Në top-listë Nishani, Topalli, Bode. Nuk i paguajnë detyrimet për makinat edhe 45 deputetë


Përfitojnë nga statusi, duke i shpëtuar kontrollit të policisë të qarkullimit rrugor, ndaj dhe nuk e kanë vrarë mendjen të paguajnë taksat për dy-tre vjet. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë që të dy taksa të papaguara nga viti 2010 për makinat e tyre personale. Bashkë me to është edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, zyrtari përgjegjës për mbledhjen e taksave. Zyrtarët e listuar si debitorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, përfshijnë gjithashtu ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi (përgjegjës i kësaj drejtorie), ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, dhe ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi.


Përveç katër ministrave, edhe 45 deputetë të tjerë nga 140 që ka Parlamenti, kanë taksa të papaguara qarkullimi për makinat e veta, ku përfshihen deputetë si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Lista është publikuar nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, në kuadër të fushatës për të ndërgjegjësuar drejtuesit e mjeteve për të paguar taksën e qarkullimit rrugor, e cila në shtator të vitit 2011 pësoi një rritje mesatare prej 30 për qind.


Lajmi është publikuar në fillim nga agjencia “Balkan Insight”, e cila ka kontaktuar me krerët e shtetit lidhur me faktin e mospagesës së detyrimit. Zëdhënësja e Topallit i tha “Balkan Insight”, se taksat për makinat e saj janë paguar, por jo në kohën e duhur. “Taksat janë paguar, jo në datën e caktuar, por një muaj më vonë, për shkak se ajo është një makinë që e përdor bashkëshorti”, deklaroi zëdhënësja e saj, Suela Ruseti. Sa për mjetin e transportit të Bujar Nishanit, Presidenti thotë se taksën e ka paguar rregullisht deri në vitin 2011 (pavarësisht se për shkaqe objektive nuk është përdorur asnjëherë), kurse për 2012-n makina ka kaluar në pronësi të dikujt tjetër, ndaj nuk mban përgjegjësi.


Nga ana e tij, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Pinari, thotë se lista e debitorëve të agjencisë rajonale përditësohet vazhdimisht. “Regjistri ynë është përditësuar çdo ditë përgjatë të gjithë vitit”, tha Pinari.


Megjithëse agjencia vetë nuk mund të mbledhë drejtpërsëdrejti taksat e papaguara, Pinari tha se çdo vit u dërgon listën e debitorëve tatimeve për t’u siguruar se ato do të mblidhen.


“Ne jemi të detyruar me ligj ta dërgojmë listën te tatimet, të cilat duhet të nisin procedurat për mbledhjen e borxheve përmes urdhrave të sekuestrimit ose duke i dërguar emrat e tyre te Policia e Shtetit”, tha ai. Sipas Pinarit, një pjesë e taksave të papaguara lidhen me makina që nuk ekzistojnë, por që pronarët e tyre nuk i kanë çregjistruar; gjithsesi, ai tha se raste të tilla përfaqësojnë një pjesë të vogël. Agjencia nuk rendit në listën e saj të borxhlinjve vetëm zyrtarët e lartë, por edhe institucione shtetërore si zyra e Presidentit, e cila ka taksa të papaguara për makinat zyrtare.


Pinari shpjegoi se problemet me institucionet shtetërore, të cilat përfaqësojnë një pjesë të vogël në listë, lindin jo vetëm për shkak se ato nuk paguajnë taksat, por për shkak se në disa raste as nuk shqetësohen të çregjistrojnë makinat që janë çuar për skrap. “Në disa raste llogaritarët në një institucion shtetëror thjesht mund ta harrojnë të paguajnë taksën ose i mbarojnë fondet”, tha Pinari. “Ka institucione që i kanë nxjerrë mjetet jashtë shërbimi, por nuk kanë kryer çregjistrimin, i cili kushton vetëm 600 lekë”, tha ai.


Taksa e qarkullimit të mjeteve pësoi ndryshim në verën e vitit 2011, duke u njehsuar me doganën e mjetit të importuar. Tashmë, për nga viti i përdorimit, lloji i karburantit dhe fuqia motorike vlerësohet edhe taksa e qarkullimit, e cila mesatarisht pëson rritjen me 30 për qind. Sipas formulës, detyrimet e larta dalin nga mjetet me fuqi të madhe motorike.


Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor është duke u përballur së fundmi me problemet e shumta në sistemin e regjistrit. Edhe pse individët i kanë paguar taksat, në sistem nuk rezulton e tillë. Mësohen se janë rreth 35 mijë mjete që kanë probleme me detyrimet, por jo vetëm, pasi në sistem nuk paraqiten të dhëna të sakta mbi targën etj.


Kjo është hera e dytë që publikohet një listë me zyrtarët e shtetit që nuk paguajnë taksat. Dy vite më parë, në media doli në dritë lista e pushtetarëve që nuk paguanin taksat në bashki.


A.Kola