Enigmë emri i kompanisë fituese. Drejtoria e QSUT-së: S’kemi vendim të zbardhur
Shpresa Mezini
Parkimi në qendrën spitalore “Nënë Tereza” do të kushtojë 100 lekë të reja për 2 orë qëndrimi. Të paktën kështu pohojnë burime në Ministrinë e Ekonomisë, ndonëse të dhënat përfundimtare nuk i janë dërguar ende as drejtorisë spitalore. Ata bëjnë me dije se ky është një nga detajet që është ende në diskutim, jo përfundimisht i konfirmuar, por ajo që dihet me siguri është se pagesa do të jetë konkurruese.
Ndonëse prej vitesh, për të parkuar makinën në parkingun e improvizuar nga QSUT, na është dashur të paguajmë 100 lekë të reja, me ngritjen e parkingut të ri, kostoja do të rritet.
Siç ishte premtuar edhe në projektin e propozuar nga Drejtoria e QSUT-së, tarifa do të shtrenjtohet, për shkak se shërbimi që do t’u ofrohet qytetarëve do të jetë cilësor, në përputhje me standardet e parkingjeve shëndetësore në botë.
Mësohet se punimet në qendrën spitalore “Nënë Tereza” kanë nisur prej më shumë se 10 ditësh, ndërsa emri i kompanisë është ende enigmë. Drejtoria e kësaj qendre, sqaron se nuk ka ende dijeni për emrin e firmës fituese, apo për detajet e tjera që do të vendosë ajo në dispozicion të qytetarëve, pasi Ministria e Ekonomisë nuk i ka zbardhur ende procedurat për ta.
Duke iu referuar njoftimit në Agjencinë e Prokurimeve Publike, data e zhvillimit të tenderit ishte 14 nëntori, ditë kur u shpall edhe fituesi, ndonëse specialistët sqaruan për gazetën “Shqip” se duhet të kalojnë 15 ditë për zbardhjen zyrtare të fituesit, duke e konsideruar këtë afat si periudhë ankimimi. E megjithatë, përpos kësaj deklarate, emri i firmës që konkurroi e vetme në garë, për shkak se 2 të tjerat nuk plotësonin dokumentacionin përkatës, mbeti sërish sekret.
Ankandi
Në garën e zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë më datë 14 nëntor, morën pjesë tri kompani private, dy prej të cilave janë skualifikuar automatikisht, ndërsa e treta është shpallur fituese, vetëm sepse i ka pasur “letrat në rregull”. Mësohet se kompania që do të investojë, mirëmbajë dhe menaxhojë parkingun e ri privat në këtë institucion, është shqiptare. Burime në Ministrisë e Ekonomisë sqarojnë për gazetën “Shqip”, se dy prej firmave private janë përjashtuar, për shkak se në dosjet e tyre kishte mungesë dokumentacioni. Ndonëse ligjërisht fitues do të shpallej kompania që do të ofronte pagesën më të lartë, duke qenë se konkurrimi u zhvillua në formë ankandi, rezultoi se për të shpallur fituesin nuk ishte aspak e vështirë, pasi e vetmja kompani që kishte respektuar kriteret e publikuara në njoftimin e APP-së, doli fitimtarja, pa shumë mundim.
Duke iu referuar njoftimit të publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, çmimi dysheme për fillimin e konkurrimit është 610 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa shuma që ka ofruar të paguajë firma fituese arrin rreth 900 mijë lekë të reja, pa përfshirë investimet që do të bëhen për krijimin e parkingut.
Në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë thuhet se në oborrin e qendrës spitalore “Nënë Tereza” do të ketë 3 hyrje-dalje dhe 6 sipërfaqe parkimi, ndërsa afati i dhënies së këtij objekti me qira është 20 vjet.