Ministria e Brendshme zhduk listat e zgjedhësve nga rrjeti pas problemeve

Ministria

Mungojnë shumë zgjedhës, shkaku formati i listës nuk përputhet me programin

Zgjedhjet

Hiqet afishimi - Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka urdhëruar njësitë vendore të heqin afishimet e listave pas gabimeve të konstatuara

7 janar - Ministria e Brendshme kishte si detyrim publikimin e listës online me datën 7 janar

4 shkurt - Ekstrakti i dytë i listës së zgjedhësve, i përmirësuar duhet të publikohet më 4 shkurt

4 mars - Ekstrakti i tretë i listës së zgjedhësve duhet të publikohet online në datën 4 mars

29 prill - Kjo është data e fundit e publikimit të listës së zgjedhësve online dhe të afishuara

Mangësitë - Shumë shtetas me të drejtë vote kanë rezultuar jashtë listës së zgjedhësve. Këto mungesa janë shumë të mëdha, pasi rezulton se janë fshirë komplet si familje. Mangësi të mëdha u vunë re në Tiranë

25 politikanë - “Fshesës” së listës paraprake, ose të ekstraktit të parë nuk i shpëtuan as 25 politikanët e Kuvendit të Shqipërisë. Nga kërkimi online rezultoi se deputetët e të dyja krahëve, të mazhorancës dhe të opozitës mungonin

Njësitë vendore - Sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, qytetarët që nuk figurojnë në listat paraprake duhet t’i drejtohen njësisë së qeverisjes vendore për të rregulluar mangësinë e konstatuar

BLEDAR HOTI

Ministria e BrendshmeMinistria e Brendshme bllokon sajtin e kërkimit të emrit në listën e zgjedhësve. Ekstrakti i përbërësve zgjedhorë i datës 03.01.2013 i hedhur online është bllokuar nga dita e djeshme, për shkak të problemeve të shumta të hasura nga vetë zgjedhësit, të cilët kanë konstatuar se nuk u figuronte emri. “Faqja është në punim, (po bëhet rinovimi i të dhënave të listës së zgjedhësve)”, ky është paralajmërimi që jepet kur klikon për të kontrolluar nëse shtetasi me të drejtë vote është ose jo në listë. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, bëjnë të ditur se kjo është hequr për shkak të problemit teknik të konstatuar, nisur nga raportimet e shumta të qytetarëve për mospasjen e emrit në listat e ekstraktit të parë, që dikur kanë qenë të ashtuquajtura si lista paraprake. Ministria e Brendshme, në të njëjtën kohë, sqaron se ka pasur probleme me softin, pasi një pjesë e njësive të qeverisjes vendore nuk i ka hedhur listat e zgjedhësve sipas formatit të kërkuar. Ky është edhe shkaku sipas ministrisë, që një pjesë e zgjedhësve nuk është në listën e votuesve. Pra problemet e karakterit teknologjik, i mosreflektimit të programit bazë të kompjuterit, janë arsyet që Ministria e Brendshme jep për problemet që kanë hasur qytetarët e shumtë në mosgjetjen e emrit të tyre online. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka urdhëruar njësitë vendore të heqin afishimet e listave pas gabimeve të konstatuara. Ministria e Brendshme, përgjegjëse së bashku me njësitë vendore për hartimin e listave të zgjedhësve, bën të ditur se lista e zgjedhësve online mund të jetë e aksesueshme vetëm pas tri ditësh, pasi të adaptohen të dhënat e ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore. Katër ditë pas publikimit të listës online të zgjedhësve, shumë qytetarë u ankuan se nuk figuronin në listat e zgjedhësve. Jashtë kësaj liste ishin lënë edhe ministra, deputetë të forcave të ndryshme politike. Mediat e ndryshme raportuan se 25 deputetë të mazhorancës dhe opozitës nuk e kishin emrin në listën e zgjedhësve.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin”, parashikohet publikimit i listës online në disa etapa të ndryshme mujore, në çdo fillim muaji. “Zyrat e gjendjes civile në bashki/komuna/njësi bashkiake brenda datës 7 janar 2013 printojnë dhe publikojnë, pasi të firmoset nga kryetari përkatës, ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ekstrakti i përbërësve zgjedhorë, me të njëjtat kritere, do të printohet dhe publikohet edhe në datat 4 shkurt, 4 mars, 1 prill dhe 29 prill 2013”, thuhet në pikën 12 të këtij udhëzimi. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile publikon këto ekstrakte në shkallë vendi, në faqen e saj zyrtare, si dhe ia dërgon KQZ-së për publikim në faqen e saj zyrtare. Në momentin e publikimit të ekstraktit të radhës, nga faqet zyrtare fshihet ekstrakti i mëparshëm. “Kryetari i bashkisë/komunës/njësisë bashkiake brenda 60 ditëve, nga publikimi i ekstraktit të parë, bën njoftimin me shkrim të zgjedhësve të përfshirë në ekstraktin e printuar sipas qendrave të votimit brenda territorit të bashkisë/komunës/njësisë bashkiake përkatëse. Njoftimi për shtetasit do të jetë sipas modelit Nr. 1 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Gjithashtu brenda këtij afati, kryetari njofton edhe shtetasit me moshë mbi 100 vjeç për arsyen e mospërfshirjes së tyre në listë. Zgjedhësit, të cilët kanë marrë njoftimin me shkrim nga ana e bashkisë/njësisë bashkiake/komunës dhe konstatojnë se në përbërësit e tyre zgjedhorë ka mospërputhje, i drejtohen zyrës së gjendjes civile përkatëse për të bërë rregullimet e mundshme”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme.

