Presioni publik ndaj aleatëve të tij në Lidhjen e Veriut detyron ish-kryeministrin të heqë dorë
Silvio Berluskoni deklaroi tërheqjen e vet si kandidat për kryeministër ditën e djeshme, si një çmim që duhej ta paguante për të arritur një marrëveshje paraelektorale me aleatët e tij të Lidhjes së Veriut. Berluskoni ishte përpjekur prej disa javësh për të arritur një marrëveshje me aleatët e tij, në mënyrë që të fuqizonte bllokun e qendrës së djathtë, nën një strategji që synon të pengojë vendimmarrjen e një qeverie nga qendra e majtë që pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 24-25 shkurtit.
Lidhja e Veriut e pati refuzuar marrëveshjen, për shkak të kundërshtimit të ashpër nga aktivistët e saj për kandidaturën e Berluskonit, i cili është goditur vazhdimisht prej skandaleve nga më të ndryshmet gjatë viteve të fundit. Manjati i medias u rrëzua si Kryeministër një vit më parë, në kulm të krizës financiare në Itali dhe u akuzua se ka pasur marrëdhënie seksuale me një prostitutë në moshë të mitur.
Udhëheqësi i Lidhjes, Roberto Maroni, konfirmoi paktin e aleancës në një konferencë për shtyp, ku sqaroi se “pakti në mënyrë eksplicite sanksionon që kandidati ynë për kryeministër nuk do të jetë Silvio Berluskoni”. Ky i fundit e ka pranuar kërkesën që të mos paraqitet në zgjedhje si kandidat për Kryeministër.
Më herët, në një intervistë, Berluskoni e la të hapur çështjen e kandidatit për Kryeministër të koalicionit të qendrës së djathtë. Ai tha se parapëlqen që të jetë ministër Ekonomie dhe se ka shumë gjasa që sekretari i partisë së tij, Populli i Lirisë, Angelino Alfano, do të jetë kandidat për Kryeministër.
Berluskoni e kishte të nevojshme një aleancë me Lidhjen e Veriut për të fituar një numër senatorësh të mjaftueshëm, gjë që do ta bëjë të vështirë miratimin e ligjeve pa konsensus nga qeveria e ardhshme.
Berluskoni thotë se do të mbetet kreu i partisë së tij dhe i koalicionit. “Do t’i takojë kreut të koalicionit të tregojë se kush do të jetë kandidati për Kryeministër nëse ne fitojmë”, tha ai. Maroni deklaroi se e pëlqente Alfanon, por për Lidhjen e Veriut, kandidati i përshtatshëm duhet të jetë Giulio Tremonti, ish-ministri i Ekonomisë gjatë qeverisë së fundit të Berluskonit.
Qendra e majtë, e udhëhequr nga Pier Luigi Bersani, ka udhëhequr rezultatet e sondazheve prej muajsh. Ajo mund të fitojë rreth 38 për qind të votave, ndërsa aleanca e Berluskonit me Lidhjen e Veriut mund të fitojë rreth 28 për qind të votave. Një aleancë e Kryeministrit në ikje Mario Monti, e cila prezantohet si e qendrës, mund të marrë 14-15 për qind të votave.
Në bazë të ligjit të shumëkritikuar zgjedhor të Italisë, Bersani pritet të fitojë një shumicë të konsiderueshme në Parlament. Por shpërndarja e mandateve të Senatit përcaktohet në bazë rajonesh dhe Lombardia në veri prodhon më shumë senatorë. Duke bërë aleancë me Lidhjen e Veriut, Berluskoni do të maksimizojë votat për në senat në rajonet e veriut dhe shpreson se kështu mund të jetë në gjendje të destabilizojë qeverinë e majtë.
Lidhja e Veriut është një lëvizje që kërkon kontroll strikt të emigrimit, si dhe më shumë autonomi të 20 rajoneve, duke pretenduar se një pjesë e tepërt e taksave të paguara në veriun e pasur, shkojnë padrejtësisht në jugun e korruptuar dhe të prapambetur. Berluskoni tha se në bazë të marrëveshjes, partia e tij do të mbështesë Maronin si kandidat për president të rajonit të Lombardisë. Berluskoni është në pritje të vendimit në një gjyq, ku akuzohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me një prostitutë të mitur. Ai është i famshëm për ndryshimin e qëndrimeve pothuajse çdo ditë. Berluskoni ka deklaruar më herët se mbështet Kryeministrin teknokrat Mario Monti si udhëheqës të qendrës së djathtë, por kur ky i fundit deklaroi se do të punonte me qendrën, kavalieri nisi një sulm të ashpër kundër tij, duke e akuzuar mes të tjerash, si një agjent gjerman.