“Unifikim tekstesh për të gjitha librat e 9-vjeçares”

Kristiqi: Dilemë për titujt, “Historia shqiptare apo “Historia e Kombit Shqiptar”

Sqarimi – Procedurat teknike, të ngjashme me ato të abetares së përbashkët. Këtë javë një draft në Kosovë për kurrikulat e klasës I-IX

Unifikimi – Gjuha shqipe e përbashkët, lehtësisht e realizueshme. Historia, në përmbajtje ngjarje nga të dyja palët, Shqipëria dhe Kosova

Shpresa Mezini

historia 12

Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë duket se ka qenë një ogur i mirë në rrugën e bashkëpunimit mes MASH-it dhe institucionit homolog në Kosovë. Fill pas hartimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit në Kosovë, kanë nisur negociatat për hartimin e tekstit të historisë dhe gjuhës shqipe të përbashkët. Madje, të dhënat tregojnë se kjo nismë do të vijojë për të gjitha tekstet e tjera të shkollës 9-vjeçare.

“Midis Ministrisë së Arsimit në Shqipëri dhe asaj të Kosovës ka një marrëveshje për bashkëpunim, me qëllim kalimin në kurrikula të përbashkëta në vijimësi. Ne jemi në fazën e bashkëpunimit, ndërsa brenda kësaj jave do t’i dërgojmë ministrisë së Kosovës draftin e kurrikulës për klasat nga I-IX. Këtu përfshihet korniza kurrikulare, plani mësimor, standardet e të nxënit dhe programet mësimore. Pasi të kemi dërguar draftin, do të takohemi në një tryezë të përbashkët për të arritur në konkluzionet përfundimtare. Kështu, pas abetares së përbashkët, detyra e dytë është realizimi i teksteve të përbashkëta, të gjuhës shqipe dhe historisë”, sqaroi për gazetën “Shqip”, Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit.

Ai thekson se pa u bërë programet e përbashkëta, s’mund të kemi tekst të përbashkët, çka do të thotë se programin e përbëjnë konkluzionet e analizave të dy grupeve të punës.

“Procedurat teknike do të jenë të njëjta me ato të abetares së përbashkët, ndërsa po ngremë pikëpyetje dhe po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për përmbajtjen e librit të gjuhës shqipe dhe historisë, të cilat, deri më tani, kanë qenë të ndara, për rrjedhojë të ndryshme. Jemi përpara dy alternativash, nëse do të na duhet të ndërthurim programet shkollore të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat janë të ndryshme apo do të ndryshojmë programet aktuale për të pasur një të vetëm. Libri i gjuhës shqipe është lehtësisht i unifikueshëm, për shkak se rregullat gramatikore, thelbi i këtij teksti, janë pothuajse të njëjtat, duke qenë se në të dominon edhe gjuha letrare”, analizoi Kristiqi. Ai sqaron se edhe hartimi i historisë së përbashkët, ndonëse me disa vështirësi, është i realizueshëm, pasi në historinë e Shqipërisë nxënësit mësojnë edhe ngjarjet në vite, në Kosovë.

tekste4“Deri në vitin 1912, Shqipëria dhe Kosova ishin një shtet, duke qenë të njëjtët shqiptarë, ndërsa edhe pas 1912-s, kur u bë shkëputja territoriale, në historinë tonë aktuale kemi ngjarje për historinë e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavisë. Kështu që vështirësia nuk është në shkallë të lartë, pasi ende sot nxënësit në tekstet aktuale, jo të përbashkëta, mësojnë edhe për shqiptarët e Kosovës. Ajo që nuk dihet ende me siguri është titulli i librit. Jemi në diskutime mes: Historia e Shqipërisë dhe Historia e Kombit Shqiptar”, tha këshilltari i ministrit të Arsimit. Sipas tij, rruga e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të përjashtojnë edhe fëmijët e diasporës shqiptare.

“Po punojmë edhe për librat e përbashkët për fëmijët e diasporës shqiptarë, sepse deri më sot Kosova ka punuar më vete, ne po ashtu, pa pasur bashkëpunim dypalësh, ndërsa tani ka nisur aktiviteti praktik që t’i jepet fund kësaj mënyre pune. Kjo do të thotë që do të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë mes 2 ministrive të Arsimit, Shqipëri-Kosovë, për të sjellë një produkt të vetëm, jo më dy, siç ka funksionuar deri më tani”, shpjegoi Kristiqi.

Autor te 11 Janar 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry