Kreu i LSI u ka bërë edhe një herë thirrje forcave politike në Shqipëri që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të angazhohen për miratimin e tre ligjeve të vendosura nga KE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Deklaratat e liderit të LSI u bënë gjatë mbledhjes së parë të Kryesisë së re të LSI-së ku Meta kërkoi nga politikanët të mos mbërthehen nga ethet e parakohshme elektorale, por t’i rikthehen dialogut në të mirë të vendit.
“Ky është një vit elektoral dhe në këtë kuadër dua të shpreh vendosmërinë e LSI-së për të mos u mbërthyer nga ethet elektorale të parakohshme, sepse janë mundësitë që nëse politika do të gjejë forcë dhe kurajë në të mirë të vendit dhe aspiratës së qytetarëve për integrim, sërish janë mundësitë që 2 ligjet dhe rregullorja të miratohen e të bëhet një përpjekje për të fituar statusin e vendit kandidat”, tha Meta.
Thirrja e Metë iu drejtua veçanërisht Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të bërë gjithçka në këtë pak muaj që kanë mbetur para zgjedhjeve të 23 qershorit, që vendi të ketë statusin kandidat.
7 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)