Krimi në familje ka shënuar viktimën e radhës në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në lagjen “Rilindja” kur një 46-vjeçar është therur me thikë nga dora e të birit 21-vjeçar. Familjarët janë përpjekur të fshehin krimin dhe kanë lajmëruar policinë për një vetëvrasje. Por pas hetimeve paraprake, ekspertët e policisë kanë zbuluar se bëhej fjalë për një vrasje dhe kanë arrestuar autorin, 21 vjeçarin Ermal Baraj.


Ngjarja


Në familjen Baraj, e cila  e cila përbëhej nga pesë pjesëtarë, burrë e grua me tre fëmijë, gjatë darkës është konsumuar alkool. Rreth orës 03:00 e mëngjesit, 46-vjeçari Shkëlqim Baraj, ka nisur të grindet me djalin e madh, Ermalin. Pas grindjes me fjalë, të dy në gjendje të dehur, atë e bir kanë nisur të përplasen fizikisht. Në gjaknxehtësi e sipër 46-vjeçari ka marrë thikën e bukës dhe ka qëlluar dy herë të birin, duke e plagosur në këmbë. Gjatë përleshjes fizike, i biri ka mundur ti rrëmbejë thikën të atit dhe e ka qëlluar 10 herë në trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, familjarët kanë tentuar të fshehin krimin duke njoftuar në polici se 46-vjeçari ishte vetëvrarë për të mbrojtur të birin. Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe pas verifikimeve paraprake është konkluduar se bëhej fjalë për një vrasje. Autori është ndaluar nga policia dhe mbi të rëndon akuza e “vrasjes me dashje”.


6 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)