“Arbitrariteti i zyrës së taksave konsiderohet pengesë e rëndë për rritjen ekonomike”


“Rritja e taksës nuk do të dëmtojë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime”


Raporti – Raporti prej 50 faqesh vendos klimën e biznesit si problem themelor në Shqipëri, duke vënë në pah disa reforma të munguara


Shpenzimet – Propozimi i FMN-së është që një rritje “modeste” në këto taksa mund të ndihmojë më shumë se sa ulja e shpenzimeve aktuale.


Rritja – Sipas propozimit të Fondit Monetar, taksa e sheshtë duhet të rritet nga 10 për qind që është aktualisht në 12 apo 15 për qind


Berisha & Ilahi - FMNFondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje qeverisë shqiptare të rrisë taksat mbi të ardhurat personale, si dhe tatimin mbi fitimin e kompanive, si një mënyrë për të zgjidhur problemet e buxhetit të shtetit, të shkaktuara nga kriza dhe nga mungesa e aftësisë së qeverisë për të realizuar planin e të ardhurave. Sipas FMN-së, rritja e taksave “është e nevojshme” për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të borxhit publik, i cili sakaq konsiderohet si më i larti në rajonin e Ballkanit dhe i rrezikuar nga mungesa e financimeve të nevojshme për rishitje.


“Rrit normën e taksës dhe thjeshtëzo sistemin”, ky është titulli i paragrafit në raportin e FMN-së të publikuar dje, ku reflektohen diskutimet mes qeverisë dhe FMN-së të zhvilluara në dhjetorin e kaluar.


“Të ardhurat nga taksat dhe shpenzimet e Shqipërisë janë të ulëta, megjithatë, vendi ka nevoja të konsiderueshme afatmesme për zhvillim. Stafi ka propozuar që ngarkesa e axhustimit të ardhshëm fiskal [uljes së borxhit] duhet të bjerë gjerësisht te të ardhurat. Por për shkak se norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri është sakaq e lartë, rritja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin e korporatave, do të jenë të nevojshme”, thotë FMN, e cila argumenton se kjo rritje nuk do të dëmtojë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime, veçanërisht në rast se arbitrariteti në mbledhjen e taksave reduktohet dhe taksat vendore “bezdisëse” hiqen, pasi janë ineficente.


Raporti prej 50 faqesh vendos klimën e biznesit si problem themelor në Shqipëri dhe thotë se reformat e munguara në përmirësimin e klimës së biznesit, si zgjidhja e problemeve me pronat, janë bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Raporti vëren se autoritetet shqiptare vazhdimisht këmbëngulnin se kishin vullnet për reforma, por këto reforma nuk bëheshin dot, sepse i pengonte opozita.


“Të ardhurat nga taksat kanë vijuar tendencën e tyre negative. Që nga viti 2008, ato kanë rënë vazhdimisht me rreth 1.5 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe parashikimet buxhetore kanë rezultuar në mënyrë të përsëritur optimiste”, thotë FMN.


“Ngadalësimi i ekonomisë ka prekur të ardhurat fiskale, por reforma fiskale, e motivuar nga nevoja për të nxitur konkurrueshmërinë, siç ishte vendosja e taksës së sheshtë për të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive në vitet 2007-‘08, ka kufizuar gjithashtu mundësinë për më shumë të ardhura”.


Një rritje e taksës së sheshtë nënkupton njëkohësisht rritje të taksave dhe rënie të të ardhurave të popullatës. Në rast se qeveria i bindet këshillës së FMN-së për rritjen e taksës së sheshtë nga 10 për qind që është aktualisht në 12 apo 15 për qind, kjo nënkupton njëkohësisht rënien e pagave të së gjithë administratës publike dhe të punësuarve në privat me 2-5 për qind.


Propozimi i FMN-së është që një rritje “modeste” në këto taksa mund të ndihmojë më shumë se sa ulja e shpenzimeve aktuale.


Klima e dobët e biznesit është një pengesë për investimet dhe rrjedhimisht, për rritjen në terma afatmesëm. Dobësitë në sistemin ligjor, veçanërisht në të drejtat e pronësisë dhe zbatimin e kontratave, duhet të trajtohen “me urgjencë”, thotë FMN. “Mbledhja e taksave duhet të bëhet më pak arbitrare” vijon më tej raporti.