SHKËLQIM CANI
Si për çdo veprim tjetër ekonomik, nuk do të mund të jepet një përgjigje e prerë nëse “borxhi është i mirë apo i keq”, pasi marrja e borxhit ka anë të mira, por jo pak dhe të këqija. Varet shumë nga mundësitë e shlyerjes prej huamarrësit, ku do ta përdorë borxhin, kushtet dhe kostot e borxhit të marrë, gjendja ekonomike e huamarrësit dhe mjaft momente të tjera që lidhen me borxhin. E sigurt është se nuk ka urim popullor “t’u shtofshin borxhet”. Lexuesi besoj padyshim do ta kuptonte si mallkim.
Debati i kohëve të fundit mbi borxhin u ndez së shumti nga ekspertët, analistët, qeveritarët e ndërkombëtarët si dhe publiku, pasi dikush me dije e të tjerë thjesht me intuitë janë të shqetësuar që borxhet, sidomos të shtetit, kanë kapërcyer disa kufij dhe potencialisht frikësohemi mos na kthehen në bumerang.
Nga debatet të gjithë mësuam që borxhlinj qenkërkemi pa përjashtim të gjithë ne shqiptarët. Në borxh ka rënë si një i moshuar 100-vjeçar, por edhe një foshnjë disaditore. Gjithkush që ka lindur në harkun e dekadave të kaluara dhe ata që do të lindin të paktën në dy dekadat që vijnë, si kërmilli do të kenë mbi shpinë thesin e borxhit. Sot nuk ka shtetas që ka më pak se 3200 dollarë borxh mbi supe. Kjo “dhuratë” është vetëm nga borxhi publik, që ka marrë qeveria në emër të shtetasve dhe që po shlyhet e do të paguhet po prej shqiptarëve. Një pjesë e qytetarëve kanë në shtesë të borxhit të mësipërm edhe borxhin nga marrja e ushqimeve me listë, të tjerë kanë shtesë kredi të marra në banka apo shoqëri financiare. Borxhe të tjera kanë bizneset mes tyre për veprimtari e aktivitete të pashlyera me baza kliringu apo me pagesa të vonuara etj.
Hallexhinjtë që jeta i ka vënë për fundi dhe rrojnë prej vitesh të tëra me lista ushqimesh në dyqane, e kanë të vështirë të kuptojnë që fajin ua ka pak vetja, por më shumë qeveria që i ushqen me lugën bosh. Po kështu, kredimarrësit e të gjitha niveleve janë fokusuar në betejën e tyre me bankat për shlyerje/mosshlyerje detyrimesh apo presionesh reciproke, pa kuptuar që në këtë realitet ekonomik që ndodhet vendi, shtetasit, biznesi dhe bankat mund e duhej të kishin vëmendjen, mbështetjen dhe bashkërendim hapësirash për zgjidhje edhe nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, pasi këto të fundit janë institucione publike, në funksion dhe në ndihmë të publikut dhe jo ushunjëza të tij. Realisht një në tre kredimarrës kanë vështirësi në kthimin e kredive, prandaj institucionet e mësipërme nuk kanë si bëjnë spektatorin.
Por trajtimi i borxhit publik mendoj se ka më interes, nisur disi edhe nga indiferenca e përgjithshme e publikut, duke e trajtuar si një borxh që nuk i përket individit, si borxh i “atyre”, i “të tjerëve”, ndërkohë që është i secilit nga ne dhe për më tepër që do të paguhet/shlyhet nga po ne. Nëse je mjek apo pacient nesër do të kesh më pak barna e mjekime në spital, pasi paratë do të shkojnë në radhë të parë për të shlyer borxhin dhe mbeten gjithnjë e më pak për të paguar për shëndetin e shqiptarëve të thjeshtë. Keni pasur fatin e keq të operoheshit përgjatë viteve të fundit? Nëse po, ju është imponuar pagesë e shtuar, nga xhepi juaj nga para të kursyera apo të marra borxh, për të mbuluar pjesën më të madhe të shpenzimeve për mjekim, shërbim spitalor etj. Shumë nga ne kanë paguar ryshfet nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për një operacion, sado i thjeshtë. Qeveria bën të paditurin për gjithë këto ndodhi të realitetit të përditshëm.
