Mustafa Nano – Këto ditë të para të vitit të ri, ne gazetarët kemi gjetur me ç’të merremi: me Kosta Barjabën, që është kapur, tok me njerëzit e tij, duke vjedhur ca çikërrima në një supermarket të Amerikës. Lajmi tanimë është bërë ortek, e nuk ka fuqi ta ndalë askush. Të gjithë po ndërhyjnë për ta thënë të tyren. Në fillim ish Partia Socialiste që reagoi, duke bërë një distancim të qartë e të prerë nga gjesti, e nga autorët (Barjaba ka qenë një njeri afër PS-së, ndonëse jo anëtar i saj; ndërsa e shoqja, e cila ka qenë një funksionare, është përjashtuar). Më pas, është bërë e gjallë Akademia e Shkencave, e cila, duke mos pritur të hidhet një dritë më e madhe mbi ngjarjen (bazuar në raportin e policisë amerikane, thuhej në një deklaratë të kësaj Akademie) ka ngrirë statusin e Barjabës si akademik i asociuar. Pritej që PD-ja të mos përzihej në këtë histori; në mos për tjetër, të paktën për t’mos ushqyer më tepër se sa duhet një si histeri e frymë linçimi kundër Barjabave; por PD-ja reagoi në stilin e vet, duke denoncuar “xhepistin” Barjaba dhe faktin që PS-ja fsheh lidhjet e këtij të fundit me atë vetë.
Tani, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, ngjarja është një lajm, që nuk mund të injorohet nga mass-media. Kosta Barjaba është një personazh publik, është, siç u vu në dukje pak më sipër, një anëtar i Akademisë së Shkencave, është një opinionist i njohur në vend, sidomos në lëmë të ekonomisë, e prandaj, fakti që ai është kapur duke vjedhur në një supermarket (gjithnjë, bazuar tek një njoftim për shtypin, i lëshuar nga policia e qytetit Palo Alto në Kaliforni, të cilit i është referuar e para agjencia Zëri i Amerikës) përbën vetvetiu një lajm. Në këtë kuptim, gjithë këtë histeri që është ngritur kundër tij është ai vetë që e ka provokuar. “Ia ka bo vetes”, do thuhej në zhargonin tiranas, aq ndjellës në kohët e sotme. Është tamam kështu: ia ka bo vetes.
Lajmi ngrihet edhe mbi një element tjetër të ngjarjes: në këtë mes bëhet fjalë për një vjedhje të planifikuar e të kryer si familje (babë, nënë e bijë), gjë fort e çuditshme. Personalisht, ky fakt më godet më tepër se sa vetë vjedhja (gjithnjë, nëse mbetet ky version i fillimit; jam ende i prirur të besoj sadopak se duhet të ketë ndonjë keqkuptim, e se në të vërtetë ngjarja duhet të jetë paksa ndryshe). Si e kanë marrë vendimin? E kanë bërë me llaf qysh në shtëpi? Apo ka qenë një trill që u ka lindur aty për aty? Kujt i lindi i pari? Po të tjerët si ranë dakord? Apo e kanë bërë si të ish fjala për një lojë? Të gjithë këto pyetje e të tjera i bëj, kuptohet, me synimin për të zhdramatizuar diçka apo gjithçka, por nuk ka zhdramatizim që e zhbën lajmin. Lajmi mbetet. Pa asnjë diskutim.
Reagimi në Tiranë ha diskutim sa të duash, megjithatë. Është një reagim i shpërpjestimuar; është një teprim; është një fokusim maniakal i mass-medias, i politikës, i gjithë opinionit publik. Duket sikur na është bërë zakon ta bëjmë këtë gjë. Duket sikur s’dimë të bëjmë gjë tjetër. Ta përforcon këtë ide dhe një ngjarje e dytë, që ka të bëjë me abuzimet e njerëzve të pushtetshëm të këtij vendi. Është fjala për listën e ca zyrtarëve, funksionarëve, deputetëve e ministrave, të cilët rezultojnë të mos kenë paguar detyrimet fiskale për automjetet e tyre private (në këtë listë ish dhe Presidenti i Republikës, por zyra e tij bëri disa orë më pas një denoncim të pasaktësisë së këtij informacioni të dalë nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor). Ç’lidhje kanë këto dy ngjarje? Lidhen në një pikë: janë zullume që kanë të bëjnë me shifra të parëndësishme. Në rastin e Barjabës, vjedhja kap shumën e dy a treqind dollarëve, ndërsa në rastin e këtyre funksionarëve abuzimi kap shumën e rreth një qind dollarëve. Kaq është e gjithë në terma materialë.
Sigurisht, gjesti shpesh, ndoshta gjithmonë, ka rëndësi shumë më të madhe se sa vlera materiale e dëmit, apo e përfitimit, që ka rrjedhur prej këtij gjesti. E prandaj, qoftë vjedhja në një supermarket (është një gjest i një standardi shumë të ulët etiko-moral), qoftë dhunimi i rregullave nga ana e njerëzve me pushtet apo ndikim (ky është një gjest që na kujton se jetojmë në një republikë orwell-iane, ku të gjitha kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë se të tjerët). Mirëpo, fokusimi maniakal mbi këto dy ngjarje synon, ose sjell, një shfigurim të standardeve etike e të moralit publik, i cili (shfigurimi) na bën neve të harrohemi e të rendim pas çikërrimave, gjë që u vjen për osh atyre që kanë kryer gjatë dy dekadave të fundit plaçkitjen spektakolare të pasurisë publike; u vjen për osh, ngaqë diskutimi zhvendoset nga peshqit e mëdhenj tek peshqit e vegjël (e keni vënë re se sa shpesh e fort informojmë ne mbi vjedhje e kundërvajtje të këtij niveli, e sa rrallë e me drojë informojmë mbi zullume qeveritare që kapin shuma të miliona dollarëve?), dhe ngaqë në të tilla rrethana njerëzit me pushtet s’e kanë për gjë, madje nxitojnë, të bëhen protagonistë me autokritika e mea culpa. Ja ç’tha zyra e ministrit Olldashi me këtë rast: “Ministri kërkon publikisht ndjesë për këtë fakt, i cili është thjesht një shkujdesje njerëzore që, gjithsesi, nuk duhet të kishte ndodhur; sot në mëngjes ai ka paguar në zyrën e taksave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Prezë detyrimin e prapambetur”.
Duket si një zotni i vërtetë (e ku është parë që një ministër i yni të kërkojë ndjesë?), por në fakt s’është kështu. S’është fare kështu. Nuk na duhet ndjesa për të tilla gjëra, që kanë ardhur prej “shkujdesjes njerëzore”. Ministrat tanë duhet t’na përgjigjen e të kërkojnë ndjesë lidhur me gjërat e mëdha, për të cilat janë akuzuar. Për ato duhet të kërkojnë ndjesë. Mirëpo, që të detyrohen ta bëjnë këtë gjë, do duhet që ne gazetarët të flasim për kundërvajtjet e zullumet e tyre të mëdha.