Ministria e Shëndetësisë propozon shkurtim të afateve për blerje dhe furnizim me medikamente


Lorina Mixha


Ky vit do të sjellë më shumë barna për spitalet e vendit. Pas peripecive që kanë kaluar pacientët, të afërmit e tyre, por edhe farmacistët bashkë me administratën spitalore është marrë vendimi për t’i bërë një propozim Këshillit të Ministrave në formën e një drafti, për shkurtim të afateve në procedurat e blerjeve të medikamenteve, duke përshpejtuar në mënyrë të veçantë afatet për furnizimin e barnave.


Praktika që do të përdoret në këtë rast për materialet mjekësore, për barnat apo produkte të tjera të domosdoshme në spitalet e vendit do të jenë të veçanta nga produktet e tjera që blihen nga qendrat spitalore dhe unike krahasuar me prokurimet dhe procedurat që bëhen sot edhe nga sektorë të tjerë.


Kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka deklaruar se në bazë të inspektimeve që janë bërë në qendrat spitalore rezulton se në sektorë të veçantë, por edhe për shkak të specifikës që kanë spitalet, është e nevojshme që barnat që blihen dhe produktet e tjera të sillen para 45 ditëve, afati aktual për depozitimin e ilaçeve nga firmat farmaceutike.


Periudha më e afërt ku pritet të bëhen blerjet e ilaçeve është muaji mars. Duke ditur ngërçin dhe problemet që kanë pacientët me barna, Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër për të bërë negociatat me Ministrinë e Financave, por edhe qeverinë për shkurtimin e afateve dhe të procedurave për blerjen e ilaçeve.


Afatet


Kështu, sipas legjislacionit në fuqi, barnat duhet të mbërrijnë deri 45 ditë pas afatit të mbylljes së blerjes. Edhe këtë vit, si vitet e kaluara, barnat vijnë një nga një, dhe për sëmundje të veçanta që u duhet kombinim barnash për trajtim, mjekët dhe pacientët duhet të mjaftohen me ato që ndodhen, në rast se nuk kanë mundësi financiare për t’i siguruar privatisht këto medikamente.


Sipas ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, po bëhen përpjekje për ndryshime në ligjin e prokurimit të barnave për të ulur periudhën e mbërritjes së barnave nga 45 ditë në më pak ditë, fill pas mbylljes së procedurave tenderuese.


Sakaq, sipas QSUT-së, sqarohet se nuk do të mungojnë asnjëherë gjatë kësaj kohe barnat e përdorura për shërbimin e urgjencave, për reanimacionin dhe kirurgjinë.


Fondi


Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” pothuajse asnjëherë nuk i ka të gjitha medikamentet e nevojshme. Drejtuesit e qendrës në vite kanë thënë se përveç buxhetit që është i ulët në krahasim me rritjen e të sëmurëve dhe rritjen e numrit të pacientëve që vijnë në këtë qendër, problem mbeten edhe sigurimi i ilaçeve tepër të shtrenjta. Për vitin që lamë pas, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” i ka mbyllur të gjitha procedurat e tenderëve si për blerjet e medikamenteve ashtu edhe për materialet apo pajisjet e tjera spitalore. Janë shpenzuar për ilaçe rreth 15 milionë dollarë”, ka sqaruar zyrtarisht administrata e spitalit “Nënë Tereza”.