Ka përfunduar në orët e vona të pasdites së sotme konflikti për pronën i banorët që ishin strehuar në ambientet e ish-çerdhes 36 në zonën e Fushës së Zezë në Tiranë. Banorët u konfliktuan me përmbarimin, që kishte urdhër t’i nxirrte nga banesat e tyre.
Ndërsa 10 prej këtyre familjeve nuk kanë bërë shumë rezistencë, pasi u përballën me faktin e kryer teksa përmbarimi dhe policia e pajisur me fadroma do të fillonte shembjen e ndërtesës, 2 familje të cilat siç bëhet e ditur janë në vështirësi familjare, janë konfrontuar edhe gjatë orëve të pasdites me policinë duke mos pranuar të dalin nga banesat.
Por pas situatës së tensionuar, pronarja e tokës, Nadire Qerimi në një prononcim për mediat në orët e pasdites njoftoi se është mundur të arrihet një marrëveshje me 12 familjet në konflikt, ndërkohë që dy prej tyre, që janë në vështirësi financiare, konkretisht familja Zoto dhe Cecollari do të mundësohet pagesa e qirasë për 6 muaj.
Shembja e ndërtesë ku për vite me radhë banonin 12 familje është bërë në bazë të një akti normativ që ka hyrë në fuqi në 1 nëntor dhe prek mbi 3000 familje.
8 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)