Ministri i Financave, debat me Arben Malajn në “Top Story” për krizën dhe ekonominë
Ministri i Financave pranon se kriza ka prekur vendin, pavarësisht reformave të qeverisë, megjithatë ai beson se më mirë do të bëhet, falë modelit që po zbaton qeveria, atij të taksave të ulëta. Në debatin e zhvilluar në “Top Story”, shefi i Financave, Ridvan Bode, u përball përpara shifrave të ekspertit dhe deputetit të PS-së, Arben Malaj. Të dyja palët paraqitën fakte të ndryshme mbi situatën ekonomike.
Sipas ministrit, vendi e rriti borxhin, duke kapërcyer kufirin 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si manovër për të stimuluar ekonominë, por ai nuk përbën risk, bazuar edhe në analizat e Bankës Botërore.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, theksoi faktin se Shqipëria u prek më shpejt nga kriza, në raport me parashikimet dhe kjo lidhet me keqqeverisjen, por Bode i konsideron “përralla të opozitës”.
“Sipas vlerësimeve dhe parashikimeve, ne duhet të prekeshim më vonë nga kriza dhe është normale, pasi jemi pjesë e globalizimit, por jo që në valën e parë. Sa i takon borxhit, Shqipëria ka një kosto të pagesës së borxhit 3.4 për qind të PBB-së, kurse mesatarja e rajonit është 1.3 për qind. Ju thoni që do të keni rritje ekonomie 3 për qind, kurse BB e vlerëson 0.8 për qind. Këto janë shifra dhe jo përralla!”, iu drejtua Malaj, ministrit.
Ministri thotë se borxhi është rritur, por falë reformave të qeverisë, mirëqenia e shqiptarëve është rritur gjithashtu me 13 për qind, po ashtu edhe të ardhurat për frymë etj., në raport me disa vite, sipas institucioneve të huaja. “Ne e rritëm borxhin me 5 pikë për qind, kurse vendet e rajonit mesatarisht me 19 për qind”, u shpreh ministri.
Sipas tij, asnjë vend nuk i shpëtoi krizës, ashtu edhe Shqipëria, fqinjët e së cilës, Italia dhe Greqia, u goditën keq. Por Malaj e vendoste theksin jo te kriza, sesa te keqqeverisja. “Kriza ka ndikimet e veta, por keqqeverisja juaj e thelloi më tepër. Ju kapeni pas shifrave të rritjes ekonomike që nuk janë reale, dhe nuk flisni për varfërinë e shqiptarëve”, tha ish-ministri i Financave.
Bode pranoi se kriza e përgjysmoi rritjen ekonomike, nga 6 në 3 për qind, pasi, sipas tij, vendet e vogla preken më shumë. Për këtë, ministri bëri me faj bankat private, të cilat të udhëhequra nga mëmat e tyre, ndoqën politikën konservatore të kreditimit, duke dhënë më pak financime në vitin 2012, se një vit më parë.
Debat pati edhe për nivelin e taksave, që sipas Malajt, taksa e sheshtë preku më shumë pagat e ulëta, duke i taksuar më tepër. “Kjo taksë (e sheshta) solli varfërimin e shqiptarëve dhe mos u kap me taksën progresive, pasi ajo çfarë ne propozojmë do të sjellë barazi”, tha Malaj.
CEZ – Ministri tha se kompania po ikën nga Shqipëria pasi dështoi në të gjitha drejtimet