Eduart Gjokutaj
Sipërmarrësit e mëdhenj janë njerëzit më me influencë në ekonominë e sotme shqiptare. Ata janë praktikuesit pa ndrojtje të kapitalizmit që e gjejmë si literaturë në librat mbi ekonominë dhe biznesin. Në pamje të parë këta individë janë sipërmarrës, por ata janë edhe kapitalistët e rinj që përpiqen të futin modelin kapitalist në formatin e vjetër ekonomik. Kapitalizmi shqiptar është i kërcënuar nga sinqeriteti i dyshimtë i biznesmenëve të mëdhenj, mungesa e vizionit për të ardhmen e biznesit të tyre dhe përfshirjen në tregun global, përzierjen e politikanëve në vendimmarrjet e biznesit, si dhe zgjedhja e këshilltarëve të këqij. Të gjitha këto të shtyjnë të mendosh se sipërmarrësit në Shqipëri dënojnë sistematikisht vetveten si perënditë dënuan Sizifin.
Sipërmarrësit e mëdhenj dhe kapitalizmi radikal
Ju mund të thoni, po çfarë meraku ke me sipërmarrësit e mëdhenj? Pse pikërisht ata? Unë ju përgjigjem. Nga ata buron zhvillimi i modelit kapitalist të vendit. Janë ata, pastaj janë sipërmarrësit e mesëm dhe të vegjël. Janë ata tregtarët dhe importuesit e mëdhenj, prodhuesit e mëdhenj, bankierët e mëdhenj, e kështu me radhë për secilin sektor të ekonomisë. Pikërisht këta sipërmarrës të mëdhenj (mund të jenë rreth 100 syresh) kanë zgjedhur të zbatojnë (pavetëdije ose jo) modelin e kapitalizmit radikal. Nga ana tjetër, politikanët me vendimet që kanë marrë apo zbatuar, si dhe me oponencën e dobët ndaj këtij kapitalizmi radikal, na tregojnë se nuk e kuptojnë përgjegjësinë e peshës së tyre në ekonomi. Edhe nismat sipërfaqësore “ligjore” nuk mund ta ndihmojnë dot ndryshimin e statu quo-së së modelit ekonomik aktual. Kombi shqiptar duhet të jetë edhe në përmbajtje një model i pastër kapitalist modern. Modeli dikton edhe përmbajtjen. Treguesit e vetëm të ecjes drejt modelit të kapitalizmit modern janë rritja e prodhimit të brendshëm dhe rritja e nivelit të mirëqenies së shtetasve. Rritja ekonomike vlen për Shqipërinë dhe vende të ngjashme me stadet ekonomike të saj. Ndërsa, rritja e nivelit të jetesës për shtetasit është një e drejtë e pamohueshme e sistemeve kapitaliste, ku individi, sipërmarrja, tregu dhe qeveria punojnë dhe jetojnë në harmoni. Pjesa që nuk duhet humbur, por edhe më e rëndësishmja, është se shtresa e varfër dhe e mesme duhet të jetë pjesë e ciklit të qarkullimit dhe rishpërndarjes të të ardhurave. Prishja e rishpërndarjes së të ardhurave prish balancën e raporteve midis shtresave në sistemin kapitalist dhe e çon drejt krizës së vetvetes derisa statu quo e prishur të rivendoset në një format tjetër.
Kapitalizmi kërkon sinqeritet dhe… bursën
Sa më shumë pasuri të grumbullosh, aq më shumë përgjegjësi të mëdha të bien mbi vete. Nuk ka vetëm shteti nevojë për sipërmarrësit, por ata duhet të kenë nevojë për shtet dhe një model kapitalizmi konkurrues me vendet e tjera.
Por, në fakt po bëhet normë e pashpallur paqartësia lidhur me modelin e zhvillimit kapitalist të vendit. Kur njihesh me fitimet e padeklaruara nga sipërmarrësit e mëdhenj dhe satelitët e tyre (të shprehura në një peshë të kontributit fiskal pothuajse në nivele të njëjta në raport me të ardhurat që deklarojnë), dhe të tjerë tregues fiskalë dhe financiarë paqartësia mbi ecurinë e ekonomisë së tregut (pjesë kryesore e sistemit kapitalist) në vendin tonë rritet më shumë duke kaluar në pasiguri.
A kam arsye? Të forta? Po
Mjafton vetëm një argument. Nëse do të ishte ndryshe, Shqipëria do të kishte Bursën e Kapitaleve dhe kompanitë e sipërmarrësve të mëdhenj do të ishin anëtaret e para të bursës shqiptare. Por, fakti që tregut shqiptar i mungon ende funksionimi i bursës së aksioneve (edhe pse është iniciuar dy herë nga qeveritë shqiptare), tregon se sistemit tonë kapitalist i mungon “lënda e parë”, mungojnë transaksionet e kapitaleve. Një sistem kapitalist pa një treg financiar të bazuar te bursa e kapitaleve nuk quhet i kompletuar. Shikoni në vendet e Ballkanit (Serbi, Kroaci, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë, Rumani, Greqi) bursat e kapitaleve aktive (stock exchange).
Është kërkesë jetike dhe patriotike të krijohet dhe promovohet nga të gjithë misionarët e modelit kapitalist përçimi i një imazhi të ri, ai i kapitalizmit modern, ku baza është pronësia fizike dhe intelektuale, ndërsa kapitali qarkullon në tregun e kapitalit, Bursën e Shqipërisë. Do të ishte kërkesa më normale për gjithë sipërmarrësit e mëdhenj që të punojnë për imazhin e vendit të tyre (sipërmarrës patriotë) dhe të përpiqen ta mbajnë aktiv tregun e kapitalit, ashtu si bëjnë homologët e tyre në Francë, Maqedoni, Gjermani apo Rusi. Të gjithë do ta uronim këtë.