Ekonomi Privatizimi i HEC-ve Bistrica 1 dhe Bistrica 2, qeveria miraton ofertën e...

Privatizimi i HEC-ve Bistrica 1 dhe Bistrica 2, qeveria miraton ofertën e “Kurum”

1097
SHPËRNDAJE

hidrocentraleKompanie turke e cila vepron prej vitesh në vendin tonë “Kurum International”, sh.a., do të jetë pronarja e ardhshme e aksioneve të shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, pasi Këshilli i Ministrave miratoi ditën e sotme ofertën e kësaj kompanie në tenderin e hapur për privatizimin e këtyre HEC-eve.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ku u vendos miratimi i raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe të kandidatit fitues për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a, përkatësisht miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.

Më poshtë VKM e miratuar gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, e cila tashmë pritet të votohet në kuvend, pasi të nënshkruhet kontrata me METE.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a. dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.

3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a..

4. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara firmosjes së kontratës.

5. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

9 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)