Gjykatat firmosin bllokim asetesh dhe llogari bankare. Rasti i fundit me OST, për 3 milionë euro
Kompania çeke ka detyrime të papaguara në shumë drejtime, si për shoqëri vendase ashtu edhe të huaja
Plas “moda” për të paditur në gjykatë CEZ-in. Kjo shoqëri, ku çekët zotërojnë 76 për qind të aksioneve, është e rrethuar nga probleme të shumta financiare dhe ligjore. Pas kompanisë rumune, e cila fitoi me gjyq të drejtën për të marrë 2 milionë euro, duke siguruar bllokimin e aseteve dhe llogarive bankare, një tjetër vendim i gjykatës i shpallur ditën e fundit të vitit 2012 urdhëron CEZ Shpërndarje që t’i paguajë OST-së një faturë të konsiderueshme prej mbi 409 milionë lekësh.
Vendimi është dhënë më 31 dhjetor nga gjyqtari Ardian Kalia. Sipas dokumenteve, urdhër-ekzekutimi ka lidhje me padinë civile nga Operatori i Sistemit të Transmetimit që i kërkoi gjykatës në fund të dhjetorit të ndërhyjë për të dhënë urdhër ekzekutimi për pagimin e faturës tatimore të transmetimit të energjisë elektrike të lëshuar nga CEZ me vlerë të palikuiduar prej kësaj kompanie prej 409 462 266 lekësh (afro 3 milionë euro).
Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, e pranoi kërkesën e OST-së, pasi sipas gjyqtarit Ardian Kalia, rezultoi e provuar se shoqëria OST ka lëshuar faturën me numër 237 për energjinë e transmetuar për CEZ për muajin nëntor 2012, por kompania CEZ nuk e ka paguar këtë detyrim monetar. Gjykata shprehet se kërkesa pranohet referuar ligjit të vitit 2000, ku përcaktohet se “fatura tatimore e energjisë elektrike është titull ekzekutiv dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e saj”.
OST-ja pretendoi dy muaj më parë, se CEZ i detyrohet rreth 5 miliardë lekë për shërbimin e transmetimit të energjisë elektrike, e cila ka një tarifë prej 0.7 lekësh për kilovat. Ashtu si OST-ja, të tjera shoqëri kanë pretendime ndaj CEZ-it.
Më herët, po gjatë muajit dhjetor, gjykata civile vendosi bllokimin e llogarive dhe aseteve të CEZ-it për vlerën e mbi 2 milionë eurove me kërkesë të një shoqërie rumune, e cila më 4 gusht 2011 pretendon për shërbimet e dhëna, por të papaguara.
Kompania çeke ka borxhe edhe te shoqëritë e importuara në vlera disa miliarda lekë. Këto detyrime të papaguara janë shkaktuar nga pamundësia e shoqërisë CEZ për t’i shlyer në kohë, si rrjedhojë e gjendjes së vështirë financiare.
A.Kola
Transmetimi – OST-ja pretendon se CEZ i detyrohet rreth 5 miliardë lekë për shërbimin e transmetimit të energjisë elektrike kundrejt tarifës 0.7 lekë për kilovat
Vendimi
ERE: Licenca, më 20 janar
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE) duket se ka vendosur për largimin e CEZ-it, por publikimi i dosjes me heqjen e licencave do të bëhet më datë 20 janar. Heqja e dy licencave i hap rrugë largimit të shoqërisë, proces ky tepër i komplikuar dhe kërkon kujdes nga qeveria shqiptare që të mos penalizohet rëndë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku palët do të kërkojnë dëmshpërblimet përkatëse.
Qeveria shqiptare, në bazë të disa llogarive, del në konkluzionin se CEZ i ka shkaktuar një humbje prej afro 800 milionë eurosh si rrjedhojë e importeve të munguara, investimeve të mosrealizuara, arkëtimeve dhe humbjeve të mëdha.
Edhe CEZ ka bërë gati dosjen, ku mendohet se do të kërkojë dëmshpërblim afro 500 milionë euro. Gjithsesi, çështja e gjykatës po shqyrtohet deri në shpalljen e datës së seancës.
Kompania çeke erdhi në vendin tonë katër vjet më parë, duke blerë 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, për 102 milionë euro dhe duke e konsideruar procesin si mjaft pozitiv dhe strategjik për interesat e shoqërisë në rajon. Por nuk zgjati shumë dhe përplasjet nisën që në muajin e tretë të bashkëjetesës, duke kulmuar në sezonin e verës 2012, me gjobat e shumta dhe penalizimet me anë të disa vendimeve.