Avokati i Popullit nis hetimet pas ankesave nga disa qytete të mëdha


Korçë – Këtë fundvit, invalidët e Korçës kanë dalë për disa ditë në protesta, duke kërkuar t’u jepen pensionet, që nuk akordohen që prej disa muajsh


Durrës – Në qytetin bregdetar të Durrësit, invalidët kanë dy muaj pa marrë pagesën mujore të invaliditetit, duke e bërë më të zymtë këtë fundvit


Kukës – Më shumë se 2200 persona që mbajnë statusin e paaftësisë në Kukës, prej muajsh nuk marrin ndihmën ekonomike që jep shteti për mbijetesë


Lushnjë – Rreth 2 mijë persona, të cilët kanë fituar statusin e invalidit në Lushnjë, dolën në protestë, pasi prej katër muajsh nuk marrin pagesat


Festat e fundvitit janë duke afruar, por edhe më keq se çdo vit, personat me aftësi të kufizuar nuk po marrin dot lekët e tyre, që u janë ndërprerë prej disa muajsh. Kjo i ka detyruar ata të dalin në protesta, pothuajse në të gjitha qytetet e vendit, me kërkesën e vetme, që t’u jepen paratë që u takojnë nga pensioni për invalidët. Situata problematike ka nisur prej disa muajsh, duke filluar që nga Elbasani, Korça, Vlora, Kukësi, ndërsa dje në protestë kanë dalë invalidë nga Lezha dhe Lushnja. Në vendin tonë përllogariten rreth 150 mijë invalidë të punës, ku sipas të dhënave, vetëm në Tiranë dhe Shkodër, mësohet se janë dhënë paratë e pensioneve.



Protestat


“Po hamë vetëm bukë me hudhra. Nuk kemi me çfarë të jetojmë”. Kështu është shprehur një nga dy mijë personat që kanë fituar statusin e invalidit në Lushnjë, të cilët prej katër muajsh nuk marrin pagesat e ndihmës. Ata kanë protestuar për shkak se nuk mund të blejnë as ilaçe, ushqime dhe s’mund të marrin disa shërbime shumë specifike. Ata po sorollaten nëpër zyrat e postës dhe institucioneve në Lushnjë, por pa marrë asnjë përgjigje deri sa janë detyruar të organizojnë edhe një protestë para nënprefekturës, duke kërkuar zgjidhjen e problemit. Mosmarrja e këtij pensioni, shumë nga këta të sëmurë i ka lënë pa ilaçe, duke rënduar dhe gjendjen fizike të tyre. Askush nuk u jep përgjigje invalidëve se përse pagesat e tyre janë vonuar dhe kur do t’i marrin ato.


Por, si invalidët e Lushnjës, protesta kanë organizuar edhe invalidët e Korçës. Për disa ditë radhazi, ata dalin në qendër të qytetit juglindor, për shkak të kushteve të këqija në të cilën ndodhen. Në prag të festës së fundvitit, invalidët e qytetit juglindor me pankarta në duar “Në prag të festave jemi pa bukë dhe me borxhe”, “Kërkojmë pagesën e invaliditetit”, “Qeveria të reagojë, ne nuk u ndahemi protestave”, i kanë bërë apel qeverisë që të mendojë për këtë shtresë të shoqërisë, e cila ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje. Sipas protestuesve, ato nuk kanë para të paguajnë ilaçet dhe në këto ditë të ftohta mbeten në mëshirë të fatit. Kjo është protesta e dytë që invalidët e qytetit të Korçës kanë zhvilluar, pasi pak ditë me parë protestuan para prefekturës së qytetit. E njëjta situatë paraqitet edhe në Elbasan, të cilët kanë qenë ndër të parët që dolën në protestë, apo në Kukës dhe Durrës, ku pati disa protesta, por që deri më sot nuk është gjetur asnjë zgjidhje. Madje, në Durrës, para pak ditësh, një invalid tentoi t’i jepte fund jetës, me vetëmbytje në det, por fatmirësisht u pa në kohë dhe u parandalua.


Reagimet


Ndërkaq, presidenti i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj, në një konferencë për shtyp shprehu shqetësimin për mosrealizimin e pagesave të aftësisë së kufizuar në një numër të madh komunash e bashkish. “Sundimi i ligjit në një shtet ligjor nuk lejon për asnjë çast shkeljen e së drejtës së fituar me ligj, veçanërisht kur kjo lidhet me pagesat e vetme e me karakter jetik. Ne paralajmërojmë të gjithë funksionarët e këtij shteti, të cilët në përmbushjen e funksionit të tyre publik kanë për detyrë realizimin e këtyre pagesave, se do të jenë objekt i kallëzimit penal për shpërdorim detyre e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, u shpreh Tafaj. Gjithashtu, ai u shpreh se edhe në rast se do të ketë një vendim pushimi nga ana e organit të akuzës, do të paraqitet ankim në gjykatë kundër këtij vendimi.


Hetimet


Me gjithë tentativat e invalidëve për të përfituar paratë e tyre, deri tani nuk është lëvruar asnjë fond. Në këto kushte, ankesat e personave me aftësi të kufizuara të katër rretheve kanë vënë në lëvizje Avokatin e Popullit, i cili ka kërkuar lëvrimin e fondit për këta persona dhe transparencë të plotë për arsyet e vonesës së pagesës mujore për një nga kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare. Në një takim me invalidët e qytetit të Durrësit, avokati Igli Totozani dhe anëtarë të stafit të tij kanë dëgjuar ankesat e invalidëve që kanë të bëjnë kryesisht me problemet social-ekonomike, të rënduara muajt e fundit dhe nga mosmarrja pagesës mujore. Totozani tha për gazetën se institucioni që ai drejton ka nisur hetimet mbi situatën financiare që po kalojnë invalidët dhe hetimet kanë nisur për rastet në Durrës, Elbasan, Pogradec dhe Levan në Fier. Totozani tha se problemi qëndron në mosakordimin e fondeve për njësitë vendore dhe theksoi se transparenca mbi arsyet e problemit të krijuar është po aq e rëndësishme sa dhe lëvrimi i fondit për pagesat. Si institucion që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet apo mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike ose të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, Avokati i Popullit ka bërë dhe rekomandimet përkatëse për dikasteret përgjegjëse të situatës, po ndonëse ka nisur rekomandimet përkatëse pranë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për realizimin e pagesave për personat me aftësi të kufizuar, institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka marrë ende asnjë reagim prej tyre. Në Durrës invalidët kanë dy muaj pa marrë pagesën mujore të invaliditetit, duke e bërë më të zymtë këtë fundvit. Re. Rre.


 


 


Përplasja


Bashkitë hedhin fajin mbi Ministrinë e Financës: Nuk na japin përgjigje


Financat: Fondet u harxhuan për qejfe të njësive vendore


Pensionet e invalidëve kanë sjellë përplasje mes njësive vendore dhe Ministrisë së Financave, institucione të cilat hedhin akuza mbi njëra-tjetrën. Ministria e Financave thotë se njësitë vendore i kanë pasur të gjitha fondet në dispozicion, por mënyra se si janë menaxhuar, ka shkaktuar probleme me vonesat e shlyerjes së pagesave për invalidët. Si Ministria e Financave, ashtu edhe ajo e Punës, e cila kontrollon sistemin, nuk pretendojnë se kategoria në fjalë të mos ketë marrë fondet, por në rast se ka ndodhur, faji i mbetet pushtetit vendor, pra bashkive dhe komunave. Për vitin 2012, i gjithë buxheti i pushtetit lokal ishte rreth 29 miliardë lekë. Ky buxhet përbëhet në tri zëra të ardhurash. I pari, rreth 11.5 miliardë lekë, janë fonde që u kalojnë direkt njësive vendore nga qeveria (grant i pakushtëzuar). Këto para, njësitë mund t’i shpenzojnë sipas prioriteteve që kanë, pra u lihet atyre në dorë të vendosin. I dyti, janë grantet e kushtëzuara, 2.3 miliardë lekë, pra fonde të vendosura nga qeveria për pushtetin lokal, por që disbursohen vetëm me anë të projekteve të investimit dhe për shkak të konkurrencës me planet, jo të gjithë arrijnë t’i marrin. Zëri i tretë janë taksat, pra nga të ardhurat e krijuara nga vetë bashkitë dhe komunat (diferenca e mbetur). Ajo çfarë ka ndodhur me bllokimin e llogarive të bashkive lidhet me zërin e parë, atë të grantit, para të cilat njësitë, sipas Financave i kanë kthyer për rritje rrogash, shpërblime, dieta dhe udhëtime. Qeveria thotë se fondet i kanë kaluar njësive për invalidët, por janë përdorur për të tjera qëllime. Por, njësitë vendore shprehen që faji qëndron te Ministria e Financave. “Personat me aftësi të kufizuar në Durrës kanë dy muaj pa e marrë pagesën. Transferta e kushtëzuar për këtë kategori nuk ka ardhur nga qeveria. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Financave, por nuk është dhënë asnjë përgjigje, ndërkohë që të gjithë invalidët qëndrojnë në pritje të marrjes së kësaj pagese kaq shumë të nevojshme për ta dhe familjet, veçanërisht në këtë fundvit”, tha për gazetën Dorian Agolli, specialist i marrëdhënieve me median në Bashkinë e Durrësit. I njëjti reagim vjen edhe nga Bashkia e Lezhës. Sipas bashkisë, kjo vjen për shkak se Ministria e Punës ka akorduar fondet me vonesë për pagesën e tyre.