100-vjetori 


Erenik Yzeiraj


Më 19 dhe 20 tetor, në Universitetin e Gjenevës në Zvicër u mbajtën “Ditët kulturore për 100-vjetorin e Shqipërisë”. Nuk është hera e parë që ky qytet bëhet mikpritës i veprimtarive kulturore të Shqipërisë. Gjeneva ka një histori të gjatë e të pasur të marrëdhënieve me kulturën, historinë dhe politikën shqiptare. Si vijim i kësaj tradite, në vitin 2010 një komitet i vogël, i përbërë nga arkeologë, gazetarë, akademikë, diplomatë, studentë, shqiptarë dhe zviceranë, u mblodhën për t’i dhënë jetë këtij projektit në fjalë. Pionier i kësaj iniciative është Jean Paul Descoeudres, arkeolog dhe ish-dekan i Fakultetit të Letrave në Universitetin e Gjenevës, i cili, jo më kot zgjodhi 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë për t’i kushtuar një pjesë të madhe të kohës dhe energjisë së tij pasionit për kulturën shqiptare, siç thotë ai. Në vitin 2007, Descoeudres së bashku me një grup arkeologësh dhe studentësh arkeologjie zviceranë, shkojnë në Shqipëri për të zhvilluar një ekspeditë arkeologjike në Orikum të Vlorës. Për vite me radhë ky grup arkeologësh dhe studentësh krijojnë një sërë shkëmbimesh dhe bashkëpunimesh me degën e Arkeologjisë të Universitetit të Tiranës dhe me departamentin e Arkeologjisë të Qendrës Albanologjike, nën kuadrin e një projekti dhe studimi të rëndësishëm arkeologjik në Orikum. Në vitin 2010, Descoeudres vendos të organizojë komitetin e punës për të hedhur hapat e parë drejt evenimentit “100 ditët kulturore të Shqipërisë”. Siç e shpjegon dhe vetë te fletëpalosja e evenimentit, qëllimi kryesor i kësaj fundjave kulturore, është që të tregojmë kulturën dhe historinë e “vendit të shqiponjave” nën optikën e shkencës arkeologjike. Shqipëria ka një pasuri të madhe arkeologjike, sepse ka qenë terreni ku kanë parakaluar pothuajse të gjitha qytetërimet dhe perandoritë më të mëdha të të gjitha kohërave. Janë ftuar shumë personalitete në këtë eveniment: Yvana Enzler (ish-ambasadore e Zvicrës në Shqipëri), Francis Cousin (ish-ambasador i Zvicrës në Shqipëri), Mehmet Elezi (ambasador i Shqipërisë në Zvicër), Ylljet Içkaj (ambasador i Shqipërisë në Francë), Gabriel Aubert (profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Gjenevës, si dhe një nga hartuesit e Kodit të Punës shqiptar), Neritan Ceka (arkeolog), Pëllumb Xhufi (historian), Muzafer Korkuti (arkeolog), dhe shkrimtari i njohur Fatos Kongoli.


Në Gjenevë ka një traditë të konsoliduar për organizimin e të tilla evenimenteve. Në fillim fondet duhet t’i sigurojë vetë shoqata. Dhe për 2 vite me radhë një grup i vogël pune, ka organizuar mbledhje të vazhdueshme, duke kërkuar fonde financimi, dukë vendosur kontakte me organizma të ndryshëm në Zvicër dhe në Shqipëri, për të arritur më në fund të ngrejë në këmbë këtë event prestigjioz. Ajo që të bënte përshtypje ishte interesi dhe përkushtimi, të cilat përbënin bërthamën e punës së vazhdueshme të këtij grupi. Dhe qëllimi u arrit më së miri, evenimenti u organizua dhe la jehonë në rrethet akademike dhe mediatike të Gjenevës.


