Kryeparlamentarja prezanton punën e një viti: Rama, një Hamza dhe Haxhi Qamil antiintegrim


Për Ramën – Topalli në fjalën e saj e cilësoi kreun e PS-së si një Hamza Kastriot apo Haxhi Qamil, që punuan në dëm të interesave të Shqipërisë


3 ligjet – Në axhendën e Kuvendit do të qëndrojnë tri ligjet e kërkuara të Kuvendit. Topalli tha se do këmbëngulë deri në ditën e fundit të Kuvendit


Horoskopi – “Këtë gjë do ta zgjidhin shqiptarët më 23 qershor. Pjesës tjetër i ka ngelur vetëm horoskopi. Ata flasin vetëm për horoskop, se gjë tjetër nuk kanë në terezi”


BLEDAR HOTI


“Jam e sigurt se Prokuroria e lexon mirë qëndrimin tim. Mbi të gjitha, ai është një qëndrim për të thënë dhe për të kërkuar fort që të bëjnë një betejë pa kompromis kundër korrupsionit, të mos konfrontohen, të mos përdoren politikisht, të mos kthehen në instrumente politike, të mos kenë frikë, të hapin të gjitha dosjet dhe të mbyllin kapitullin e pazareve, të shitblerjeve, të dosjeve dhe të çështjeve në prokurori. Është një betejë e vështirë, e rëndësishme dhe do burra, do shtyllë kurrizore”. Ky ka qenë komenti i kryeparlamentares Jozefina Topalli për arsyet se pse nuk ka pranuar të votojë kandidaturën e Presidentit dhe të mbështetur nga partia e saj, PD, si Prokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llallën. Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Topalli dha më tej idenë e saj për prokurorin ideal që i duhet vendit. “Të mos presë njeri se do t’i shtrohet rruga deri te shtëpia. Të mos e pranojë kurrë. Duhet ta bësh vetë me kurajë dhe t’i dalësh me gjoks përpara. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për ne në Shqipëri. Nuk ka shtyllë më delikate, e cila ka nevojë për t’u konsoliduar, sesa drejtësia. Provojeni veten si qytetarë të thjeshtë që shkojnë i shesin dhe i blejnë dosjet, apo shiten nëpër tenderë. Është ftesë. Është thirrje. Është kërkesë. Është një betejë kundër korrupsionit, është detyrë e tyre. Është betejë kundër krimit, është detyrë e tyre. Kanë marrë votën e të gjithëve, kështu që ta kthejnë në vepër. Kjo është ftesë, thirrje, kërkesë. Ky ishte qëndrimi im. Ata e lexojnë mirë dhe e dinë mirë se çfarë dua t’ju them”, theksoi kryeparlamentarja. Një tjetër çështje e ngritur me shqetësim nga Topalli ishte mosvotimi i tri ligjeve të kërkuara nga ana e BE-së, duke bërë fajtore Partinë Socialiste. “Të gjitha ligjet që janë votuar me shumicë të thjeshtë janë 124 ligje. Nga këto 124 ligje kanë marrë konsensus të plotë nga opozita 79 ligje. I falënderoj deputetët e opozitës për votën që kanë dhënë për ato ligje, për të cilat mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre. Ata i kanë votuar, është detyra e tyre t’i votojnë dhe unë i falënderoj. Por gjetën votën dhe vullnetin e mirë për të votuar 79 ligje, apo 2/3 e ligjeve, për të cilat mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre dhe për tri ligje që kërkon Komisioni Europian nuk gjejnë tre sekonda për të votuar, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, kjo është përgjegjësi e madhe, kjo është më shumë se ‘guastafesta’. Kjo është e papranueshme. Po të hedhësh sytë prapa dhe të shohësh historinë, në historinë tonë kemi pasur Hamza Kastriotin, kemi pasur Haxhi Qamilin, kemi pasur në çdo moment, në çdo shekull, njerëz që janë bërë pengesë dhe mur, zhvillimit apo ecjes përpara të Shqipërisë. Kemi qenë të fundit që kemi marrë pavarësinë, kemi qenë të fundit, gati për t’u lënë si Kuba, për të kapërcyer sistemin diktatorial, sepse gjithmonë të tillë njerëz janë gjetur brenda Shqipërisë dhe ne duhet ta pranojmë. Haxhi Qamilët janë krijesa shqiptare, Hamzai është krijesë shqiptare dhe sot, edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë, gjendet një që pengon Shqipërinë”, tha Topalli. Sipas saj, tri ligjet e kërkuara nga BE-ja do të vazhdojnë të jenë në axhendën e Parlamentit, sa herë që të ketë seancë parlamentare. “Tri ligjet do të vazhdojnë të jenë në axhendën parlamentare dhe në rendin e ditës deri sa të votohen. Të jesh e sigurt se do ta vendosin shqiptarët më 23 qershor dhe ato do të votohen sapo shqiptarët… do të zgjedhin shqiptarët, nuk e zgjidh dot më unë në Parlament, sepse nuk kam fuqi imponuese për t’i detyruar që të votojnë tri ligjet, në mënyrë që të marrim statusin. Këtë gjë do ta zgjidhin shqiptarët më 23 qershor. Pjesës tjetër i ka ngelur vetëm horoskopi. Lexoni gazetat: flasin vetëm për horoskop, se gjë tjetër nuk kanë në terezi. Kur i thanë Çurçillit: ‘Shiko se në parlament ke disa budallenj’, ai u përgjigj: ‘Kjo është prova më e mirë që është demokraci përfaqësuese’. Unë nuk besoj se në Parlamentin shqiptar ka të tillë. Përkundrazi, janë më inteligjentët e të gjithë shqiptarëve, madje të gjithë deputetët, por ata duhet të kenë më shumë kurajë për të vënë kombin përpara interesit apo listës së deputetëve”, theksoi Topalli.