6 mijë individë deklaruan të ardhurat personale, nga 45 mijë. Gjurmim me kartën e identitetit
ARD KOLA
Kush nuk deklaroi të ardhurat e krijuara individualisht në vitin 2011, brenda datës 30 dhjetor 2012 do të jetë objekt gjurmimi nga ana e administratës tatimore, duke përdorur numrin e kartës së identitetit. Reforma e ministrit të Financave, Ridvan Bode, prezantuar dy vjet më parë dhe aplikuar për herë të parë në 2012-n, nuk dha rezultatin e duhur, pavarësisht se deklarimi u shty dy herë (shtator dhe dhjetor). Të dhënat tregojnë se deklaratën e kanë dorëzuar rreth 15 për qind e potencialit, duke i hapur rrugë një tjetër fushate: atë të gjurmimit të pasanikëve me anë të kartës së identitetit, për të parë se ku janë të fshehura pasuritë. Kjo përbën edhe sfidën e administratës, kërkimin dhe identifikimin e individëve që i janë fshehur detyrimit ligjor për të deklaruar të ardhurat, sikurse ndodh në vende të ndryshme të botës. “Në target do të jenë të gjithë, përfshi artistët, VIP-at, biznesmenë, politikanë etj.”, sqarojnë Tatimet.
Sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, kush ka të ardhura vjetore individuale 2 milionë lekë dhe mbi këtë shumë, është objekt për të deklaruar në Tatime burimet. Sipas Ministrisë së Financave, potenciali për të deklaruar, në bazë të vlerësimeve nga ana e administratës tatimore, është në rreth 45 mijë individëve. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, burime nga tatimet bëjnë të ditur se rreth 6000 mijë individë u janë përgjigjur pozitivisht detyrimit për të deklaruar. Numri konsiderohet zhgënjyes, pasi përbën rreth 15 për qind të potencialit, ose më pak se 1 për qind e popullsisë. Ashtu si amnistia fiskale, deklarimi individual i të ardhurave, një nga dy reformat kryesore të Ministrisë së Financave, janë një dështim total.
Nga numri prej 6000 individësh që kanë deklaruar të ardhurat personale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka mundur të nxjerrë të dhënat sa i takon detyrimit që duhet të paguajnë mbi bazë të ligjit. Kështu, vlera që kjo kategori duhet të derdhë (debia) në shtet rezulton se është rreth 45 milionë lekë, kurse shteti duhet t’u kthejë (kreditojë) rreth 20 milionë lekë. Synimi i reformës ishte, sipas ministrit Bode, që kush paguan më tepër taksa do të rimbursohet, sikurse kush siguron më shumë të ardhura dhe nuk ka paguar taksat, duhet t’i derdhë në shtet. Duke plotësuar deklaratat, diferencat pozitive (nga të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara, ato të njohurat dhe të kërkuarat me ligj), tatohen me 10 për qind.
Deklarimi i të ardhurave duhet të dorëzohet pranë tatimeve në muajin prill të çdo viti. Në vitin e parë të reformës, 2012, individëve iu dha mundësi t’i paraqisnin deklaratat e të ardhurave për 2011-n brenda muajit shtator, por nisur nga rezultati i dobët, ministria e shtyu afatin deri më 30 dhjetor. Nga të dhënat e disponueshme, rezulton se deri në shtator deklaruan të ardhurat rreth 4500 individë dhe deri në dhjetor vetëm 1500 (pra në total 6000). Justifikimi i ministrisë për të shtyrë afatin për tre muaj të tjerë se “ka fluks dhe interesim të individëve për të deklaruar” u rrëzua me shifrat e raportuara nga Tatimet, pasi nuk solli më shumë se 1500 deklarata, apo 25 për qind më tepër. Mësohet në grupin e deklaruesve se ka edhe politikanë, si deputetë, ministra dhe zv/ministra.
Qeveria ndryshoi ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke shtyrë sërish afatin, por pa rezultat. Sipas ministrisë, arsyeja e shtyrjes së afatit deri në dhjetor 2012 “lidhet me faktin se nga administrata tatimore është konstatuar një interesim i individëve për plotësimin e deklaratës pas afatit ligjor”. Nga ana e administratës tatimore bëhet e ditur se “është e përgatitur në mënyrë logjistike dhe operacionale për të siguruar një zbatim korrekt të reformës së deklaratës”. Pranë drejtorisë së përgjithshme u instalua sistemi i deklarimit elektronik në uebsajtin e administratës tatimore, ndërsa qendrat e shërbimit ndaj tatimpaguesve kanë qenë të trajnuara, të disponueshme për t’u ofruar individëve informim dhe asistencë në plotësimin e deklaratës, thotë ministria. Megjithatë, numri i vogël i deklaruesve tregon se fushata informuese mbi detyrimin ligjor nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi shumë pak individë e njohin ligjin dhe të drejtën për të deklaruar të ardhurat. Deri më datën 30 shtator ishin dorëzuar në administratën tatimore 4483 deklarata, nga të cilat 1424 dorazi, 2638 në mënyrë elektronike dhe 421 të tjera dorazi dhe elektronike së bashku.
Mësohet se në grupin e deklaruesve ka edhe politikanë, si deputetë, ministra dhe zv/ministra
Ligji
Deklarohet çdo
vit, në prill!
Në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” janë parashikuar disa nene (duke nisur nga neni 13), detyrimet e individëve për të deklaruar të ardhurat personale të krijuara në vitin paraardhës. Kështu, të ardhurat individuale të krijuara në vitin 2012, duhet të deklarohen brenda muajit prill 2013, dhe kështu me radhë. Përjashtim pati vetëm në vitin e parë të reformës, ku për të ardhurat individuale të 2011-s, deklarata duhej të dorëzohej në shtator dhe më pas (u shty) në dhjetor.
Rezultati
Potenciali
Nga analiza e bërë me ekspertët e Tatimeve, Ministria e Financave doli në konkluzionin se ishin potencial për të deklaruar 45 mijë individë
Fakti
Të dhënat tregojnë se deri në shtator deklaruan 4483 individë dhe deri në dhjetor rreth 1500 të tjerë, pra në total 6000, ose 15% nga totali
Detyrimet
Analizat paraprake mbi deklaratat individuale tregojnë se detyrimi shtesë për t’u paguar del 45 milionë lekë, kurse rimbursimi, 20 milionë
Gabimet
Në vitin e parë të deklarimit, jo të gjithë e kishin kuptuar sesi duhet plotësuar formulari, ndaj edhe rezultatet do të jenë objekt korrigjimi