 

Debati në KQZ

Rrëzohet kërkesa e opozitës për sigurinë e bojës matrikuluese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzon kërkesën e Partisë Socialiste për të shtuar masat e sigurisë për bojën matrikulese. Në mbledhjen e djeshme, palët u përplasën për shtimin e elementeve të sigurisë, për faktin se një votues të mos votojë më shumë se një herë. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, duke përmendur një kërkesë të Inspektoratit Teknik Qendror kërkoi shtimin e sigurisë së bojës matrikuluese jo vetëm për agjentët atmosferikë, por edhe ato të tjerët si alkooli, detergjentet, pijet alkoolike, amoniaku. Pikërisht ky propozim përplasi palët në KQZ, ku pesë anëtarët votuan kundër këtij propozimi, pro vetëm Biba dhe Shtylla. Ndërsa propozimi i KQZ-së mori vetëm katër vota pro të anëtarëve Lleshi, Osmanaj, Shtjefni dhe Muho. Tre anëtarët e tjerë, Biba, Jani dhe Shtylla votuan kundër. KQZ-ja ndërkohë shqyrtoi edhe aktin për kodet e sigurisë. PS-ja propozoi ndërrimin e kodeve rezervë të sigurisë, duke propozuar një ngjyrë tjetër. Kjo u argumentua për të rritur besimin te zgjedhësit. Nisur nga palët që ranë dakord, u vendos që këto kode sigurie të jenë me ngjyrë të verdhë, fosforeshente. Kjo u pranua nga kryekomisionerja Lleshi se ka një kosto që shkon në 139 mijë euro. Sipas llogarive, një kod kushton 144 lekë dhe duhen minimalisht 18 të tillë për çdo qendër votimi. Numri i qendrave të votimit në të gjithë vendin është 5300. Kësaj shifre i shtohet dhe vlera prej 40 mijë eurove që do të kushtojnë kodet rezervë të sigurisë. Çështja ngjalli debat për koston e lartë, por në fund u arrit konsensusi.

 

 

 

Autor te 9 Janar 2013. Kryesoret, Politikë, Shqipëria voton 2013. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry