Kim Kardashian: E famshme apo famëkeqe në Armeni?

Vanessa Barford, BBC

Kim KardashianKim Kardashian është një nga yjet më të famshme të botës së televizionit të realitetit. Por si ndihen armenët për famën e saj? Ajo është një emër i njohur për këdo në Europë, më së shumti e famshme për spektaklin “Big Brother” në Angli, si dhe për një video seksi që u publikua. Njoftimi i fundit se ajo ishte shtatzënë, u bë lajm kryesor. Gazetat dhe faqet e internetit të lajmeve si BBC, “Washington Post” dhe “Le Figaro” e raportuan ngjarjen. Në faqet e lajmeve të spektaklit, vështirë të kalojë ndonjë ditë pa ndonjë lajm për Kardashian.

Ka shumë njerëz që ndjekin me vëmendje çdo ngjarje të jetës së saj. Ka edhe shumë të tjerë që janë ose indiferentë ose armiqësorë ndaj lajmeve për të, duke e parë si një shenjë të trishtueshme të kohës ku jetojmë, një njeri i zakonshëm që bëhet yll për asgjë dhe që obsesionohet me famën.

Por për disa, mbiemri i saj lidhet ngushtë me rrënjët e saj armene. Kardashian është dukshëm armene. Babai i modeles, gjyshërit dhe stërgjyshërit i kanë rrënjët në Armeni.

Pra si e shohin njerëzit në Armeni, një vend me vetëm 3 milionë banorë, figurën e famshme? Fotot e saj gjenden kudo në faqet e para të revistave dhe zbukurojnë reklamat në rrugë, në mure e lavazhe në kryeqytetin e vendit Jerevan. Por kjo nuk do të thotë se armenët e dashurojnë atë.

“Kim është armene dhe e famshme në botë, pra kjo është e mjaftueshme për çdo armen që të jetë krenar për të. Por për shkak të çështjeve kulturore dhe tradicionale, ata nuk duan të pranojnë se ajo është armene”, thotë një gazetar vendës.

“Armenët e krahasojnë gjithmonë Kim me këngëtarin francez me origjinë armene Charles Aznavour, për të cilin janë krenarë, ndërsa Kardashian shihet në mënyrë më negative. Armenët nuk dëshirojnë që ajo të simbolizojë vendin”, thotë gazetari.

Jeta e hapur seksuale dhe videot e publikuara janë shkaqet për neverinë e krijuar. Në thelb, shumë armenë nuk dëshirojnë që njerëzit nëpër botë të besojnë se të gjithë armenasit janë si Kim.

Por ka edhe një ndarje brezash. Ajo gëzon më shumë respekt në botën e spektaklit dhe nga të rinjtë, por shumica e popullit dhe veçanërisht ata që janë arsimuar para viteve ‘90, dëshirojnë një figurë ndryshe për simbol kombëtar.

Lucy Harutiunyan, një zyrtare 22-vjeçare e marrëdhënieve publike në gazetën armene në gjuhën angleze “Noyan Tapan”, në Jerevan, është dakord me këtë kontekst.

“Konservatorët, pra përgjithësisht të moshuarit, e gjykojnë keq. Por njerëzit e hapur janë krenarë për të. Vajzat e shohin si një ikonë mode, ndërsa djemtë mendojnë se është e nxehtë. Ne e dashurojmë atë sepse është armene dhe përfaqëson kombin”, thotë ajo.

Por ajo pranon gjithashtu se jeta e Kardashian nuk është si jeta e grave armene. “Ajo bën çfarë të dojë, shkon me kë i pëlqen. Armenaset dalin me meshkuj, por më së shumti me ata që kanë ndër mend të martohen dhe nuk bëjnë seks para martese”, thotë ajo.

Në fund të fundit, Kardashian nuk është as një grua tipike amerikane apo britanike, thotë Armine Ishkanian, një profesore e politikave sociale dhe eksperte në çështjet armene. Dhe fakti që disa armenë – qoftë ata në Armeni dhe jashtë – 8 milionë të tjerë që jetojnë në diasporë – janë krenarë për të, nuk do të thotë se dëshirojnë të jenë si ajo.

Armenët kanë një dashuri për Kardashian veçanërisht për faktin se ajo ka përdorur statusin e saj si e famshme për të folur për çështje të rëndësishme, si vrasja e armenëve nën sundimin otoman gjatë Luftës së Parë Botërore. Vitin e kaluar, Kardashian shkroi një mesazh në “Twitter”: “Sot le të qëndrojmë së bashku dhe të kujtojmë 1.5 milionë njerëzit e masakruar në gjenocidin e Armenisë”.

Qindra mijëra armenë vdiqën në vitin 1915 nga duart e turqve osmanë. Armenët kanë kërkuar vazhdimisht që vrasjet të njihen nga bota si gjenocid dhe disa vende e kanë bërë këtë. Turqia pranon se shumë armenë u vranë, por mohon që të ketë qenë gjenocid, duke thënë se vdekjet ndodhën gjatë luftimeve masive.

Kardashian ka shprehur shqetësim edhe për fatin e komunitetit armen në Siri, një bashkësi e zënë nën zgripin e luftës civile të vendit. “Natyrisht do të ishte mirë sikur figura të tjera të profilit të lartë të flisnin si Kim”, thotë Ishkanian. Por fakti është se kultura tabloide është më shumë e magjepsur nga yjet e spektakleve se sa nga mjekët, shkencëtarët, artistët dhe muzikantët klasikë dhe ky është një fenomen global.

Dhe armenët që nuk pëlqejnë Kim, kanë gjithmonë mundësi të flasin për Levon Aronian. Ai është lojtari i tretë më i mirë i botës në shah.

 

Pse ajo është e famshme?

Kardashian fitoi famë pas një videoje ku ishte regjistruar ajo dhe ish i dashuri i saj duke bërë seks. Ajo u martua me lojtarin e basketbollit Kris Humphries më 2011 në një ceremoni të transmetuar në televizor, por aplikoi për divorc vetëm 72 ditë më pas. Tashmë shoqërohet me repistin Kanye West, me të cilin ka mbetur shtatzënë.

 

Armenë të famshëm

Yje sporti: Lojtarët e tenisit David Nalbandian dhe Andre Agassi kanë origjinë armene, siç ka edhe ish-futbollisti francez Youri Djorkaeff.

Artistë: Këngëtarja dhe aktorja Cher (Cherilyn Sarkisian) është vajza e një shoferi kamioni nga Armenia; Charles Aznavour ka prindër armenë.

Biznes: Babai i tajfunit amerikan Kirk Kerkorian – njeriu më i pasur i Los Anxhelosit – ishte armen. Luther George Simjian (1905-97), shpikësi i makinës automatike të parasë ishte një armen emigrant në SHBA.

 

Autor te 10 Janar 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry