Nga një ves që praktikohej në dhomat ku pihej duhan, në një sport mase. Loja me letra, tashmë edhe në internet, është bërë fenomeni ekonomik dhe social i mijëvjeçarit të ri
Harrojini sallat e vjetra ku dikur duhanpirësit tymosnin cigare, pinin uiski dhe luanin me letra për të kaluar kohën e lirë. Sot, vendet sekrete ku luhet poker nuk ekzistojnë më. Loja është e lirë për të gjithë lojtarët mbi 18 vjeç. Të paktën kjo është nisma e marrë së fundmi nga ana e “poker room“, sajti online ku mund të luash në çdo lojë për vetëm 250 euro.
A është e lehtë të fitosh?
E vërteta është se gjithçka ka ndryshuar në pak vite, ose më saktë, që kur lindi interneti dhe Chris Moneymaker. Po kush është Moneymaker? Një i panjohur që në vitin 2003, duke shpenzuar vetëm 40 dollarë për t’u kualifikuar, fitoi në Las Vegas “World Series of Poker” (Kampionatin Botëror të Pokerit) duke çuar në shtëpi 2,5 milionë dollarë. Mesa duket, fati i tij ishte vulosur edhe nga mbiemri: “Moneymaker” (person që fiton shumë para). Që atëherë, pokeri po përjeton një zhvillim të paparë, sepse të gjithë njerëzit menduan se mund t’ia dilnin mbanë dhe do të pasuroheshin sa hap e mbyll sytë. Por realiteti nuk është aspak i tillë: “Për të fituar në një lojë poker, duhet të kesh karakter, shkollë, aftësi psikologjike dhe shumë bagazh”, shpjegon Luca Pagano, një prej profesionistëve të ekipit “PokerStar” që në karrierën e tij ka fituar mbi 2 milionë dollarë në çmime. Lista e kualifikimit nuk mbaron këtu: “Duhet të dish të menaxhosh ashtu siç duhet paratë e vëna në lojë dhe të kesh shumë përvojë”.
Ju do të pyesni që a është Pokeri një lojë strategjie? Sigurisht, por edhe fati luan një rol tepër të rëndësishëm që s’mund të përjashtohet. Sipas ekspertëve, 20% e lojës mund të kontrollohet, ndërsa 80% është fat.
Kundërshtarë globalë
Suksesi planetar i pokerit në versionin “Texas Hold’em” që është në modë sot, është shtuar falë përhapjes së këtij sporti në internet. Loja e parë me pagesë online është luajtur në vitin 1998. Një prej gjërave tërheqëse të “Hold’em” është se në versionin real, kuota e regjistrimit është fikse dhe jo shumë e lartë, për shembull 1 euro ose 1 dollar. Nëse fiton, paratë mund të të dyfishohen, trefishohen, e kështu me radhë.
Por le të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos i krijomë askujt iluzione: të bësh profesionistin e pokerit është më pak argëtuese nga ç’mund të mendohet. Kush jeton me pokerin, luan si në internet ashtu edhe në dhjetëra tryeza ku gjen vend. Si pasojë, subjekti duhet të jetë i kthjellët dhe të dijë të marrë vendime të rëndësishme atëherë kur duhet, duke përdorur rregullat e arta të matematikës. Jo më kot, pokeri i Teksasit është bërë objekt studimi, ku përfshihen teoria e lojës dhe zgjuarsia.
Aktorët dhe sportistët
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pokeri nuk mund të konsiderohet si një kalim kohe. E rëndësishme është që të mos bëhet ves, edhe pse ndonjëherë është e vështirë për shkak se biznesi është zgjeruar shumë. Sot, sajtet e ligjshme të pokerit janë me dhjetëra dhe përveç kësaj, trumbetohen fort edhe nga reklamat në televizion.
Zakonisht nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë që tundohen nga kjo lojë. Edhe VIP-at i janë “dhënë” pokerit, madje herë janë bërë imazhi tij, e herë kanë qenë lojtarë të thjeshtë. Të tillë janë Ben Afleck, Matt Damon, George Clooney, Robbie Williams. Në fakt vlen të theksohet se gjithmonë ka ekzistuar lidhja mes botës së spektaklit dhe asaj të pokerit. Por cila është arsyeja që edhe njerëzit e famshëm luajnë poker? Vitet e fundit, me përhapjen në masë të këtij lloj sporti, shumë personazhe të famshëm janë deklaruar lojtarë, edhe pse ka nga ata që e bëjnë thjesht për reklamë, sepse nuk njohin asnjë lloj rregulli.
Në Perëndimin e vjetër
Për të gjithë ata që nuk e dinë, pokeri ka pothuajse dy shekuj jetë. Si shumë lojëra të tjera me letra, nuk dihet se kush e ka shpikur, megjithatë, në versionin e tij modern, është shpikur në fillim të shekullit XIX, në Perëndimin mitik amerikan, veçanërisht në avulloret që notonin ngadalë mbi Misisipi. Në brendësi, ato anije ishin kazino të vërteta. Prova e parë konkrete për pokerin shfaqet në kujtimet e shkruara prej autorit anglez Joe Cowell, i cili jetoi gjatë në SHBA. Sipas tij, pokeri luhej në Nju Orlins në vitin 1829, me 20 letra nga 4 lojtarë maksimumi. Dalëngadalë loja nisi të përhapej, fillimisht në SHBA, pastaj në vende të tjera. Me kalimin e kohës, edhe rregullat ndryshuan. Vetëm prej disa dhjetëra vjetësh, loja zbarkoi në Europë.
A do të zhduket nga qarkullimi?
Mos vallë bëhet fjalë vetëm për një modë? Një prej liderëve të “PokerStar” nuk e mendon kështu. Sipas tij, tregu është i prirur të rritet, prandaj është e vështirë të thuash se kjo lojë mund të zhduket. Të gjithë lojtarët ëndërrojnë Las Vegasin dhe mendojnë se janë me fat si Chris Moneymaker.