Nëse je mësues, nxënës apo prind mëso që nesër klasat do të jenë edhe më të ftohta, pagat do të jenë më të ulëta dhe mësimi më pak cilësor, pasi paratë do të shkojnë më së pari për të shlyer borxhin që kemi marrë. Nëse je nëpunës i administratës publike, nesër paga do të të rritet edhe më pak, pasi paratë e buxhetit fillimisht dhe me prioritet do të shkojnë për të shlyer borxhin që kemi marrë e po marrim sot, për shpenzime elektorale dhe të padobishme e korruptive. Po kështu, për të shlyer borxhet, fshatari do marrë gjithnjë e më pak para nga buxheti, do kemi më pak rrugë, më pak shkolla e spitale dhe çmime e kosto jetese gjithnjë e më të lartë, për secilin nga ne.
Një pensionist ose personat me mbështetje sociale, duken pa ndonjë lidhje me borxhin publik, por në realitet kanë lidhje me të, goditen prej tij, në mos dhe më shumë se të tjerët. Kjo pasi pensionet, mbështetja sociale, shtresat në nevojë kanë marrë dhe do të marrin gjithnjë e më pak nga buxheti. Nëse për çdo familje pagesa për ujin është rritur me 1 mijë lekë në muaj dy vitet e fundit, nëse ilaçet janë rritur me 1 mijë lekë në muaj dy vitet e fundit, nëse energjia është rritur me 3 mijë lekë në muaj pesë vitet e fundit, nëse ushqimet janë rritur me 2 mijë lekë në muaj katër vitet e fundit, pensionet, mbështetja sociale për shtresat në nevojë është rritur mesatarisht vetëm 2 mijë lekë në muaj në gjithë katër vitet e fundit etj. Pra, të ardhurat janë rritur 5 herë më pak se shpenzimet. Kjo e gjitha pasi buxhetit i është dashur të paguajë borxhe për 100 milionë euro më shumë për faj të qeverisë: 30 milionë euro për tunelin e shembur në Rrugën e Kombit, 60 milionë euro për pagesa interesash borxhi më të larta të marrë në katër vitet e fundit nga qeveria dhe 10 milionë euro nga politika të gabuara të zbatuara nga Banka e Shqipërisë.
Ju mund të jeni një i punësuar në shtet apo në biznes privat ose i vetëpunësuar. Pretendohet dhe përmenden vetëm ulja e nivelit të taksave ndaj jush, por asnjëherë qeveria nuk tregon realisht sa shpërblime ju ka hequr, sa e ka rritur nivelin e pagës referencë, nuk tregohet që ju ka rritur nivelin e taksës mbi të ardhurat personale etj. Ky borxh kaq i lartë që është dyfishuar si vlerë absolute në 8 vitet e fundit, dhe që do rritet më tej këtë vit që sapo hymë thjesht për qëllime elektorale, do të imponojë rritje të tjera të fshehta apo të hapura taksash për të gjithë ne, pasi kostoja e borxhit sa vjen e shtohet përditë. Sot, qeveria ka marrë në emrin dhe për llogari tonë një borxh të ri, për të mbuluar disa shpenzime të shtuara nga keqmenaxhimi i vendit, të themi p.sh. borxh i marrë për të mbuluar humbjet nga drejtimi i gabuar i KESH-it dhe CEZ-it. Këto borxhe të krijuara sot për të mbuluar dështimet e saj kjo qeveri, do t’i paguajmë lek më lek të gjithë ne shqiptarët nesër, kur të vijë dita e shlyerjes së borxhit. Kjo nesër është pas 2-3 vitesh, çka do të thotë një buxhet edhe më i pakët për shtetasit nesër.
Cilat janë momentet që duhet të na bëjnë vigjilent secilin nga ne lidhur me borxhin publik? Përse nuk duhet të jemi indiferentë kur bëhet fjalë për të? Së pari, kur dikush merr borxh në emër dhe për llogarinë tonë (pra kur do ta shlyejmë ne) minimumi i kërkuar është transparenca dhe llogaridhënia për borxhin e marrë. Fillohet me pyetje e sqarime bazë, sa është niveli i borxhit, si shifër absolute dhe në terma relativë. Po kështu sqarohet dhe perspektiva disavjeçare e borxhit, pra do të rritet apo do vijë në rënie dhe kuptohet me cilat mënyra do të arrihet objektivi. Asnjë qeveritar i çdo niveli nuk ka denjuar të na tregojë që në 8 vitet e fundit, qeveria ka dyfishuar borxhin publik ose e ka shtuar atë me 4 miliardë dollarë. Dhe kujtoj që për të na vjedhur votën, kjo qeveri premtoi ulje të nivelit relativ të borxhit. Për nevoja të fushatës elektorale, kjo qeveri do vazhdojë të rrisë borxhin edhe gjatë vitit 2013. Por e vërteta e mbajtur fshehur është se niveli i borxhit është shumë më i lartë se i raportuari dhe miliarda dollarë të tjerë nuk janë raportuar si borxh edhe pse janë punime e shërbime të kryera e të papaguara apo vendime gjyqi të formës së prerë etj. Së dyti, ne si borxhpaguesit përfundimtarë duhet të dimë ku kanë shkuar paratë e marra borxh. Qeveria pretendon që janë përdorur për investime, por me kosto 30–70% më të larta se vlera reale. Po kështu janë përdorur në një sërë investimesh jo me efektivitet etj. Së treti, kur qeveria merr shumë borxh, mbeten më pak para në banka për kredi për individë dhe biznesin. Pra, kur qeveria ka marrë borxhe të sforcuara, ose ka penguar marrjen e kredive nga privati ose ka rritur normat e interesit të kredive të marra nga biznesi e individët. Ky është dhe një nga shkaqet kryesore përse kredia është kaq e shtrenjtë për shqiptarët, krahasuar me vendet e tjera. Sa më shumë shton borxhet qeveria, aq më të larta bëhen interesat e borxhit, por për pasojë më të larta bëhen edhe interesat e kredive që marrin individët dhe bizneset, pasi interesat e kredive varen ngushtësisht nga interesat e borxhit që merr qeveria. Kjo kosto shtesë për bizneset do të mbartet tek rritja e çmimeve të mallrave. Pra, në përfundim do të jenë përsëri qytetarët që do ta paguajnë dyfish borxhin e shtuar të buxhetit. Nga ana tjetër, kreditë me interesa të larta stepin biznesin për të marrë kredi të reja për të bërë investime e për të zgjeruar më tej biznesin, pra krijohen më pak vende të reja pune.
Së katërti, sa më shumë shtohet borxhi, aq më pak investitorë dhe banka janë të gatshme t’i japin borxh shtesë qeverisë, siç po ndodh aktualisht. Kjo rrit primin e riskut (për pasojë dhe normën e interesit) për borxhin e ri që ato japin, duke e bërë kështu edhe më të shtrenjtë borxhin e ri. Sa më shumë borxhe merr qeveria, aq më shumë rritet dhe norma e interesit si dhe shumat që duhet të shlyejë buxheti për çdo vit ndaj borxhdhënësve. Kjo vetiu ul sasinë e parave që do të përdorte buxheti për mirëqenien e popullit, për rritje pagash e pensionesh, për mbështetje të shtresave në nevojë, për shkolla e spitale, siç edhe ka ndodhur gjithë vitet e fundit. Qeveria rreket të na mbushë mendjen që nuk ka rrugë tjetër, veç marrjes së borxhit. Si zakonisht, është e pasaktë ose nga padija ose nga keqdashja, kësaj radhe për të dyja së bashku. Kemi argumentuar që ka mënyra shumë më të dobishme. Por nuk ka shurdh më të madh se ai që nuk do të dëgjojë.