Rishfaqet lista online, mungon shefi i SHISH, Meta i LSI-së dhe Rusmali

Reagon Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: Probleme me listat

Koalicioni - Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në një deklaratë për shtyp kërkon marrjen e masave nga Ministria e Brendshme për listat e zgjedhësve

Pasaktësitë - KVV ka vërejtur pasaktësi të madhe të listave, si vendosja e personave me të njëjtin mbiemër në qendra të ndryshme votimi

KQZ - KVV-ja i kërkon KQZ-së që të përdorë sa më parë instrumentet e tij për të mbikëqyrur nga afër procesin e hartimit të listave

3 janar - afati i përcaktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit sipas Kodit dhe në udhëzimin e MB-së ka qenë data 3 janar 2013

BLEDAR HOTI

Reforma zgjedhore - KQZMinistria e Brendshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas rregullimit të programit të realizuar publikuan online regjistrin e zgjedhësve, të cilësuar si ekstrakti i parë. Në të gjithë shtetasit shqiptarë mund të klikojnë dhe të kërkojnë nëse emri i tyre është në listën paraprake ose jo. Në bazë të një kërkimi motorik të listës online, rezulton se sërish ka disa probleme me emra të zyrtarëve të lartë të shtetit apo deputetësh. Në listën paraprake nuk figuron shefi i Shërbimi Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. Kreu i shërbimeve sekrete shqiptare ka qenë në fokusin e medias shqiptare dhe të opozitës së majtë për nënshtetësinë e tij, pasi përpara se të emërohej si zv.ministër i Inovacionit dhe më pas në krye të SHISH, ka emigruar në Kanada. Atje ka qëndruar prej më se 6 vitesh. Opozita ende nuk ka marrë shpjegime në lidhje me natyrën emigrimit të Likajt, ekonomik apo me status politik. Në bazë të një kërkimi tjetër motorik rezulton se as kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk është në listën e votuesve. Ndërsa bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, figuron në listën e ekstraktit të parë. Jashtë liste është dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Ilir Rusmali. Ai ka qenë një nga bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, ku solli si produkt Kodin e ri Zgjedhor. Disa ditë më parë nuk figuronin një pjesë e mirë e deputetëve të Kuvendit, si dhe tre ministra të kabinetit “Berisha”. Ministrat Ruli, Ksera dhe Tavo, që të tre deputetë të Qarkut të Gjirokastrës, tashmë figurojnë në listën e zgjedhësve. Ksera dhe Tavo e kanë qendrën e votimit në Dropull të Gjirokastrës, ndërsa ministri i Bujqësisë në Tiranë.

Koalicioni i vëzhguesve

Problemet e hasura me listat që në ditën e parë të publikimit të tyre në sajtet e Ministrisë së Brendshme apo në KQZ, apo të afishuara në çdo njësi të qeverisjes vendore kanë shqetësuar dhe shoqatat që merren me zgjedhjet. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë me anë një të deklarate thekson se listat paraprake janë të pasakta dhe me probleme. “Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) konstaton se procesi i përgatitjes dhe publikimit të listave paraprake të zgjedhësve është cenuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara. Koalicioni i tërheq vëmendjen DPGJC-së pranë Ministrisë së Brendshme, për një përkushtim dhe profesionalizëm sa më të lartë në përmbushje të detyrimeve ligjore”, thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas informacioneve të KVV-së, të marra kryesisht nga Njësitë Bashkiake në Tiranë, konstatohet se ka pasur probleme në lidhje me ndarjen e zgjedhësve me të njëjtin mbiemër apo nga e njëjta familje në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton qartë se “programi kompjuterik i RKGJC (Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile) bën ndarjen automatike të listës mbi bazën e numrit të qendrës së votimit të caktuar çdo zgjedhësi. Zgjedhësit me të njëjtin mbiemër nuk mund të ndahen në lista të ndryshme”. Në ekstraktin zgjedhor janë evidentuar edhe pasaktësi të tjera, madje rezultojnë qendra votimi pa asnjë të dhënë siç është rasti i QV Nr. 1699 në Njësinë Bashkiake Nr. 1, në Tiranë. Koalicioni i tërheq vëmendjen Ministrisë së Brendshme që të detyrojë institucionet dhe administratën në varësi të zbatojnë ligjin me seriozitet dhe profesionalizëm, si dhe t’u ofrojë informacion dhe gatishmëri për bashkëpunim të gjithë aktorëve institucionalë sikundër e kërkon ligji.

Dy auditët

Genti Malko dhe Dashamir Çali do të jenë 2 auditët, përfaqësues të PS-së dhe PD-së, të listës së zgjedhësve. Kompetenca e tyre do të jetë e barazvlefshme me atë të drejtorit të Gjendjes Civile, pasi ata do të ndjekin nga afër çdo procedurë që kryhet në qendër dhe në bazë për ekstraktet paraprake dhe listën përfundimtare. “Komisioni Qendror ka vendosur për 2 auditë të zgjedhjeve që mund ta vizitojnë drejtorinë, të shohin operacionet, të jenë në koherencë të veprimeve dhe kanë pushtet të barabartë me drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile. Ne shkuam dhe më tutje, që nuk është parashikuar në Kod. Ne shkuam dhe në hartimin e akteve nënligjore pse jo dhe për të rritur koeficientin e besimit”, deklaroi zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni për “AS TV”. Ai u shpreh se kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë udhëzuar që t’u vënë në dispozicion në çdo kohë partive politike informacionin e nevojshëm për listën zgjedhore që hartohen në njësinë e tyre. Subjektet dhe institucionet e interesuara në rast dyshimesh për dublime mund t’i drejtohen Drejtorisë së Gjendjes Civile për pastrimin e tyre, brenda një afati te caktuar. “Jemi plotësisht të hapur dhe këtë ia kërkoj dhe kryetarëve të njësive vendore për të dhënë informacion partive politike kur ta kërkojnë në lidhje me listën. Nëse institucionet shtetërore të interesuara në proces do të kenë dyshime për dublime të tjera, mund t’ia afrojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në një afat të caktuar, sepse nuk mund të presim pa fund, për t’i korrigjuar njerëzit poshtë”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm.

 

 

Deputetët

Opozita është kundër miratimit të draftit në Kuvend para kalimit në KQZ

Gjiknuri: Jo ndarja e mandateve sipas zgjedhjeve të vitit 2009

Arvizu - “Unë jam paksa i shqetësuar për KQZ-në. Ka pasur probleme që unë i kam perceptuar si probleme të drejtpërdrejta administrative, të cilat janë politizuar. Ky nuk është një ogur i mirë për 23 qershorin”

Damian GjiknuriPartia Socialiste nuk pranon të votojë në Parlament draftin për ndarjen e skemës së shpërndarjes së mandateve për sa kohë që ky dokument nuk kalon përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Socialistët parashikojnë gjithashtu që këtë çështje ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese, në rast se KQZ nuk pranon ta marrë mbrapsht për shqyrtim. Këtë la të kuptohej sekretari për çështjet zgjedhore në Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Sipas tij, nëse kjo çështje nuk zgjidhej nga KQZ-ja, atëherë ajo mund të kthehej në një çështje kushtetuese. Sipas Gjiknurit, i vetmi organ i cili mund ta bëjë ndarjen e mandatave zgjedhore për çdo qark është KQZ dhe se socialistët nuk do të pranonin një ndarje të bërë nga ndonjë organ tjetër. Deputeti socialist theksoi se kjo ndarje nuk mund të bëhej në mënyrë të njëanshme, por ishte e domosdoshme të gjendej konsensusi i përbashkët, i cili parashikohej dhe në Kodin Zgjedhor. “Në asnjë rast nuk mund të mbetet në fuqi ndarja e mandateve e bërë në vitin 2009. Rregullat e lojës nuk mund të shkelen dhe vendimet nuk mund të jenë politike, por duhet të pranohen nga të gjitha palët”, deklaroi Gjiknuri. Ai deklaroi se bashkohej me shqetësimin e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, për sa u përket vendimeve të deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe konsekuencat që ato mund të kishin në procesin zgjedhor të qershorit të këtij viti. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, gjithashtu thekson se PS nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që e njëjta skemë e shpërndarjes së mandateve e bërë në vitin 2009 të vijojë të zbatohet. “Është një rrezik serioz për zgjedhjet. Kam dëgjuar arsyetime që mund të përdoren shifra dhe numra të 2009-s, jo, një gjë e tillë nuk mund të bëhet. KQZ-ja ka vendosur në 2009-n dhe vendimi i saj lidhet vetëm me zgjedhjet e 2009-s. KQZ-ja do të duhet të marrë një vendim për ndarjen e mandateve. Mund ta marrë në çdo kohë para datës 7 mars dhe kjo çështje merr zgjidhje vetëm në këtë mënyrë”, deklaroi Gjonçaj. Po kështu, ai theksoi se kjo çështje nuk mund të kalojë në Kuvend në një kohë që nuk është KQZ-ja organi i cili bën dhe ndarjen e mandateve. Ky vendim, sipas Gjonçajt duhet të merret në përputhje të plotë me zhvillimet e reja demografike. Në Kodin Zgjedhor parashikohet në mënyrë të qartë se koha për ndarjen e mandateve është deri në datën 7 mars dhe se Kuvendi duhet të miratojë skemën e re të shpërndarjes së deputetëve nëpër qarqe, bazuar mbi lëvizjet e fundit të popullsisë. Aktualisht, çështja e mandateve po shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor dhe kalimi i kësaj çështjeje në këtë instancë ka hasur një kundërshtim shumë të  madh nga ana e socialistëve, të cilët e shikojnë një shkelje të rëndë ligjore. Sipas tyre, vetëm KQZ me votat e pesë anëtarëve mund të bëjë të mundur kalimin e kësaj procedure, e cila më pas pritet të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash në Parlament. Mazhoranca në Parlament rrëzoi dhe një kërkesë të socialistëve për të bërë një hetim parlamentar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandatave.

 

Qëndrimi

AK: Buxheti i 2013-s për qëllime elektorale

Aleanca Kuqezi është zëri i radhës që ka kritikuar buxhetin e shtetit për vitin 2013, duke e cilësuar këtë buxhet si një buxhet elektoral. “Që në fillim duam të themi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që ky buxhet i miratuar tashmë, të krijojë hapësira për t’u trajtuar si buxhet elektoral. Shifra e miratuar është 410 mld lekë, një shifër e lartë, por ajo që bie në sy është mbështetja buxhetore, shumë e ulët për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë përkatësisht në vlerën 3 dhe 2 për qind. Të bie në sy numri i lartë, afro 88 mijë punonjës në administratën e fryrë, që do të vazhdojë të marrë rroga duke rënduar arkën e shtetit shqiptar”, thuhet në reagimin e AK-së. AK vlerëson se një shumë e konsiderueshme e privatizimeve mund të përdoret vetëm me vendim qeverie duke anashkaluar Parlamentin.

Autor te 10 Janar 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry