Alban Muja/ Artisti i ri i arteve pamore, në një rrëfim për qytetin e tij të lindjes Mitrovicën, rrugëtimin drejt artit dhe ekspozitën më të fundit hapur në Muzeun e Energjisë në Stamboll
Në vitin 1999, artisti spanjoll Santiago Sierra pagoi gjashtë burra të papunë për të qenë pjesë e një instalacioni artistik. Ata u paguan me 30 euro për të hequr pantallonat dhe për t’u bërë pjesë e një tjetër eksperimenti të artistit me njeriun. Pjesë e eksperimenteve të tij artistike kanë qenë edhe femrat. Duke e parë artin si një depërtim të thellë në qenien njerëzore, për të përshkruar me imazh dhembjen apo dhe dëshirat me mënyrën e tij të konceptuarit, Serra është kthyer në një nga artistët bashkëkohorë më interesantë në artet pamore. Alban Muja, artist i ri nga Kosova, thotë se nëse ka një artist apo vepër që do të donte ta shihte apo ta prekte ajo është një vepër e Serrës. I quajtur “bastard” nga kritika, por i adhuruar nga artistët, Serra është një udhëtim në botën e vërtetë, për vetë mënyrën sesi e ofron këtë botë.
Në Bienalen e Venedikut në vitin 2001, Muja ishte shumë pranë ëndrrës për ta prekur këtë artist, por pasaporta e tij nuk e lejonte të shihte pavijonin spanjoll. Nga Stambolli ku ndodhet për të prezantuar punët e tij, bashkë me një grup artistësh të tjerë nga Kosova në Muzeun e Energjisë, Muja bën një rrëfim për rrugëtimin e tij drejt artit dhe si e sheh artin pamor sot.
Mitrovica, qyteti juaj i lindjes (një qytet ku ende ndihet aroma e luftës dhe e tensionit politik) sa ka ndikuar në krijimtarinë tuaj artistike? Sa është ky qytet pjesë e veprave të tua?
Jam rritur në Mitrovicë deri në adoleshencë. Kam qenë i lumtur në atë kohë, ndoshta se edhe kërkesat e mia si fëmijë kanë qenë më të vogla. Por ja që kjo lumturi m’u prish pas vitit 1999, me ndarjen e qytetit, ku unë bashkë me familjen time u zhvendosëm për të jetuar në Prishtinë. Atëherë isha 18 vjeç. Padyshim që qyteti im i lindjes ka ndikuar në krijimtarinë time, pasi shpesh punët e mia janë të ndikuara nga ato që më rrethojnë. Madje në fillim të karrierës ia kam kushtuar një punim qytetit tim, në fakt urës që ndan qytetin në dy pjesë, ku në dy anët e urës jetojnë nacionalitete të ndryshme, me opinione krejt të ndryshme për çdo gjë. Kjo urë në fakt nuk ka atë funksion që ka çdo urë tjetër në botë, atë të bashkimit, pasi në vend të tij ajo i ndan qytetarët e saj. Ndoshta kjo urë ka bërë që edhe unë të ndahem nga qyteti im i lindjes dhe të gjej një vend tjetër më të mirë për të jetuar dhe punuar.
Si vjen imazhi i urës në punët tuaja?
Ashtu si ju thashë, i kam kushtuar një punim kësaj ure që në fakt nuk duhet të kishte emrin urë, pasi ura i bashkon njerëzit, ndërsa ajo bën të kundërtën.
Cilët janë artistët që ju frymëzojnë ende?
Shpesh jam frymëzuar nga proceset sociale, transformimet politiko-sociale në Kosovë, por edhe në rajon sikurse kam provuar të hetoj temat historike dhe socio-politike dhe t’i lidh ato me pozicionin e tyre në Kosovë. Po ashtu si temë apo si frymëzim që ka kaluar shpesh tek unë kanë qenë emrat, duke filluar nga ata të artistëve të njohur, pastaj tek emrat e njerëzve, emrat që kanë qenë shpesh të pazakontë për një pjesë të madhe të shoqërisë, por që nëpërmjet këtyre emrave kam provuar të trajtoj proceset politike apo edhe historike apo sikurse emrat e rrugëve, që shpesh kanë qenë pjesë e tranzicioneve politike.
Shoh një foton tuaj përballë një nudoje në Filadelfia. Çfarë është një nudo për ju?
Ah, është e vetmja foto pranë një pikture të piktorit të njohur italian, Michelangelo Pistoletto, nuk ka të bëjë me artin tim. Në fakt, në rrjetet sociale nuk vendos punimet e mia.
Cili është ai piktor që do të donit ta takonit dhe pse?
