Aleancat


Manjani e Vasili: Ftesa e bërë në “Twitter” nuk është serioze


Fatjona Mejdini


Nenkryetari i Bashkise Petrit Vasili dhe zv/ministri i Transportit Ylli Manjani, gjate nje mbledhje te Komitetit Drejtues Kombetar te LSI, ku pritet te zgjidhet kreu i ketij komiteti.Lëvizja Socialiste për Integrim duket se nuk e përjashton në mënyrë përfundimtare një koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste. Drejtuesit kryesorë të kësaj partie, një ditë pasi Edi Rama rikërkoi që LSI-ja të largohet nga qeveria “Berisha”, thekson se PS-ja duhet të japë më shumë arsye për këtë bashkëpunim. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, e konsideroi jo serioze ftesën e Ramës përmes “Twitter”-it, jo për shkak të përmbajtjes, por për shkak të mosdetajimit të saj. Sipas Manjanit, LSI-ja nuk mund të bashkohet me PS-në vetëm për të qenë kundër Kryeministrit Sali Berisha, pasi ky nuk është një argument i vlefshëm për këtë parti. “LSI-ja nuk ka ende një qëndrim zyrtar për koalicionet, edhe pse mund të them që ne nuk kemi ndaluar koalicionin. Por oferta e bërë nga Rama nëpërmjet ‘Twitter’-it nuk është serioze, sepse koalicioni nuk mund të ndërtohet për të qenë kundër Berishës. Rama nuk mund ta shikojë Berishën si armik në këtë kohë, ai duhet të mësojë se në politikë nuk ka armiq”, deklaroi Manjani në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit mes PS-së dhe LSI-së. Nga ana tjetër, nënkryetari tjetër i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se dhe për të kërkesa e Ramës dhe mënyra sesi ajo ka ardhur, nuk është serioze. Sipas Vasilit, është e rëndësishme që të flitet për programe dhe elemente të tjera politike. Po kështu, Petrit Vasili deklaroi se LSI-ja ende nuk e ka marrë një vendim në lidhje me koalicionet e ardhshme dhe do ta bëjë këtë gjatë muajve në vijim, pasi të pyeteshin dhe të vendosnin strukturat e kësaj partie. Dy ditë më parë, deputeti i LSI-së për Beratin, Nasip Naço, deklaroi se kjo forcë politike duhet të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Ne, ose unë personalisht si sekretar politik për Qarkun e Beratit, jam i bindur se LSI-ja duhet të hyjë e vetme në zgjedhje. Ne nuk kemi bërë llogari numrash, duke hyrë edhe të vetëm, pasi po të jetë për llogari numrash, na intereson të bëjmë koalicion me PD-në ose PS-në. Ne duhet të hyjmë të vetëm për të parë dhe për t’u ballafaquar me elektoratin, për të bërë një analizë 4-vjeçare se çfarë kemi bërë dhe çfarë presin qytetarët nga ne”, deklaroi Naço gjatë një takimi që pati dy ditë më parë me mbështetësit e kësaj partie në Berat. Por ai theksoi gjithashtu, se integrimi ishte një prioritet i rëndësishëm i kësaj partie, dhe se LSI-ja e ka të vështirë të bashkëpunojë me një parti që nuk voton ligjet bazë për këtë proces. Nga ana tjetër, Ilir Meta, kryetari i LSI-së, është shprehur në mënyrë të herëpashershme se partia që ai drejton nuk do të dalë nga koalicioni me PD-në derisa marrëveshja me të të përfundojë dhe më pas pritet të diskutohet në lidhje me aleancat e mundshme. Kështu Meta ka përsëritur se pak kohë përpara zgjedhjeve, strukturat e LSI-së do të vendosin në lidhje me koalicionet e ardhshme që kjo parti do të bëjë në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por kreu i PS-së, Edi Rama, i ka bërë thirrje Metës të dalë nga koalicioni ku është aktualisht në rast se ai do të bashkëpunojë me PS-në.


 


Zhvillimet


Aleanca – Përveç PD-së, LSI-ja ka aktualisht një bashkëpunim të ngushtë me PDIU-në, e njohur për mbrojtjen e interesave të komunitetit çam


Oferta – Kreu i PS-së, Edi Rama, i ka bërë thirrje Ilir Metës ta braktisë koalicionin me Berishën, përpara se fushata e ardhshme të vijë


Vendimi – LSI-ja ka mbledhur dje kryesinë e re të zgjedhur nga konventa kombëtare, por nuk është marrë asnjë vendim për koalicionet në zgjedhje