Fier – Puset e naftës së “Albpetrolit” vazhdojnë të mbeten objekt i hajdutëve të naftës bruto. Kështu, gjatë orëve të para të ditës së djeshme, në afërsi të qytetit të Patosit në Rrethin e Fierit, janë kapur e sekuestruar në flagrancë tetë tonë naftë bruto dhe janë prangosur dy transportuesit e saj. Sipas burimeve të policisë, gjatë orëve të para të mëngjesit, duke përfituar nga errësira, dy të rinj kanë qenë duke drejtuar një autobot në të cilin targa e vendosur para tij, nuk korrespondonte me atë prapa. Ky fakt ka lindur dyshimet e një patrulle policie që ka ushtruar kontroll ndaj drejtuesit të mjetit dhe shoqëruesit të tij, lidhur me dokumentacionin e mjetit dhe të ngarkesës. Gjatë kontrollit është verifikuar se dy targat që ndodheshin në mjet, TR 5376C dhe FR 5324C ishin të ndryshme me njëra-tjetrën dhe rezultonin të ishin të falsifikuara. Ndërkaq, policia ka konstatuar se në autobot ndodhej një sasi prej rreth tetë mijë litrash naftë bruto. Dy të rinjtë nga qytetit i Patosit, Mariglen Semini, 33 vjeç dhe Julian Sterio, 26 vjeç, nuk kanë disponuar asnjë dokumentacion rreth naftës që po transportonin. Ata gjithashtu nuk kanë pranuar që të japin të dhëna për prejardhjen e naftës. Ndërkaq, policia i ka prangosur dy të rinjtë për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Sipas burimeve të bluve, dyshohet se nafta bruto mund të jetë vjedhur në puset e kompanisë “Albpetrol”. Puset e naftës së kësaj kompanie janë kthyer në objekt përfitimi për të gjithë hajdutët, si ata të hidrokarbureve, ashtu edhe ata të skrapit. E. Hoxhaj