Lezhë – Në Bashkinë e Lezhës janë mbi 400 persona që nuk kanë tërhequr pagesat e paaftësisë për muajt nëntor e dhjetor. Në Komunën e Zejmenit janë 273 persona që nuk kanë marrë këtë pagesë për muajt nëntor e dhjetor. Në Komunën e Balldrenit, Kallmetit dhe Kolshit nuk janë shpërndarë pagesat e paaftësisë për tre muaj tetor, nëntor dhe dhjetor. Ministria e Punës nuk ka lëvruar asnjë fond për pagesat e paaftësisë. Kryetari i Komunës Kolsh të Lezhës bën të ditur se kjo pagesë nuk po shpërndahet prej tre muajsh dhe problemi nuk qëndron në shpërdorimin e fondeve nga komuna, por në mosakordimin e tij. Ferdinand Ndoj bën të ditur se banorët e zonës sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të gjetur një përgjigje për situatën e krijuar. “Nuk ka ardhur asnjë lloj fondi për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Njerëzit nuk kanë pasur lekë as për copën e bukës. Duhet ta kenë parasysh ata që përgënjeshtrojnë nëpër televizione, nuk duhet të sillen në këtë mënyrë. Këta njerëz janë fukarenj dhe janë dhe të paaftë”, thotë Ndoj. Burime zyrtare nga Zyra Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Lezhë bëjnë me dije se nuk janë shpërndarë pagesat e paaftësisë edhe për njësi të tjera vendore.