leonidasAmbasadori grek në Shqipëri, Leonidas C. Rokanas, ka vlerësuar se deklaratat nacionaliste në Shqipëri dhe Greqi, nuk i shërbejnë të ardhmes europiane. “Nuk doja të shprehesha mbi veprime konkrete të partive dhe qarqeve konkrete në të dy vendet, por nacionalizmi ekstrem nuk i shërben të ardhmes europiane. Komentet e mëtejshme nuk do të ishin në nderin e pozicionit tim. Dua të përqendrohem për të theksuar se prioriteti ynë është mbështetja e frymës së bashkëpunimit mes dy vendeve me mënyra praktike dhe mbështetja e hapave të Shqipërisë drejt BE-së”, ka deklaruar ambasadori nga Gjirokastra.


Sipas diplomatit grek, qarqe të caktuara nuk meritojnë të mediatizohen dhe nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve. “Unë do t’iu përgjigjem duke thënë atë që ne duam dhe ne duam siç ju thashë më lart që marrëdhëniet tona të përmirësohen e të thellohen. Përpjekjet drejt BE përjashtojnë thirrjet nacionaliste nga të dy vendet. Qarqet e caktuara nuk meritojnë mediatizim dhe sigurisht që nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve”, ka thënë ai.


I pyetur në lidhje me paktin detar mes dy vendeve, ambasadori Rokanas theksoi se Greqia synon t’i përballojë të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm.


“Kjo nuk është një çështje që është ngritur kohët e fundit por një çështje e rëndësishme që ka ekzistuar prej një periudhe më të gjatë. Mbi kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është realizuar tashmë një marrëveshje. Vullneti ynë lidhet në vijimësi me dëshirën për ti përballur të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm”, ka thënë ai.


8 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)