Bulqizë
Drilon Dema u shoqërua nga policia për vjedhjen e dy pulave të një bashkëfshatari
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të nisë hetimet për trajtimin në polici të adoleshentit 17-vjeçar
Hysen Likdisha
Sapo është lënë i lirë nga policia, një i ri i ka dhënë fund jetës në kushte misterioze. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku një 17-vjeçar është vetëvarur në pemë, ndërkohë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bashkë me Prokurorinë kanë nisur hetimet për këtë rast. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të shkollës së fshatit Homesh, në Komunën Shupenzë të Bulqizës. SHKB pritet të zbardhë nëse vetëvrasja e të riut ka ardhur për shkak të shoqërimit në polici. Burimet zyrtare të policisë kanë pretenduar se ai ishte thirrur në polici, ku ka pranuar vjedhjen, ndërkohë që efektivë të komisariatit shprehen se ai është shoqëruar me forca të patrullës. Një bashkëfshatar kishte ngritur dyshimet se adoleshenti i kishte vjedhur dy pula.
Në lidhje me rastin e rëndë, Policia e Dibrës deklaroi se një 17-vjeçar, i papunë, i ka dhënë fund tragjikisht jetës, me anë të vetëvarjes në pemë. Burime nga policia lokale konfirmojnë se dje, rreth orës 15:00 nga banorë të fshatit Homesh, janë informuar për një varje në pemë dhe menjëherë një grup ekspertësh të kësaj policie kanë shkuar në vendngjarje. Sapo policia ka mbërritur aty, deklaroi se Drilon Dema, 17 vjeç, banor i fshatit Homesh, është vetëvarur në një pemë në afërsi të shkollës së këtij fshati. Po sipas burimeve, mësohet se menjëherë sapo kanë shkuar në vendngjarje, grupi i ekspertëve të policisë kriminale, në ndihmë të të cilit kanë shkuar edhe ekspertë nga Drejtoria e Dibrës, kanë nisur hetimet për zbardhjen e saj. Nga informacionet e mbledhura ka rezultuar se dje në mëngjes, 22-vjeçari ishte thirrur në Komisariatin e Bulqizës, pasi dyshohej nga një bashkëfshatar i tij për vjedhjen e dy pulave. Ai është marrë në pyetje nga oficerët gjyqësorë për këto dyshime dhe më pas mësohet se është lënë i lirë. Policia tha se ai ka pranuar krimin, megjithëse nuk ka dhënë detaje për shoqërimin e tij. Menjëherë pas lirimit, ai është nisur për në fshatin e tij Homesh, ku vetëm pas pak orësh, krejt papritur është gjetur i vetëvarur në pemë nga kalimtarë të rastit. Gjatë kohës, që nga lirimi i tij, e deri në momentin e vetëvarjes, nuk dihet se çfarë ka bërë i riu, por mendohet se ai është ndjerë i turpëruar për shoqërimin në polici dhe kjo mund të ketë shkaktuar vetëvrasjen. Sipas policisë, mësohet se në trupin e viktimës nuk janë gjetur shenja dhune, por do të jenë ekspertët mjekoligjorë, ata që do të japin përgjigjen përfundimtare, pasi në hetime janë futur edhe oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Burime nga SHKB-ja shprehen se do të merren në pyetje, shefi i komisariatit, oficeri që ka marrë në pyetje të riun dhe agjentët e patrullës, të cilët e kanë shoqëruar në ambientet policore për të dalë në konkluzion nëse është shkaktuar vetëvrasja prej tyre. SHKB-ja ka sekuestruar edhe dokumentacionin përkatës për këtë rast, ku rezulton se nuk është mbajtur asnjë raport shoqërimi. Gjithashtu do të pritet raporti mjekoligjor për të parë nëse ndaj të riut ka pasur shenja dhune. Policia tha se për zbardhjen e plotë të kësaj vetëvrasje pritet të merren në pyetje edhe familjarët e të riut, nëse ka pasur shqetësime të tjera dhe nëse ka kontaktuar me ta, para aktit të vetëflijimit.