Norman Schwarzkopf


Norman Schwarzkopf Jr., gjenerali amerikan që shkatërroi ushtrinë irakiane gjatë luftës së parë të Gjirit Persik më 1991, vdiq dje në moshën 78-vjeçare. Gjenerali me katër yje dhe shumë i dekoduar, vdiq në shtëpinë e tij në Tampa të Floridas.


Schwarzkopf, një veteran trupmadh i luftës së Vietnamit, njihej si Normani i Stuhishëm. Ai komandoi më shumë se 540 mijë trupa amerikane dhe 200 mijë trupa aleate në një luftë gjashtëjavore që përzuri ushtrinë e Sadam Huseinit nga Kuvajti më 1991, duke shënuar edhe kulmin e karrierës ushtarake 34-vjeçare. Disa ekspertë e kanë lavdëruar planin e tij për t’i rënë nga krahët forcave të Irakut përmes një lëvizjeje të shpejtë të tankeve, si një arritje e madhe të historisë ushtarake. Manovra i dha fund luftës në tokë në vetëm 100 orë.


Ish-presidenti George W. Bush, i cili ndërtoi koalicionin ndërkombëtar kundër Irakut, tha se ai dhe bashkëshortja e tij “po mbanin zi për humbjen e një patrioti të vërtetë amerikan dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj ushtarakë të gjeneratës së tij”. Bush ndodhet në spital në Hjuston që nga fundi i nëntorit.


Schwarzkopf ishte i njohur për televizionet ndërkombëtare gjatë luftës, pasi shfaqej i veshur me kamuflazh. Pak i njohur para se Iraku të pushtonte Kuvajtin, Schwarzkopf u bë i famshëm për komentet e tij gjatë luftës. Në një prej tyre, ai dha një vlerësim për reputacionin e Sadamit si ushtarak: “Sa i përket Sadam Huseinit si një strateg i madh ushtarak, mund t’ju them se ai nuk është as strateg dhe as nuk ka arsimin në artet operacionale, as nuk është taktik, as nuk është një gjeneral apo një ushtar. Përveç këtyre, ai është një burrë i madh i ushtrisë. Dua që ju ta dini këtë”.


Ai u kthye nga lufta si një hero dhe shumë menduan se do të garonte në politikë. Por gjenerali zgjodhi të shkruajë autobiografinë e tij dhe shërbeu si analist ushtarak. Schwarzkopf lindi më 22 gusht 1934 në Nju Xhersi dhe ishte djali i një koloneli në forcat e policisë. Në atë kohë, i ati po hetonte pengmarrjen dhe vrasjen e djalit të mitur të aviatorit Charles Lindbergh, një nga krimet më të njohura të shekullit të njëzetë. Gjenerali i ardhshëm u arsimua në akademi më 1956 dhe fitoi diploma masteri në inxhinierinë e raketave të komanduara, ndërsa më vonë u bë pedagog i inxhinierisë në Uest Point.


Ai luftoi në Vietnam dhe Grenada. Në Vietnam kreu dy misione, ndërsa në Grenada, më 1983, udhëhoqi të gjitha forcat tokësore. Gjoksi i tij është stolisur me tri yje bronzi dhe tri argjendi, si dhe dy medalje në formë zemre me rrip vjollcë për plagosjet që pësoi në Vietnam. Në këtë luftë ai fitoi reputacion si një oficer që mund të vendoste jetën e tij në front për të mbrojtur trupat e vet. Në një luftim veçanërisht të ashpër në Gadishullin Batangan, Schwarzkopf ai udhëhoqi trupat e veta përmes një fushe të minuar, duke i shënjuar minat pjesërisht me krem rroje. Më 1988, ai u emërua në komandën qendrore të SHBA-së në Tampa, me përgjegjësi për Bririn e Afrikës, Lindjen e Mesme dhe Azinë e Jugut. Në këtë pozicion, ai përgatiti planin për mbrojtjen e fushave të naftës nga një invazion hipotetik nga Iraku. Brenda pak muajsh, plani hyri në përdorim. Fjalët e tij politikisht jokorrekte e zhytën disa herë në telashe. Në një deklaratë, ai tha se i kishte sugjeruar Presidentit Bush që forcat aleate ta shkatërronin ushtrinë e Irakut në vend, që të ndalonin pas arritjes së fitores. Ai kërkoi ndjesë pak më vonë pasi Bush dhe sekretari i tij i Mbrojtjes patën deklaruar se vendimi ishte unanim për të mos e shkatërruar ushtrinë e Sadamit. Pasi doli në pension, gjenerali hyri në telashe sërish, kur deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë.