Familjet më të pasura do të ‘rëndohen’ me taksat më të larta në tri dekada


Marrëveshja e arritur së fundmi mes Presidentit Obama dhe kongresit republikan, përmban normën më të lartë të taksimit për të pasurit në më shumë se tri dekada, duke qenë sistemi më progresiv i taksimit që nga koha e Jimmi Carter, bën të ditur një analizë e publikuar nga NYT.


Marrëveshja e minutës së fundit rriti taksat për 0.7 për qind të amerikanëve të pasur, ndërsa 99.3 për qind e familjeve nuk pësuan ndryshime në taksat që paguajnë. Por një analizë e detajuar vëren se familjet më të pasura do të paguajnë një taksë federale mbi të ardhurat prej 36 për qind këtë vit, nga 28 për qind në vitin 2008. Kjo është norma më e lartë që nga viti 1979.


Sistemi aktual i taksimit që u miratua më 1 janar në Kongres, konsiderohet si sistemi më progresiv i zbatuar në historinë amerikane, kjo për shkak se taksat për të gjithë amerikanët si përqindje e të ardhurave janë sot më të ulëta nga sa kanë qenë më parë.


Taksimi i të ardhurave personale nga qeveria federale në SHBA ka qenë në nivele shumë më të larta në dekadat pas luftës dhe ra ndjeshëm duke shënuar pikën më të ulët në vitet ’90. Edhe të pasurit, këtë vit do të paguajnë më pak taksa nga sa paguanin në vitet ’50.


Por gjatë tri dekadave të fundit, në shoqërinë amerikane, një pjesë gjithnjë e më e madhe e të ardhurave kombëtare ka shkuar te të pasurit, ku miliarderët kanë fituar më shumë sesa milionerët, të cilët nga ana e tyre, i rritën fitimet më shpejt sesa të varfrit. Megjithëse marrëveshja e fundit e rrit normën e taksës për të super të pasurit, ekspertët dyshojnë se kjo masë do të mjaftojë për të ndryshuar tendencën e rritjes së hendekut mes të pasurve dhe të varfërve. Rimëkëmbja ekonomike e kohëve të fundit nga kriza e madhe e vitit 2008 nuk i ka ndihmuar shumë miliona të varfrit e Amerikës dhe kësaj here, përqindja e përfituar nga të pasurit nga rritja ekonomike është edhe më e madhe sesa më parë.


Marrëveshja e rrit normën e taksës nga 35 në 39.6 për qind për të pasurit me të ardhura individuale prej më shumë se 400 mijë dollarësh në vit, ndërsa të ardhurat nga fitimet kapitale dhe nga dividentët do të taksohen me 20 për qind nga 15 për qind që qe më parë. Taksapaguesit me të ardhura mbi 1 milion dollarë në vit do të detyrohen të paguajnë 168 mijë dollarë më shumë taksa këtë vit. Në total, përgjatë dhjetë viteve të ardhshme, super të pasurit do të paguajnë 600 miliardë dollarë taksa më shumë.


“Në kohën e Presidentit Carter, ne kishim taksim shumë të ashpër për njerëzit me të ardhura të ulëta”, shpjegon Alan D. Viard, një ekspert taksash.


Por megjithëse viti 2013 konsiderohet nga disa si viti me sistemin fiskal më progresiv në shumë dekada, disa ekonomistë paralajmërojnë se matja e shkallës së progresivitetit nuk është shumë e qartë dhe nuk ekziston ndonjë metodologji për të cilën është rënë dakord.


Vrima e madhe në sistemin fiskal amerikan, ku taksat mbi fitimet janë më të ulëta sesa taksat mbi të ardhurat nga paga, do të vijojë të mbetet. Një mjek me pagë 500 mijë dollarë në vit, do të paguajë një përqindje më të lartë sesa një biznesmen që bën 1 miliard dollarë në vit dhe që paguan më së shumti taksë mbi fitimet kapitale.