Diplomacia e konsideron të pavlerë propozimin e Assad për paqe
Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, mbajti dje një fjalim të rrallë ku bëri thirrje për t’i dhënë zgjidhje politike luftës civile në vendin e tij. Ai bëri thirrje për mobilizim në luftën kundër rebelëve që ai thotë se janë “terroristë të Al-Kaedës”.
Assad, i cili foli në Teatrin e Operës në qendër të Damaskut, tha se forcat siriane po luftojnë grupet e kriminelëve “vrasës” të financuara nga jashtë vendit. Ai propozoi mbajtjen e një konference kombëtare të pajtimit dhe një kushtetutë të re, por theksoi cilido që e ka tradhtuar Sirinë, do të përjashtohet nga dialogu. Ai mohoi se ekziston një kryengritje kundër sundimit prej disa dekadash të familjes së tij.
Bashar al Assad dukej me besim në vetvete në fjalimin njëorësh që ai mbajti, ku i kërkoi Perëndimit dhe fuqive rajonale t’i japin fund financimit dhe armatosjes së forcave rebele. Fjalimi i presidentit u ndërpre disa herë nga thirrjet “me shpirt dhe me gjak do të sakrifikojmë veten për ju”.
Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, e dënoi fjalimin e zotit Assad si tepër hipokrit. Në një mesazh përmes “Twitter”-it, zoti Hague e akuzoi Presidentin sirian se është duke bërë premtime boshe për reforma, të cilat nuk mund t’i besojë askush.
Grupe siriane të opozitës në mërgim prej një kohe të gjatë i kanë hedhur poshtë ofertat e zotit Assad për lëshime politike si minimale, tepër të vonuara dhe këmbëngulin që ai të largohet nga pushteti, si kusht i vetëm për fillimin e bisedimeve.
Grupet e të drejtave llogarisin se gati 60 mijë njerëz janë vrarë në Siri që kur Presidenti Assad shtypi me dhunë ato që ishin fillimisht demonstratë paqësore prodemokracisë në mars të vitit 2011. Protestat u shndërruan në një rebelim të armatosur për t’i dhënë fund regjimit autoritar prej katër dekadash të familjes Assad.