Sektori
Konsumojmë rreth 44 mijë litra verë në vit, gjysma nga importi
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit tregojnë se investimet në sektorin e verës nga 4.1 milionë lekë në vitin 2000 arritën në 41.3 milionë lekë në vitin 2011. Në Shqipëri janë rreth 100 sipërmarrje që operojnë në këtë sektor. Duke inspektuar një kantinë vere në Durrës, ministri Genc Ruli tha se, “vera është malli më prezent në festat dhe tavolinat e fundvitit. Industria e verës te ne është një industri e re dhe në përgjithësi vreshti për verë dhe industria e verës është fenomen i dekadës së fundit dhe është një ringjallje shumë më cilësore sesa ka qenë historia e mëparshme e verës në Shqipëri. Shtytje kryesore janë edhe vetë investitorët, me zgjuarsinë e tyre për të krijuar fermën e madhe të vreshtit, fermën që arrin ekonominë e shkallës dhe padyshim investimet që janë bërë në kantinat e vendit janë të konsiderueshme dhe me vlerë”.
Ministri e konsideron pozitive faktin se shumë nga prodhuesit e verës në Shqipëri kanë filluar ta kuptojnë avantazhin që ne mund të kemi për të mbuluar nevojat e tregut shqiptar për këtë produkt cilësor: përdorimi dhe shfrytëzimi i varieteteve autoktone. “Jo çdo gjë është e qartë në këtë drejtim, pasi ka ende një kultivim gjeografikisht jo të duhur të varieteteve autoktone, por sigurisht që kthimi dhe fuqizimi i vreshtave me varietete autoktone dhe prodhimi i verës përkatëse do të na japë mundësinë që edhe ne të kemi një verë me emrin vera shqiptare”, tha ministri.
Me prodhimin lokal të verës mbulohet vetëm 43% e nevojës konsumatore, ndërsa në vit prodhohen rreth 20 mijë hektolitra, ndërkohë që konsumohen rreth 44 mijë, pra pjesa më e madhe mbulohet nga importi.
Vera e Shqipërisë karakterizohet nga ëmbëlsia e saj unike dhe të varieteteve autoktone. Disa prej varieteteve të verës më të mira shqiptare përfshijnë Debine (e kuqe dhe e bardhë), Kallmet, Mereshnik, Mjaltez, Serine (e kuqe dhe të bardhë), Shesh (e kuqe dhe e bardhë) dhe Vlosh. Fushat më të mira prodhuese janë rreth zonave Berat, Korçë, Tiranë, Durrës dhe në mes Lezhës e Shkodrës. Çmimi mesatar i shitjes së këtij produkti për vitin 2011 ka qenë 350 lekë/l.