Ekonomia, 2.7%


Këshilli i Ministrave hapi dje siparin e mbledhjeve për vitin 2013, ku në plan të parë Kryeministri vuri situatën ekonomike në vend. Duke marrë shkas nga publikimi i raportit të INSTAT-it për rritjen ekonomike, Berisha nisi të fliste për të mirat e vendit, për zhvillimet pozitive, nisur edhe nga rishikimi i paketës me taksat.


Duke folur, ndër të tjera, për ligjin e TVSH-së, sipas të cilit importuesit nuk do ta paguajnë taksën 20 për qind për pajisjet dhe makineritë me vlerë 50 milionë lekë e sipër, plus të tjera avantazhe, Berisha përmendi disa fakte që nuk janë të vërteta.


Ndërsa veçoi të rëndësishëm për biznesin, datën 4 janar, me hyrjen në fuqi të ligjit që heq TVSH-në për makineritë prodhuese për të gjitha nivelet e biznesit, Kryeministri u shpreh se ky vit nis me optimizëm real. Për këtë, Kryeministri solli dy të dhëna, sipas të cilave: në 10-mujorin e vitit 2012 fuqia blerëse në vend është rritur me 101 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011 dhe eksportet “Made in Albania” janë rritur me 18 për qind, nga 97 miliardë në 118.9 miliardë. Sa i takon hyrjes në fuqi të ligjit, më 4 janar (dje), kjo nuk është e vërtetë, pasi zbatimi kërkon miratimin e të paktën 5 VKM-ve që përcaktojnë kategoritë e pajisjeve që duhen importuar pa TVSH dhe listën e mallrave.


“Të gjithë ata që besojnë se ka rënë fuqia blerëse, kanë një shifër të deklaruar nga biznesi që i përgënjeshtron në mënyrën më ekzemplare”, tha Berisha, ndër të tjera.


“Duke përshëndetur hyrjen në fuqi të ligjit për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë prodhuese të biznesit të vogël e të mesëm, Kryeministri njoftoi se vendimi më i afërt është heqja e TVSH-së për blerjen e makinerive prodhuese, të marra me qira, nga biznesi i madh”, thotë zyra e shtypit në Kryeministri. Drafti i propozuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk parashikonte heqje të TVSH-së për importimin e makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit mbi të ardhurat personale mbi biznesin e vogël, në funksion të realizimit të aktivitetit të tyre prodhues, (që më pas u miratua në momentet e fundit, pas amendimeve në Parlament). Sipas PS-së, ky propozim është hedhur kohë më parë nga Edi Rama dhe ekspertët pranë kësaj partie, ndërsa Kryeministri po e miraton, duke marrë meritat.


“Natyrisht, nga heqja e TVSH-së për makineritë, buxheti i shtetit do të humbasë së paku 120 milionë euro, por të cilat do të konvertohen në dhjetëra e dhjetëra vende pune dhe mijëra e mijëra njësi prodhimi në mbarë vendin”, tha Berisha, por sipas ministrit të Financave, efekti nga heqja e TVSH-së për këto kategori shkon në jo më shumë se 50 milionë euro (blofi i tretë).


Sakaq, pas një rënieje me bazë vjetore në tremujorin e parë (-0.2) dhe rritjeje të dobët në të dytin (rreth 2%) ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja gjallërimi për periudhën korrik-shtator. Sipas raportit të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të INSTAT-it, ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2012 u rrit me 2.7% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 u rrit me 2.4%.


A.K.