Qeveria përgatitet për t’u përballur me protestuesit e zemëruar


Një vajzë 23-vjeçare, e përdhunuar dhe torturuar më 16 dhjetor në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, u nda nga jeta dje, në një spital në Singapor, pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra. Ajo ishte rrëmbyer nga një bandë prej gjashtë vetash, të cilët e hodhën nga një autobus në lëvizje, pasi e kishin përdhunuar dhe torturuar. Pas lajmit të vdekjes, qeveria e Indisë urdhëroi bllokimin policor të kryeqytetit në pritje të protestave nga grupet aktiviste.


Popullata e vendit ka shprehur zemërim nga masat e dobëta shtetërore për të garantuar sigurinë e njerëzve, veçanërisht të grave, të cilat bien shpesh pre e përdhunimeve, ndërsa policia nuk duket e aftë të identifikojë dhe të ndëshkojë përgjegjësit. Gjatë javëve të fundit, protestat masive të popullsisë u bënë të dhunshme dhe qeveria vendosi trupa kundër protestave përreth kryeqytetit, ndërsa në politikën e vendit u hap një debat i gjerë. Gjashtë të dyshuarit për përdhunimin dhe torturimin e studentes së mjekësisë janë arrestuar dhe tashmë pritet të akuzohen për vrasje.


Viktima dhe një shoku i saj kishin dalë nga kinemaja dhe po ktheheshin në shtëpi kur u rrëmbyen nga banda që i rrahu me shufra hekuri dhe e përdhunoi vajzën në mënyrë të përsëritur. Shoku i saj mbijetoi.


Policia mbylli stacionet e metrosë, si dhe bllokoi qarkullimin e automjeteve në qendër të kryeqytetit, për të shmangur protestat. Pavarësisht kësaj, mbi 1 mijë njerëz u mblodhën në dy pika të ndryshme.


Si në shumë vende të tjera, media shoqërore në internet galvanizoi popullatën për të protestuar ndërsa udhëheqësit politikë u detyruan të përballen me të vërteta jokomode mbi trajtimin e grave në demokracinë me më shumë popullatë të botës. Shumica e krimeve seksuale në Indi nuk raportohen dhe shumë kriminelë mbeten të pandëshkuar, ndërsa mekanizmat e drejtësisë janë të ngadalta.


Dje, protesta u organizuan në të gjithë Indinë nga veriu, në jug.


Megjithëse konsiderohet një demokraci, India qeveriset nga një grusht i vogël politikanësh ku Partia e Kongresit, e themeluar që nga koha e pavarësisë, vijon të ruajë një monopol pothuajse absolut të pushtetit politik.


India po përballet tashmë për herë të parë me problemet gjinore në nivelin e politikës kombëtare, raporton “Reuters”. Në këtë vend, përdhunimet, vrasjet e lidhura me prikën si dhe vrasja e vajzave foshnja nuk janë diskutuar shumë në politikën kryesore. Një sondazh i kryer nga “Reuters” tregon se India është vendi më i keq në botë për të qenë grua për shkak të vrasjes së foshnjave vajza, martesës që fëmijë dhe skllavërisë.