Matura, dy teste me zgjedhje, në listë edhe gjuhët e huaja

Ndryshimet 

Formulari A1 do të plotësohet elektronikisht. Më shumë administratorë se vjet

Fillimi i vitit 2013 do ta gjejë me ndryshime procesin e Maturës Shtetërore. Ndonëse rregullorja e maturës është publikuar tashmë, mësohet se disa pika të saj nuk do të jenë të njëjta me ato të përvojave të mëparshme. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, sqaroi dje se rregullat e këtij procesi do të bëhen edhe më strikte, me qëllim eliminimin e abuzimeve të regjistruara në vite, për rrjedhojë edhe rritjen e cilësisë.

Kështu, maturantët e vitit 2012-2013 do t’u nënshtrohen vetëm dy provimeve me zgjedhje, jo më tre, praktikë që u aplikua vitin e kaluar. Shkak për këtë, sipas ekspertëve të arsimit, është se rezultatet e vitit të kaluar nuk u përputhën me pritshmëritë.

“Totali i krediteve që duhet të plotësojë një maturant nuk do të ndryshojë, do të jetë sërish 8, por nxënësit do të jenë të detyruar të zgjedhin vetëm dy lëndë për t’u testuar. Ky ndryshim vjen për shkak se përvoja e vjetshme nuk rezultoi risi, për rrjedhojë po i rikthehemi praktikës së dy viteve më parë. Nga ana tjetër, ajo ndikoi në mbingarkesën e nxënësve. Kishte një mendim, interpretim, një këshillim jo të mirë për këta maturantë që zgjodhën tri lëndë duke menduar se do të marrin më shumë pikë, por formulat ishin të tilla që nuk të krijonin mundësinë për të marrë më shumë pikë”, sqaroi Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

Mirëpo, në një kohë kur ishte pohuar se kandidatët do të kenë të drejtë të zgjedhin si lëndë me zgjedhje edhe gjuhët e huaja, të mësuara në shkollë, qofshin të para apo të dyta, vlen lajmi se ky premtim do të bjerë poshtë. Kështu, ministri i Arsimit theksoi se asnjë maturant apo ish-maturant nuk do të ketë të drejtë të testohet për gjuhët e huaja, përveçse për lëndët bazë, si sociologji, filozofi apo ekonomi.

Por, duke iu referuar deklaratës së Tafaj, kjo nuk rezulton e vetmja risi. Një tjetër ndryshim do të jetë edhe plotësimi i formularit A1, tek i cili maturanti përcakton lëndët me zgjedhje. Një nga pikat e rregullores, e cila do të ndryshojë në vijimësi, është se ky formular do të plotësohet vetëm online, në mënyrë elektronike, jo më me dorë, të ulur në bankat e shkollës. Element tjetër i rëndësishëm është edhe shtimi i numrit të administratorëve të maturës, ata të cilët do të monitorojnë zhvillimin e testimeve. Nga të dhënat e deritanishme, nuk dihet ende me siguri sesa do jetë numri i tyre, por rezulton se do të jetë një i tillë, për një numër të caktuar nxënësish, që do të jetë më i vogël në krahasim me vitet e kaluara. Sh.Mezini

Autor te 5 Janar 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry