Bebet dhe gjumi i trazuar i natës

Dihet që dilema e çdo prindi të ri është kjo: ta lërë beben të qajë në shtrat, kur zgjohet në mes të natës, apo ta marrë në krah ta përkundë e ta vërë në gjumë? Për psikologët, duhen lënë t’i zërë gjumi vetë

Kur në familje sapo ka ardhur një pjesëtar i ri, prindërit ankohen gjithmonë se një nga problemet e tyre kryesore janë orët e pakta të gjumit. Kjo i bën të ndihen të lodhur, të stresuar, të depresionuar. Zgjohen katër pesë herë natën dhe e bëjnë me turne për gjumin.

Dihet që dilema e çdo prindi të ri është kjo: ta lërë beben të qajë në shtrat, kur zgjohet në mes të natës, apo ta marrë në krah ta përkundë e ta vërë në gjumë? Shkollat e mendimit janë shumë dhe tani një studim i psikologëve të “Temple University” (USA) të udhëhequr nga Marsha Weinraub, i publikuar në Developmental Psychology, u ofron prindërve të dhëna të reja shkencore të domosdoshme për të vendosur se si të sillen. Përfundimi: në pjesën më të madhe të rasteve është më mirë që fëmijët t’i lësh t’i zërë gjumi vetë.

Studimi

Ekspertët kanë analizuar modelet e zgjimit gjatë natës në një grup prej 1200 të vegjlish me moshë nga 6 deri në 36 muajsh. “Nëse i studion gjatë kohës kur flenë, vihet re se të gjithë fëmijët, ashtu si gjithë të rriturit, kalojnë përmes cikleve të ndryshme të gjumit çdo 2 orë, gjatë të cilës zgjohen për të fjetur sërish më pas. Vetëm disa prej tyre qajnë në këtë moment kalimi”, tregojnë pediatrit dhe psikologët që merren me problemet e të vegjëlve. Studiuesit u kanë kërkuar prindërve të japin detaje për rizgjimin e fëmijëve të tyre me moshë 6, 15, 24 dhe 36 muajsh. Nga studimi i hollësishëm u zbulua se pasi kalojnë 6 muajt e parë të jetës, 66 për qind e të vegjëlve nuk zgjohen natën ose e bëjnë këtë vetëm një herë në javë. Ndërsa 33 për qind zgjoheshin pothuajse çdo natë deri në moshën 6 muajsh. Kjo shifër zbret në 2 herë në moshën 15 muajsh dhe 1 herë në javë në moshën 24 muajsh. Mes fëmijëve që flenë me pjesë, pjesa më e madhe janë meshkuj. Këta janë fëmijë që zakonisht ushqehen nga nënat me qumësht gjiri, ndërsa nënat që zakonisht nuk bëjnë gjumë të qetë për një kohë kaq të gjatë janë më të prirura për të vuajtur nga depresioni.

T’i lësh të vetëm

Rezultatet sugjerojnë disa elemente të rëndësishme, thotë Weinraub. I pari është se faktorët gjenetikë, si ata që mund të influencojnë te temperamenti, duken të implikuar edhe në problemet e gjumit. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është që fëmijët të mësohen t’i zërë gjumi vetë. “Kur nënat hyjnë në ‘marrëdhënie me këto zgjime gjatë natës, dhe kur fëmija ka zakonin që ta zërë gjumi gjatë ushqyerjes me gji, atëherë bebja nuk do të jetë në gjendje të vetëqetësohet në mënyrë autonome”, shpjegojnë studiuesit. Këshilla më e mirë, thonë ata, është t’i vësh fëmijët në gjumë gjithmonë në të njëjtën orë, çdo natë, duke i lejuar t’i zërë gjumi vetë dhe duke i rezistuar tentativës për t’i marrë menjëherë në krah sapo ndihet që janë zgjuar.

Rritja

Pas lindjes, foshnjat fillojnë të komunikojnë dhe të dërgojnë sinjale, sipas të cilave të rriturit duhet të kuptojnë se ata janë të lodhur ose të uritur, apo e kundërta dëshirojnë të luajnë. Ata mësojnë dhe zhvillohen çdo ditë, ndërkohë që detyra e prindërve është të ndihmojnë në zhvillimin e këtyre proceseve pa kushte. Duke u kujdesur për beben, prindërit kuptojnë shenjat e tij (“gjuhën e bebeve”). Nëse ata nuk i njohin dhe nuk u përgjigjen këtyre sinjaleve, foshnja reagon me të qarë. Të porsalindurit nuk e kuptojnë që janë persona të veçantë. Nuk e dinë se kush i ushqen dhe kush i ndihmon kur qajnë. Qeshin që në javën e pestë ose të shtatë, ndërkohë që qeshin me zë kur mbushin tre muaj. Pjesa më e madhe e bebeve para se të mbushin tre muaj qajnë shumë, sidomos pasdite dhe në mbrëmje.

Autor te 6 Janar 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry