Sportit” Blendi Nallbani, bir i denjë i kësaj tradite tiranase. Kjo akademi ka si qëllim parësor të jetë pranë fëmijëve që kanë pasion futbollin e të përmirësojë aftësitë e tyre duke u argëtuar. 12 ekipe, me një numër total 120 vetë marrin pjesë. Fëmijët do të zhvillojnë aftësi më të mira ndërveprimi dhe koordinimi përmes lojërave të ekipit dhe stërvitjes së orientuar të futbollit, si edhe do të ndihmohen të kuptojnë standardet bazë të lojës së tyre të dashur. Gjithashtu kjo akademi do të ketë si qëllim të përparojë edhe zhvillimin fizik e social të fëmijëve nëpërmjet futbollit. Vetëm nga një fushatë modeste promocioni fjala u përhap dhe ne sot kemi 200 fëmijë nga e gjithë njësia nr. 8 që janë pjesëmarrës të Akademisë, ku dhe telefonatat dhe pranimet vijojnë çdo ditë si lumë. Këta janë pjesa më e çiltër e 200 familjeve anembanë zonës, që po e kuptojnë me vepra dhe me zemër se cila është e mira dhe e dobishmja për komunitetin tonë.
Në zgjedhjet e vitit 2011, PS-ja humbi njësinë nr. 4, njësinë nr. 9, njësinë nr. 2, por nuk rifitoi gjithashtu njësinë nr. 10. Siç dihet këto njësi janë zona zgjedhore për votimet e 2013-s. Sipas jush, që e njihni situatën në terren, cili mund të jetë parashikimi?
Sot qytetarët janë shumë të qartë se regjimit të Berishës i ka ardhur koha… dhe fundi. Nuk kanë nevojë për shumë propagandë qeveritare apo kujtesa realiteti për të qenë me sy hapur në 2013-n. Mazhoranca pati mjaft kohë në dispozicion për të dërrmuar shoqërinë shqiptare, si në ekonomi ashtu edhe në shpirt e dinjitet njerëzor. Më shumë kohë se duron një popull europian, në zemër të Europës. Përditë e më shumë, vërej sesa të qartë janë në ndjenjë dhe qëndrim qytetarët e lagjes sime të vjetër. Kjo vlen për gjithë Shqipërinë, që sot më shumë se kurrë ka nevojë të rilindë nga kjo diktaturë e trupit dhe e shpirtit. Gjithçka dhe përditë na rikujton dhe sot atë periudhë të errët që lamë pas: ku gjendja ekonomike dhe frika nga pushteti na merrnin frymën. Njësia nr. 8, ashtu si gjithë vendi, do të dijë t’i thotë mjaft qeverisë arlekine. Nëse duam të marrim frymë dhe të jetojmë si europianë duhet që një herë e mirë të mposhtim inercinë e plogështinë që na imponon me dhunë gjendja e rëndë ekonomike dhe gallato-tragjedia e përditshme e Kryeministrit televiziv aq të neveritur tashmë nga shumica e shqiptarëve. Vota është mjeti i vetëm për ne që nesër të provojmë faqe botës, se ne shqiptarët meritojmë më shumë se ky realitet mes Pinochet dhe Chavez; meritojmë më shumë se këtë feste mbi kokën tonë krenare.
