Sekreti
Banorët e një ishulli të vogël të Greqisë jetojnë mesatarisht 10 vjet më gjatë se sa pjesa tjetër e Europës Perëndimore. Po cili është sekreti i jetëgjatësisë në Ikaria?
Kjo mund të ketë të bëjë me ajrin e freskët, natyrën miqësore, jetesën pa stres të dyerve të hapura. Por mund të jenë edhe zarzavatet e gjelbra dhe qumështi i dhisë. Mund të jetë terreni malor. Kudo në Ikaria, gjërat janë lartë apo poshtë, pra jetesa aty të mban në formë fizike. Ndoshta shkaku gjendet te radiacioni natyror i shkëmbinjve të granitit. Por Stamatis Moraitis mendon se e di se për çfarë bëhet fjalë.
“Është vera”, thotë ai, ndërsa po pi gotën e mëngjesit të vonë në tryezën e kuzhinës. “Është e pastër, pa asnjë shtesë. Vera që prodhohet për tregti ka konservantë, nuk është e mirë. Por vera që ne bëjmë vetë, është e pastër”.
Stamatis festoi ditëlindjen e 98-të në ditën e parë të vitit. Ai thotë se është më i moshuar, por dokumentet zyrtare thonë se ai ka lindur më 1 janar 1915. Jashtë shtëpisë së tij të lyer me të bardhë, gjenden ullinjtë e dashur, pemët me frutat më të ëmbla për të, si dhe vreshtat. Ai prodhon rreth 700 litra verë në vit.
“Dhe e pi të gjithën vetë?” e pyes unë. “Jo!” Ai është i tronditur nga pyetja. “Verën e pi bashkë me miqtë e mi”.
Vera si dhe ditët me miqësi të mirë që ka kaluar me shokët e familjen, e kanë bërë Stamatisin një simbol për efektet shëruese të Ikarias. Dyzet e katër vite më parë, ndërsa jetonte në SHBA, ai u diagnostikua me kancer në mushkëri dhe iu tha se kishte nëntë muaj jetë.
“Në atë kohë ishte tepër e kushtueshme për të pasur një funeral atje”, rikujton ai. “Kështu unë i thashë gruas sime, ‘po iki në shtëpi në Ikaria për t’u varrosur pranë prindërve’”.
Por tashmë ai ka një shkëlqim në sytë e tij. Kjo është një ngjarje që e ka treguar shumë herë dhe dukshëm nuk lodhet duke e treguar. “Gjeta miqtë në fshatin ku kisha lindur dhe fillova të pi. Mendova se së paku, do të vdisja i lumtur. Çdo ditë ne mblidheshim dhe pinim verë, e unë prisja. Koha kalonte, por unë ndjehesha më i fortë. Mbaruan nëntë muaj dhe u ndjeva mirë. Pas 11 muajsh u ndjeva edhe më mirë. Dhe tani, 45 vjet më vonë, jam ende këtu!”.
“Disa vite më parë shkova sërish në SHBA dhe u përpoqa të gjej mjekët, por nuk i gjeta dot. Që të gjithë kishin vdekur”.
Ka shumë histori të tilla në Ikaria. Disa prej tyre mund të jenë thjesht tregime, por në vitet e fundit shkencëtarët dhe mjekët kanë vizituar ishullin jo shumë larg brigjeve të Turqisë për të zbuluar historinë e vërtetë.
Ikaria e mori emrin e vet nga mitologjia greke. Ikarius ra në det pranë ishullit, pasi krahët e tij të ngjitura me dyll u shkrinë kur ai fluturoi në qiell dhe iu afrua tepër diellit. Për shekuj është njohur si një vend shëndetësor, për shkak të burimeve me ujë të ngrohtë që janë me bollëk në ishull.
Së fundmi, është identifikuar si një nga të ashtuquajturat “zonat blu” nga shkrimtari Dan Buettner i “National Geographic”, për shkak se banorët gëzojnë jetëgjatësi më të madhe. Në këto zona përfshihet Okinaua në Japoni, Sardenja në Itali dhe Loma Linda në Kaliforni.
Një jetë më pak e zakonshme
Lindur në Evdilos, Ikaria, më 1915. I plagosur në krah në Luftën e Dytë Botërore, u arratis drejt Turqisë dhe u shërua në Britaninë e Madhe para se të shkonte në SHBA më 1943. Atje u takua me greko-amerikanen Alice dhe pati tre fëmijë. Jetoi në Nju Jork dhe Florida. Krijoi një firmë pikturash dhe dekoracioni në Nju Jork, që vijon të drejtohet nga i biri. U diagnostikua me kancer më 1960 dhe u kthye në vendlindje. Thotë se i ati i tij ishte 117 vjeç kur vdiq. Përkujdeset për 200 rrënjët e ullirit që ka, i vjel ato dhe prodhon rreth 700 libra verë të kuqe në vit.
Bashkëshortja e tij Elpiniki, e njohur si Alice, vdes më 2012 në moshën 84-vjeçare, pas 68 vjetësh martesë. Stërnipi Kristofor kalon shumë kohë me të dhe e ndihmon me ullinjtë. Kërkimi për jetëgjatësinë është bërë nga Universiteti i Athinës, i cili studioi banorët mbi 65 vjeç. Mesatarisht, të 8 mijë banorët e ishullit jetojnë 10 vjet më shumë se sa shumica e europianëve dhe kanë shëndet shumë më të mirë në fund të jetës.
Ka shumë faktorë të rëndësishëm në stilin e jetesës së banorëve që mund të kenë ndikuar në jetëgjatësinë e tyre. Edhe në krahasim me dietën tipike të Mesdheut, njerëzit këtu hanë shumë më tepër peshk dhe zarzavate dhe konsumojnë relativisht pak mish.
Gjashtë në çdo dhjetë njerëz mbi 90 vjeç janë ende fizikisht aktivë, në krahasim me vetëm dy në dhjetë në vende të tjera. Shumica e ushqimit gatuhet me vaj ulliri. Sasi të mëdha barishtesh të egra mblidhen në kodra si për ushqim, ashtu edhe për qëllime mjekësore. Shumë njerëz të moshuar pinë çdo ditë çaj mali, apo çaj me barëra të tjera të thata si nenexhik, kamomil etj., të cilat i ëmbëlsojnë me mjaltë vendës.
Shumë nga barërat e egër përdoren nga njerëzit në të gjithë botën si mjekime popullore. Ato janë të pasura me antioksidantë dhe mbajnë gjithashtu elementë që ulin presionin e gjakut. Shkencëtarët besojnë se edhe elementë të tjerë të stilit të jetesës kanë rëndësi. Duhanpirja është relativisht e ulët, jeta është e ngadaltë dhe njerëzit shoqërohen shumë me njëri-tjetrin, duke konsumuar sasi të përmbajtura vere.
Familjet me shumë anëtarë dhe me shumë çifte brenda një shtëpie kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Niveli i depresionit dhe dementias është i ulët.
Dr. Kristina Krisohoou, një kardiologe në Athinë, thotë se ata vuajnë nga të njëjtat lloje sëmundjesh si kanceri apo problemet kardiovaskulare si të tjerët, por i kanë këto sëmundje më vonë në jetë.
“Ikaria na jep ne mundësinë të studiojmë se si ndodh që njerëzit aty gëzojnë një jetë kaq të mirë. Ne nuk mund t’i shmangim sëmundjet, por ata menaxhojnë të ruajnë cilësinë e jetës shumë më gjatë. Mosha mesatare për sëmundjet kardiovaskulare është 55-60 vjeç, por në Ikaria, ato mbërrijnë 10 vjet më vonë”.
Studime të tjera janë planifikuar për të parë efektet gjeologjike në jetëgjatësi, apo radioaktiviteti natyror i radiumit që mund të ketë ndonjë efekt. Do të kryhet edhe një studim gjenetik për të krahasuar banorët e ishullit me ata që kanë emigruar nga ishulli dhe kanë pasur një stil jetese të ndryshëm.
Kur takohesh me banorët e ishullit, e kupton se sa mirë e shpenzojnë jetën e tyre. Tryeza e darkës është përplot me ushqime vendëse. “Kjo është thjesht sa për të hapur oreksin”, thotë Vula, gruaja e 102-vjeçarit Jorgos Kassiotis, ndërsa ky i fundit tregon kartën e identitetit, ditëlindja, viti 1910. Në mure janë fotot e tij me kalorësinë greke në vitin 1931. Ai luftoi kundër italianëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas punoi në ndërtim në ishull deri sa doli në pension më 1970.
“Unë nuk ha ushqime të konservuara, nuk pi duhan dhe nuk stresohem”, thotë Jorgos Kassiotis. “Nuk jam i shqetësuar për vdekjen. Ne e dimë se që të gjithë, do të vdesim një ditë”.
Ikaria
Ishulli mban emrin e Ikarit, djalit të Dedalusit, i cili ra në det pranë ishullit, pasi fluturoi tepër pranë diellit, sipas legjendës. Ishulli ka vetëm 8 mijë banorë. Ka 2.5 herë më shumë njerëz që arrijnë moshën 90 vjeç se sa mesatarja e SHBA-së.
Zonat me jetëgjatësi të madhe
Ishulli i Okinauas, Japoni
Loma Linda, Kaliforni, SHBA
Provinca Nuoro, Sardenjë
Gadishulli Nikoja, Kosta Rika