Arti i vjedhur
Një pikturë e Henri Matisse me vlerë 1 milion dollarë që u vodh shumë kohë më parë, u arrit të rikuperohet nga autoritetet në Londër. “Le Jardin”, ose “Kopshti”, ishte vjedhur nga Muzeu i Artit Modern në Stokholm, bashkë me kryevepra të tjera gjatë një grabitjeje më 11 maj 1987.
Sipas raportimeve të kohës, vjedhësit ishin përpjekur t’ia rishisnin muzeut për një shumë të madhe parash. Zbulimi dhe rikuperimi i pikturës u krye pasi një tregtar arti në Essex pati marrë një ofertë për të blerë pikturën nga një koleksionist polak. Por para se të dorëzohej piktura, tregtari, Charles Roberts, bëri një kërkim të thjeshtë në regjistrin e veprave të vjedhura dhe zbuloi se për çfarë bëhej fjalë.
Sapo u zbulua se bëhej fjalë për veprën e Matisse, autoriteti i regjistrit të veprave artistike të vjedhura, Christopher Marinello, hapi bisedime për rikthimin e pikturës, duke e bindur pronarin e mëparshëm që po përpiqej ta shiste, ta dorëzonte atë në Britaninë e Madhe.
“Nuk u bënë pagesa për rikuperimin e pikturës”, tha Marinello për BBC.
Një pikturë e artit impresionist francez, tabloja tashmë është në duar të sigurta. Ajo do t’i dorëzohet Ministrisë së Kulturës së Suedisë për ta rikthyer në Muzeun e Stokholmit në javët e ardhshme.
“Nuk kishte vlerë të vërtetë”
Vepra e Matisse ishte e vetmja që u rrëmbye në një vjedhje të famshme të kryer në vitin 1987. Hajdutët hynë përmes derës qendrore të muzeut me një levë dhe e shkulën pikturën nga muri.
Ata arritën të arratisen para se rojet private të mbërrinin 10 minuta pas rënies së alarmit. Fati i pikturës mbeti mister për më shumë se 25 vjet.
Në kohën e vjedhjes, zëdhënësi i muzeut tha se ajo “ishte tepër e njohur për t’u shitur në treg të hapur”, gjë që nënkuptonte se ajo ose do të gjendej nga autoritetet, ose do të përfundonte në bodrumet e ndonjë koleksionisti për shumë dhe shumë dekada para se të rishfaqej.
Marinello thotë se muzeu bëri shumë mirë që nuk ra pre e vjedhësve kur këta të fundit kërkuan para për rikthimin e saj.
“Veprat e vjedhura të artit nuk kanë vlerë reale në tregun e ligjshëm dhe një ditë, ato gjithmonë ridalin në sipërfaqe… mjafton të kesh durim për të pritur”, tha ai.
Databaza e regjistrimit të veprave të vjedhura zakonisht përfiton një shumë të vogël parash nga kompanitë e sigurimeve që kanë siguruar vlerën monetare të veprave të artit që vidhen. Por në rastin konkret, kjo gjë nuk do të ndodhë, për shkak se vepra ishte nën pronësi shtetërore të Suedisë dhe ishte e pasiguruar në çastin kur u vodh.
“Ne e konsiderojmë punën tonë në këtë rast si një dhuratë Krishtlindjesh për popullin e Suedisë”, tha Marinello.
Një piktor shumë i vjedhur
Matisse është një artist shumë i vlerësuar në tregun e artit dhe gjithashtu shumë i vjedhur. Verën e kaluar, Zyra Federale e Investigimit në SHBA arriti të zbulojë një vepër tjetër të vjedhur të tij, e cila pati humbur më shumë se dhjetë vjet më parë nga një muze në Venezuelë. Në atë rast, një burrë dhe një grua u përpoqën të shesin veprën “Odalisque a la culotte rouge”, por blerësit ishin në fakt agjentë të fshehtë të FBI-së.
Pedro Antonio Marcuello Guzman, 46 vjeç, dhe Maria Martha Elisa Ornelas Lazo, 50 vjeç, u akuzuan për posedim mallrash të vjedhura. Piktura e realizuar në vitin 1925, ishte vlerësuar për rreth 3 milionë dollarë.
Tabloja paraqet një grua me gjoksin lakuriq që ulet me këmbë të përthyera, e veshur me një palë pizhame të kuqe. Ajo ishte vjedhur gati një dekadë më parë nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Karakas, kryeqyteti i Venezuelës. Më 2003, muzeu zbuloi se vepra origjinale ishte zëvendësuar me një kopje të falsifikuar pasi një koleksionist raportoi se ajo vepër ishte ofruar për shitje në Nju Jork. Vjedhja përmes zëvendësimit të pikturës origjinale me një false, është një skemë relativisht më e sofistikuar se sa vjedhjet e rëndomta dhe disa vepra arti shpesh arrijnë të shiten nga vjedhësit në këto raste. Poseduesi i saj, në çastin e arrestimit, pati tentuar ta shesë veprën për 740 mijë dollarë, një e katërta e vlerës reale, pasi kishte pranuar te blerësit e rremë se ishte e vjedhur. Agjentët kishin nevojë të pranonin një rrëfim të tillë për të pasur prova të sigurta në gjykatë për vjedhësin. Pasi patën rënë dakord për blerjen, tabloja u soll nga Meksika për në SHBA.
Pas inspektimit nga agjentët e fshehtë, tabloja dukej e ngjashme me veprën origjinale të Henri Matisse, e vjedhur në vitin 2003.
Aktualisht janë edhe katër vepra të tjera të Matisse që rezultojnë të vjedhura.
Henri Matisse
I lindur në Francë, Henri Matisse fillimisht stërviti veten duke vizatuar skulptura greke dhe romake, por ndryshoi stilin e tij, pasi u njoh me lëvizjen impresioniste.
Ai ishte një mik i ngushtë dhe rival i Picasso dhe ndihmoi në krijimin e lëvizjes Foviste (Fauvism), një lëvizje artistike me jetë të shkurtër.
Ai zhvilloi mënyra të reja në përdorimin e ngjyrave dhe pikturimit të figurave njerëzore, gjë që solli edhe përcaktimin e drejtimit të artit në shekullin e njëzetë.