Struktura e këtij evenimenti përbëhej nga shfaqja e filmit “Parullat” me skenarist Ylljet Aliçkaj (19 tetor) pastaj konferenca, ekspozita dhe bashkëbisedime që u përmbyllën nga një shfaqje muzikore me artistë nga Shqipëria (20 tetor). Dita e dytë e evenimentit u la kryesisht në dorën e konferencierëve dhe artistëve shqiptarë e zviceranë. Konferencat u zhvilluan në një nga auditorët e Universitetit të Gjenevës, ndërsa në korridoret e universitet ishin të ekspozuara imazhe të projekteve arkeologjike të zhvilluara në parkun e Orikumit. Konferencat u strukturuan në mënyrë të tillë që të pasqyrohej rrjedha kronologjike e historisë së Shqipërisë. U fol për të gjitha etapat historike në të cilat ka kaluar populli shqiptar. Asgjë nuk ishte e tepruar, asgjë nuk ishte jashtë vendit. Duhet të them që si një student shqiptar në Gjenevë, të gjendeshe në këtë atmosferë ishte vërtet dinjitoze. Ngazëllimi nuk i detyrohej vetëm faktit që një grup personalitetesh të huaja shfaqin interes për kulturën e vendit tënd, por gjithashtu sepse këtë interes arritën ta transformonin në një aktivitet me përmasa të rëndësishme për publikun zviceran dhe shqiptar. Ndoshta një nga mënyrat më të mira për t’i dhënë mirëseardhjen 100-vjetorit, ishte që të tregohej nga vjen dhe prej ç’karakteristikash kulturore përbëhet ky komb 100-vjeçar. U fol për Shqipërinë, u fol për kulturën tonë, për historinë tonë, për atë çfarë kemi kaluar ndër shekuj, duke shmangur viktimizmat, duke shmangur polemikat politike, duke shmangur “çfarë mund të ishim, dhe çfarë jemi sot”, u fol shkencërisht për një histori të provuar me fakte. Në këtë realitet europian dhe botëror ku jetojmë, tema të tilla i hapin rrugë interesit dhe kuriozitetit të rretheve akademike e kulturore te ne. Nuk është e thënë të zëvendësohen interaksionet ekonomike me ato kulturore, sepse këto të fundit nuk do të ishin frytdhënëse, të paktën në afatshkurtër. Realisht, çdokush nga ne është pak i lodhur që të shohë sesi një dukuri e vogël sociale transformohet në manovër politike, me skenar ekonomik. Diskutimet se në çfarë realiteti jetojmë ne si popull shqiptar ngjallin gjithmonë interes, por po fillojnë të përsëriten shumë shpesh. Është e nevojshme për këdo, që në mes të gjitha problemeve të sotme kombëtare, të shfaqet kultura në një dorë me historinë. Krijimi i një hapësire kulturore dhe akademike të Shqipërisë në një nga qytetet më prestigjioze të Perëndimit, ka efekt pozitiv. Atmosfera kulturore që mbizotëron aktualisht në Shqipëri, sa vjen e zbehet. Në një farë mënyre nuk mund të shënjestrohet vetëm rinia shqiptare, ky fenomen i çinteresimit ndaj librave dhe babëzisë teknologjike ekziston në pjesën më të madhe të botës. Por nëse ofrohet struktura e duhur, nëse ofrohen materialet dhe ambientet e posaçme, diçka mund të ndryshojë. Ajo që më bën të mendoj këtë, është se një grup personash me peshë punuan së bashku për dy vjet për të prezantuar kulturën shqiptare në Gjenevë, dhe se mjafton më pak kohë për të forcuar kulturën shqiptare në Shqipëri.


Për ta mbyllur këtë rrëfim të shpejtë rreth kësaj fundjave, duhet thënë se kjo çka ofroi Gjeneva, la gjurmët e veta në radhët e aktiviteteve kulturore në Universitetin e Gjenevës. Historia dhe kultura shqiptare gjetën mundësinë të hynin në këtë djep kulture, dhe iu shfaqën publikut nën rrëfimet dhe analizat e shumta të konferencierëve shqiptarë dhe të huaj. Personalisht, dua të falënderoj këtë grup pune, i cili na kushtoi një fundjavë nga jeta e shtrënguar dhe e shpejtë e Gjenevës. Faleminderit që na kujtuat të flasim për kulturën dhe për historinë, është gjithmonë bukur, sidomos për atë shqiptare.