Pas vendimit të Partisë Socialiste për pezullimin e çiftit Fatbardha dhe Kosta Barjaba nga çdo përfaqësim apo marrëdhënie konsultative, ka reaguar selia blu. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, ka deklaruar se kreu i PS-së Edi Rama ka mashtruar qytetarët shqiptarë, duke u përpjekur të distancohej nga Kosta Barjaba dhe bashkëshortja e tij, Fatbardha. “Zoti Rama nëpërmjet zëdhënësit të tij Tahiri, mashtroi dje shqiptarët duke deklaruar se Sekretari i PS-së, xhepisti ordiner Kosta Barjaba, nuk kishte lidhje me PS-në dhe se atë nuk e kishte thirrur njeri, por kishte ardhur të kontribuonte vetë.
Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se ky nuk është distancim nga Sekretari i tij për Çështje Sociale Kosta Barjaba dhe akti i tij i ulët dhe i shëmtuar është një mashtrim i paskrupullt dhe i turpshëm i zotit Rama.
Kosta Barjaba prej 20 vitesh është një eksponent kryesor i PS-së. Zoti Rama mashtron kur thotë se xhepisti i tij Barjaba nuk ka lidhje me PS-në, ndërkohë që në listën e deputetëve të Qarkut të Vlorës në zgjedhjet e vitit 2009, z.Rama e ka vendosur Kosta Barjabën të shtatin në listë dhe më pas bëri çdo përpjekje dhe presion për të larguar një tjetër deputet të listës në mënyrë që Kosta Barjaba të futej në Parlament. Sipas z. Rama, Barjaba është futur vetë në listën e deputetëve të PS-së.
Rama mashtroi dje shqiptarët kur deklaroi se xhepisti i tij i arrestuar në Kaliforni duke vjedhur në supermarket, nuk kishte lidhje me PS-në, ndërkohë që në faqen zyrtare në internet edhe sot, gjendet i afishuar urimi që Sekretari për Çështjet Sociale të PS-së Kosta Barjaba, u dërgon më dt. 1 janar anëtarëve e simpatizantëve të PS-së për Vitin e Ri nga qelia, madje katër ditë pas burgosjes së tij”, thuhet në deklaratën e PD-së.
5 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)