Dëshmon eksperti Zoto, ashklat u gjetën rreth 10 cm larg predhës që goditi Ziver Veizin


Në seancën e ardhshme palët edhe prokuroria edhe avokatet mbrojtjes të kenë pyetjet e tyre


Sokol Çobo


Dritan ZotoNjë filmim i bërë nga policia gjatë këqyrjes së rrobave të Ziver Veizit, i vrarë gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, tregon qartë se ashklat nuk janë në vendin që predha ka goditur trupin, por disa centimetra më larg. Këtë video, eksperti Dritan Zoto, që dëshmoi dje në gjykatë, e ka analizuar për të përgatitur më pas raportin që dorëzoi para trupit gjykues, duke rrëzuar ekspertin e parë, i cili tha se vrasja mund të jetë rikoshet. “Kam analizuar me kujdes videon që më është vënë në dispozicion, ku duket qartë se ashklat kanë qenë disa centimetra larg vrimës hyrëse të predhës në trupin e Ziver Veizit. Madje, gjatë analizës së predhës, ajo ka pasur dëmtime fare të vogla, ndoshta të shkaktuara nga kockat”, pohoi dje në gjykatë eksperti Dritan Zoto, i cili rrëzoi versionin se “predha që goditi Veizin, e dalë nga një armë ndoshta e përdorur nga Agim Llupo, është rikoshet”.




 


Filmimet e policisë


Megjithatë, eksperti Dritan Zoto tha dje në gjykatë, se ka analizuar një video. Gazeta “Shqip” ka pyetur në Prokurorinë e Përgjithshme se çfarë video ka verifikuar eksperti në fjalë, ndërsa si përgjigje ka marrë se “videoja në fjalë është marrë në Policinë e Tiranës, e bërë nga oficerët e policisë gjyqësore”. Sipas të njëjtave burime, gjatë këqyrjeve të rrobave të viktimës, grupi hetimor, i formuar fillimisht nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit (gjatë kësaj kohe kishin konflikte), ka filmuar dhe fotografuar marrjen e të gjitha provave, në morg dhe në vendngjarje. “Videoja që i është servirur për ekspertim Dritan Zotos është kryer në Mjekësinë Ligjore të Tiranës. Të pranishëm në marrjen e provave ka qenë një prokuror, disa oficerë të Policisë Gjyqësore, si dhe hetues të Policisë së Tiranës, që filmuan marrjen e provave”, thanë burimet nga akuza qendrore. Madje, për marrjen e këtyre provave, disa kohë më parë, në një dalje publike, deputetë të mazhorancës akuzuan prokurorinë se “provat nga morgu i morën në xhepa”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i akuzës në atë kohë, ku bëhej e ditur se gjithçka është filmuar dhe fotografuar. Tashmë, për faktimin e marrjes së një prove, eksperti i thirrur nga prokuroria ka analizuar këtë filmim, në të cilën duket qartë se ashklat milimetrike nuk e kanë ndjekur plumbin nga para ose pas, por ato kanë qenë në rrobat e Ziver Veizit.


 


Raporti i Zotos


Eksperti Dritan Zoto, i thirrur nga prokuroria në këtë proces gjyqësor, dëshmoi dje në gjykatë, duke paraqitur raportin përfundimtar. Ai u është përgjigjur disa pyetjeve të ngritura nga gjykata, në të cilën sqaroi se “nga përllogaritjet shkencore dhe pamjeve filmike, ku janë gjetur këto dy ashkla mikroskopike, Ziver Veizi nuk është vrarë nga një plumb rikoshet, por nga një qitje e drejtpërdrejtë”. Në konkluzionet e Zotos rrëzohej në mënyrë kategorike raporti i ekspertit të thirrur nga mbrojtja, Gani Jahelezi, i cili kishte analizuar provat në bazë të ligjeve të fizikës dhe aerodinamikës, madje përcaktoi se dy ashklat e gjetura në rrobat e Ziver Veizit e kishin ndjekur plumbin. “Dy ashklat e drurit nuk mund të transportohen nga predha, e aq më tepër që këto dy ashkla nuk janë gjetur në vrimën hyrëse të shkaktuar nga plumbi dhe as në vrimën dalëse, por disa centimetra më tej”, tha Zoto. Megjithatë, burimet nga gjykata, thanë se eksperti në fjalë i duhet të mbrojë aktin e tij të ekspertimit ditën e mërkurë, kur do i duhet që të përballet me pyetjet e gjykatës, prokurorisë dhe të avokatëve.


 


Procesi gjyqësor


Pas paraqitjes së ekspertizës së dytë, gjykatës do t’i duhet që të zgjedhë përfundimtaren, pasi ato kanë qenë të ndryshme nga njëra-tjetra. Eksperti i zgjedhur nga mbrojtja, Gani Jahelezi, ka “mbrojtur” të pandehurit, duke i lehtësuar nga akuza e vrasjes me dashje, ndërsa eksperti i dytë ka rënduar pozitat e tyre. Por, siç ndodh në proceset gjyqësore, nëse ka dyshime për provat, atëherë ato kalojnë në favor të të pandehurve, pasi hetimi penal dhe gjyqësor duhet të kishte sqaruar të gjitha rrethanat. Në kushtet aktuale, i pandehuri Agim Llupo mund të kishte mjaft lehtësime dhe vrasja e Ziver Veizit mund të cilësohet si “vrasje në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”. Duke i shtuar edhe detyrën e tij, e cila ishte ruajtja e institucionit të rëndësisë së veçantë, atëherë sërish do të kishte lehtësime dhe ai mund të dënohet vetëm me kohën e paraburgimit.


 


Eksperti 1 – Gani Jahelezi paraqiti para gjykatës, sipas ligjeve të fizikës dhe aerodinamikës, se Ziver Veizi është vrarë nga një plumb rikoshet


Eksperti 2 – Dritan Zoto dëshmoi dje në gjykatë dhe rrëzoi në mënyrë kategorike vrasjen e Veizit nga rikosheti, sipas pamjeve filmike


Gjykata – Vetëm pasi të përfundojnë pyetjet ndaj dy ekspertëve, do të ketë një qëndrim të gjykatës se cila prej ekspertizave do të pranohet