Komandoja Aldo Morina u dorëzua tek eprori. Familjarët e viktimës: E papritur
Silvana Muça
“Komandant! Unë vrava Mehmet Beqirin. Ai kishte lidhje intime me nënën time. Ja, edhe armën e krimit. Nuk mund ta duroja më këtë situatë. Ishte shumë e rëndë për mua”. Kështu mësohet t’i ketë thënë 27-vjeçari Aldo Morina, autori i dyshuar për vrasjen e taksistit, komandantit të Komandove Speciale, Dritan Demiraj, të cilin e kishte epror. Pas kësaj, Demiraj ka njoftuar Policinë e Tiranës, duke u thënë se autori i vrasjes së 54-vjeçarit ndodhej në Zall-Herr, duke kërkuar prej saj arrestimin e të riut, për krimin që kishte kryer mesditën e 1 janarit. Menjëherë, në repartin ushtarak, ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin e 27-vjeçarit, te forcat speciale. Ai është penduar për vrasjen e kryer dhe nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël, për t’iu fshehur drejtësisë, por i qetë ka pritur prangosjen.
Vrasja e taksistit
Ngjarja ka ndodhur më 1 janar të këtij viti, rreth orës 14:20, në rrugën “Kadri Roshi” Tiranë, në afërsi të Spitalit të Pediatrisë, ku 54-vjeçari Mehmet Beqiri është ekzekutuar me pistoletë, në mjetin e tij, tip Benz 250, me targa “TR 2848 A. Paraprakisht, dyshohet se vrasja është kryer për motive morali. Aldo Morina, prej kohësh dyshonte se nëna e tij, kishte krijuar një lidhje intime me Mehmet Beqirin, i cili punonte si taksixhi pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Para dy vitesh, mësohet se babai i autorit të dyshuar për vrasjen, ishte ndarë nga jeta. Ai nuk e ka pranuar faktin që nëna e tij, kishte nisur një jetë të re, me një burrë të martuar. Situata mes palëve ishte mjaft e tensionuar, por pavarësisht kësaj, e veja vijonte që të frekuentohej me Beqirin. Ditën e krimit, Aldo Morina e ka parë nënën e tij në të njëjtën makinë me Mehmet Beqirin, pranë spitalit pediatrik, ku ajo punonte si infermiere prej kohësh. Mes viktimës dhe autorit ka nisur dhuna verbale dhe më pas situata ka degjeneruar në ekstrem, deri në ekzekutimin e taksixhiut.
Nëna, në makinën e viktimës
Vrasja është kryer me armën e shërbimit të 27-vjeçarit, në prani të nënës së tij. Kjo e fundit, e alarmuar ka dalë nga makina dhe është larguar në drejtim të paditur. Pas arrestimit të të birit, policia ka shkuar në banesën e saj, për të marrë dëshminë rreth ngjarjes së rëndë, por nuk është gjetur në banesë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur zbardhjen e vrasjes. Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar arma e krimit, tip pistoletë “Berretë” me numër “PX.1238B” me 4 fishekë. Kjo provë materiale është siguruar me vetëdije nga autori i dyshuar i vrasjes. Ndërkaq në mjetin ku është kryer ekzekutimi, janë gjetur pesë gëzhoja dhe katër predha fisheku.
“Më kërcënonte nënën”
Paraditen e së premtes, i riu është njohur me masën e arrestit, të dhënë nga Gjykata e Tiranës. Kjo e fundit e ka cilësuar ngjarjen si vrasje me dashje, e për pasojë dha vendimin e masës së arrestit “burg pa afat”. Mësohet si i riu e ka pranuar krimin përpara organit të akuzës, duke thënë se e kreu vrasjen në kushtet e gjendjes së rënduar psikike. “Muhamet Beqirin e vrava, sepse e gjeta në makinën e tij, duke kërcënuar time më me thikë”, është shprehur Morina para trupit gjykues. Nëpërmjet avokatit të mbrojtjes, Agron Bajri, ai ka kërkuar lirimin e tij, sepse ka vepruar për t’u vetëmbrojtur dhe nuk ka pasur asnjë synim që ta vrasë Beqirin. Ndër të tjera, avokati thotë se Beqiri i kërcënonte vazhdimisht familjen dhe ditën e vrasjes, viktima e ka ofenduar dhe kërcënuar me jetë të riun. Pavarësisht kërkesës së avokatit, prokurori i çështjes, Etion Kapo, ka kërkuar “burg pa afat”, për efektivin e Forcave Speciale, kërkesë e cila është pranuar edhe nga gjyqtari Ardjan Kalia.
“Vrasja, e papritur”
Familjarët e viktimës thonë se vrasja ka qenë e papritur. “Na ka rënë si një bombë vrasja e Metit. Nuk di se çfarë të të them, nuk e prisja një gjë të tillë”, shprehet motra e viktimës. Nipi i 54-vjeçarit kërkon zbardhjen e vrasjes dhe autori i vrasjes të marrë dënimin e merituar. “Daja im ka qenë njeri shumë pozitiv. Nuk konfliktohej me njeri. Kur më morën në telefon dhe më njoftuan për vrasjen e dajës, nuk e besova një gjë të tillë. Jam i shqetësuar për mbarëvajtjen e hetimeve. Shkova në polici sot (dje) në mëngjes, për të marrë informacion, dhe hetuesit nuk më thanë asgjë. Kërkuan që të shkoja njëherë nesër (sot). Jemi të tronditur dhe nuk dimë se çfarë të themi”, shprehet mjaft i zemëruar Fatjoni, nipi i viktimës.
Viktima – Mehmet Beqiri jetonte në një banesë modeste. Nga martesa e parë kishte dy fëmijë, por ata jetonin jashtë shtetit. Në martesën e dytë, nuk kishte fëmijë dhe me nënën e “vrasësit” ishin njohur në QSUT, ajo infermiere dhe viktima taksixhi pranë këtij institucioni.
Autori – Aldo Morina kishte pak kohë që ishte kthyer në atdhe. Prej disa muajsh ai kishte qenë në Afganistan si udhëtar profesionist. Pas kthimit të tij nga misioni paqeruajtës, ai ka nisur punë në Zall-Herr të Tiranës, si efektiv i forcave speciale.