Drejtuesit e rinj të Vllaznisë: 50% të kontratës, nëse nuk arrin Kupat e Europës


Altin Manallari


Fundi i vitit 2012 nuk u mbyll në mënyrën më të mirë nga ana e Vllaznisë, e cila ka qenë një nga zhgënjimet e fazës së parë në Kategorinë Superiore. Në përfundim të gjysmës së parë të edicionit, drejtuesit e klubit kuqeblu morën disa masa penalizuese ndaj futbollistëve, ndërsa jashtë valës së ndëshkimeve mbeti trajneri Shpëtim Duro. Në fakt, me ndryshimet e pritshme, ardhja e drejtuesve të rinj në krye të klubit, edhe e ardhmja e teknikut tiranas në drejtimin e skuadrës është vënë seriozisht në diskutim. Më të shumta janë gjasat e shkarkimit të tij. Gjithsesi në rast se Duro do të vazhdojë të drejtojë Vllazninë edhe në pjesën e dytë të sezonit, përsëri drejtuesit e kanë bërë të qartë sesi do të vazhdohet. Burime të besueshme pranë tyre, së fundmi kanë bërë të ditur se, nëse vazhdon të respektohet kontrata me Duron, atëherë për të do të parashtrohet si kusht i panegociueshëm arritja e një vendi në klasifikim, i cili do të mundësojë kualifikimin e Vllaznisë për në Europa League. Në rast të kundërt për të do të ketë një penalizim, i cili përflitet të jetë te 50% e kontratës së trajnerit. Për momentin, për Vllazninë arritja e zonës së Europës është një objektiv i realizueshëm, pasi skuadrat nuk janë shumë të diferencuara me pikë. Nëse ndodh kështu, atëherë trajneri do të përfitojë kontratën e plotë. Në rast të kundërt, klubi do t’i mbajë gjysmën e kontratës. Megjithatë ekziston edhe një tjetër pengesë. Ende nuk dihet nëse vetë Duro do ta pranojë apo jo këtë kusht të ri. Pasi ai tashmë e ka një kontratë, të nënshkruar në fillim të sezonit e ku nuk parashtrohet një penalitet i tillë. Gjithsesi, për momentin pritet me interes vendimi i 9 janarit nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës në lidhje me kalimin e klubit në dorën e biznesmenëve, ku president do të jetë Agron Çela. Ky i fundit duket se ka ndërmend të largojë Duron dhe të emërojë në vend të tij Artan Bushatin. Një lëvizje që do të ketë jo pak kosto financiare. Në rast shkarkimi, tekniku aktual do të përfitojë të plota rrogat deri në fund të sezonit. Por nuk dihet se cilët do t’i paguajnë ato, bashkia apo donatorët? Ndërkohë që së fundmi mësohet edhe se biznesmeni Agron Çela rrezikon të mbetet i vetëm në nismën për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Xhevdet Amuli dhe Paulin Radovani thuajse janë tërhequr përfundimisht, sepse kanë mësuar se paratë që do të investojnë nuk do t’u njihen. Të njëjtën gjë priten të bëjnë edhe dy biznesmenët e tjerë, Flamur Hoxha dhe Ylvi Mashi. Gjithsesi më 9 janar do të mësohet më shumë rreth së ardhmes së Vllaznisë.