Ka shumë artistë të mirë, por shpesh mendoj që ka më shumë vepra arti që dua t’i shoh. Njëra nga këto është vepra e Santiago Sierrës. Do të doja që kjo vepër të ishte e imja sidomos për atë çfarë trajton. Nëse je artist dhe vjen nga Kosova, ku mundësitë i ke shumë të limituara, të është dashur të bësh të pamundurën që të jesh pjesë e një skene artistike, që gati-gati ka qenë e pakapshme për ty. Në vitin 2001, në Bienalen e Venedikut, Serra ka prezantuar pavijonin spanjoll, dhe vetëm njerëzit që kanë pasur pasaportë spanjolle kanë mundur të hyjnë të shohin veprën e tij. Mund të tingëllojë si një aksion racist i një artisti apo i një pavijoni shtetëror në njërën prej evenimenteve më të rëndësishme në art, por si shumë artistë nga Kosova, ku plot njerëz ende jetojnë nën geto, kjo vepër ka shumë domethënie.
Çfarë ju provokon tek arti i Sierrës?
Më ka provokuar shumë kjo vepër e tij, e prezantuar në Bienalen e Venedikut, pra prezantimi i pavijonit spanjoll. Siç thashë edhe më lart, për mua që vij nga shteti më i izoluar në Europë, kjo vepër ka domethënie të madhe. Kjo vepër tregon jo intelektin apo personalitetin, por tregon posedimin apo mosposedimin e një pasaporte. Ndonjëherë është e rëndësishme se çfarë pasaporte posedon.
A duhet të jetë arti pjesë koherente e asaj çfarë ndodh në vendin që ai përfaqëson. A duhet të jetë një artist i angazhuar?
Besoj se roli i artistit sot është të reagojë ndaj fenomeneve të caktuara politike, ekonomike, apo sociale. Ka ikur koha kur artisti ishte i detyruar për të bërë një vepër të caktuar. Niveli intelektual i artistëve bashkëkohorë sot është shumë i lartë, prandaj pritet edhe angazhimi i tyre të jetë në të njëjtin nivel.
Si e gjykoni artin pamor në Kosovë para luftës dhe pas saj?
Para luftës, ose para vitit 1999, unë kam qenë nxënës i shkollës së mesme, kështu që nuk mund të flas shumë për artin e atyre viteve, apo eventeve artistike të asaj kohe, pasi kanë qenë inekzistente, duke pasur parasysh që ne si komunitete shumicë nuk na është lejuar të shfrytëzojmë objekte kulturore. Di vetëm histori të dëgjuara nga im atë apo miqtë e tij piktorë që përpiqeshin që punët e tyre t’i prezantonin në kafene të ndryshme. Periudha pas luftës ka qenë mjaft interesante për artin vizual në Kosovë, pasi u hapëm si vend, dhe filluan njerëz të artit, kuratorë të vijnë të shohin se çfarë ndodh në këtë vend. Ka pasur një energji të madhe të artistëve në ato vite. Më kujtohen bisedat me shokët, kolegët për artin dhe idetë që kishim për punime të reja, pasi ne ishim duke u shkolluar në një sistem edukimi mjaft tradicional dhe informatat rridhnin ngadalë. E kur i shtohet kësaj edhe problemi i lirisë së lëvizjes, vështirësitë shtoheshin edhe më. Unë mendoj se liria e lëvizjes në masë të madhe pengon punën dhe progresin e artistit. Mendoj se një artist apo një njeri që krijon, liria e lëvizjes është e domosdoshme. Megjithatë mendoj që ka pasur lëvizje të mëdha në artin vizual në Kosovë nëse krahasohet me gjini të tjera të artit. Ka artistë shqiptarë të Kosovës që shpesh janë pjesëmarrës në evenimentet më të rëndësishme të artit bashkëkohor botëror. Madje këtë vit, Kosova do të ketë edhe pavijonin e saj në Bienalen e Venedikut, ku nuk është pak, por një sukses për një vend të vogël si Kosova.
A mund të flasim sot për një kast artistësh që kanë sjellë një tendencë të re në artin bashkëkohor shqiptar, e çfarë është kjo tendencë nëse është?
Janë disa, por padyshim një rol të madh në artin bashkëkohor shqiptar e kanë artistë si Anri Sala, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci. Të tre këta artistë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri besoj se kanë pasur influencë tek artistët e rinj shqiptarë, e jo vetëm shqiptarë, pasi këta artistë janë të njohur në arenën ndërkombëtare të artit pamor.
Aktualisht ju ndodheni në Stamboll ku prezantoni Kosovën në një festival të artit pamor. Mund të na flisni diçka më tepër për këtë aktivitet?
Është një ekspozitë që kurohet prej një kuratori mjaft të ri nga Kosova, Ares Shporta, i cili aktualisht jeton në Stamboll. Ekspozita quhet “Sui Generis” dhe është hapur në Muzeun e Energjisë në SantralIstanbul. Kjo ekspozitë është pjesë e një evenimenti më të gjerë të quajtur “Konturat bashkëkohore të Kosovës”, ku si qëllim kanë prezantimin e kulturës bashkëkohore të Kosovës. Përveç ekspozitës janë përfshirë disa debate për artin dhe kulturën sikurse edhe disa performanca muzikore. Në këtë ekspozitë, nëpërmjet formave të ndryshme të artit vizual, identiteti kosovar trajtohet nga një grup artistësh, të cilët kanë përjetuar proceset 1999-2008 në faza dhe rrethana të ndryshme.