Korçë
Një nga gjimnazet kryesore të qytetit të Korçës vë në pikëpyetje procesin mësimor në këto ditë dimri, pasi nuk siguron dot ngrohjen nga vjedhja për skrap e kaldajës së kësaj shkolle. Dita e hënë nuk ka filluar si një proces normal mësimi pas pushimeve dimërore në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Sapo ka nisur ora e parë, është vënë re se sistemi i ngrohjes me kaldajë në këtë shkollë nuk funksiononte dhe më pas, në kushtet e të ftohtit, orët e tjera të mësimit janë zhvilluar të shkurtuara. Shkaku ka qenë vjedhja e pjesëve prej bakri të kaldajës së shkollës, një ngjarje kjo që dyshohet se është kryer gjatë ditëve kur ky institucion arsimor ka qenë pushim. Në këto rrethana, për herë të parë në një stinë dimri, rreth 600 nxënës të 18 klasave në një nga gjimnazet më me emër të qytetit e kanë pasur të vështirë të zhvillojnë mësimin normalisht. Edhe mësuesit, të detyruar nga kjo gjendje, sipas të dhënave, kanë kryer vetëm dy orët e para në pritje të një normalizimi të situatës, por më pas procesi mësimor është zhvilluar me orë të shkurtuara dhe ka përfunduar para kohe. Sipas personelit mësimor, nuk pritet ndonjë ndërhyrje që të rregullojë gjendjen brenda një kohe të shkurtër dhe ndërsa ka rënie të theksuar të temperaturave në rajonin e Korçës. Nga kjo vjedhje nuk mund të thuhet me siguri nëse mësimi do të rifillojë normalisht në ditët në vazhdim. G. Ashimi