Pse kriminelët po kontrabandojnë hudhra?

Fenomeni

hudhraSuedia ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për dy britanikë të dyshuar se kanë importuar ilegalisht hudhra me vlerë 10 milionë euro në Bashkimin Europian përmes Norvegjisë. Çfarë i shtyn kriminelët ta bëjnë një gjë të tillë?

Prokurorët shtetërorë në Suedi pretendojnë se kanë thyer një nga rrjetet në dukje më të çuditshme të kontrabandës në Europë, një kontrabandë që gjithsesi është shumë fitimprurëse. Ata thonë se dy britanikët besohet se kanë bërë miliona euro fitime duke kontrabanduar hudhra kineze nga Norvegjia në Suedi.

Bashkimi Europian ka një tarifë doganore prej 9.6 përqindësh për hudhrat e importuara. Hudhrat thuhet se u eksportuan në Norvegji, një vend jo anëtar i Bashkimit Europian, ku nuk ka taksë doganore, dhe pastaj janë kontrabanduar në Suedi e në pjesën tjetër të Europës me kamionë, duke shmangur në këtë mënyrë doganat europiane.

Kjo nuk është hera e parë që kontrabandimi i hudhrave bëhet lajm. Në dhjetor të 2012-s, një burrë nga Londra perëndimore u dënua me gjashtë vite burg për kontrabandimin e hudhrave nga Kina në Britaninë e Madhe.

Murugasan Natarajan dhe ndihmësi i tij Lakshmi Suresh, u dënuan për shmangien e 2.5 milionë eurove taksa doganore. Ata i patën thënë zyrtarëve se malli i importuar prej tyre ishte xhenxhefil i freskët, për të cilën nuk ka taksë doganore.

Në mars 2012, kreu i kompanisë më të madhe prodhuese të frutave dhe zarzavateve në Irlandë u dënua me 6 vjet burg për mashtrim me vlerë 1.6 milionë euro në importimin e hudhrave.

Paul Begley, 46 vjeç nga Dublini, shmangu pagesën e taksës doganore për më shumë se 1 mijë ton hudhra të importuara nga Kina pasi i deklaroi ato si mollë të importuara.

Po që kur ndodhi që tregtia e hudhrave filloi të joshë kriminelët?

Pavel Borkovec, nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimeve, thotë: “Mashtrimet dhe parregullsitë” me importimet e hudhrave të freskëta nga Kina kanë qenë të shpeshta që nga vitet 1990.

Por shton se komplikimet e vërteta financiare për buxhetin e Bashkimit Europian filluan në vitin 2001, kur u vendos një taksë doganore në masën 9.6 për qind mbi hudhrat e importit, plus një taksë e thatë 1,200 euro për ton.

Taksa synoi të mbrojë prodhuesit e hudhrave në vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilët mund të dilnin nga biznesi nga fermerët kinezë, të cilët kanë kapur pjesë të mëdha të tregut botëror duke prodhuar ushqime me çmime shumë të ulëta.

Taksa shtesë prej 1,200 eurosh për ton nuk aplikohet për importet brenda një kuote vjetore prej 58,870 tonësh për të gjithë botën, (33,700 tonë për Kinën).

Kina prodhoi 18 milionë tonë hudhra gjatë vitit 2010, e barabartë kjo me 80 për qind të prodhimit botëror sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së.

Hudhra në BE prodhohet më së shumti në Spanjë, por edhe në Itali, Francë, Poloni, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Borkovec thotë se kontrabanda po i shkakton humbje “të konsiderueshme” BE-së.

“Një kontejner me hudhra të freskëta përfaqëson një rrezik potencial prej 30 mijë eurosh taksa doganore”, thotë ai. Mënyra e veprimit për kontrabandimin e hudhrave nga Kina është zhvilluar përgjatë viteve.

“Mashtrim me origjinën” ishte një metodë e parapëlqyer për disa kohë. Hudhrat kineze mund të deklarohen si importe me origjinë nga vende me të cilat Bashkimi Europian ka marrëveshje preferenciale, ndaj të cilave nuk zbatohen taksa doganore të tepruara.

“Për shembull, prodhimet me origjinë nga Turqia, vendet e Mesdheut si Egjipti, Jordania, Maroku apo disa vende në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore, mund të përfitojnë nga përjashtimet nga taksat doganore ose të përfitojnë ulje”, thotë ai.

“Keqdeklarimi i mallrave” është gjithashtu një metodë kontrabandimi, ku hudhrat e freskëta deklarohen si të ngrira ose të thara, apo mallra të tjera si mollë, qepë apo xhenxhefil.

Por së fundmi, një “kontrabandë e vërtetë” ku malli importohet pa bërë fare deklarim doganor, ka filluar të ndodhë, thotë Borkovec. Hudhrat po transferohen nganjëherë edhe duke i deklaruar si mall transit në territorin europian, ndërkohë që në të vërtetë, shkarkohen rrugës drejt destinacionit.

Rasti i kontrabandës nga Norvegjia ishte “i veçantë në kuptimin se malli u deklarua me rregullsi te doganat në Oslo”.

“Në një fazë të mëvonshme, mallrat u kontrabanduan në territorin europian pa bërë asnjë deklaratë formale, duke kaluar kufirin mes Norvegjisë dhe Suedisë”, shton ai.

Zyra e tij vlerëson se miliona euro janë humbur përgjatë viteve, “pa llogaritur humbjet indirekte në kuptimin e konkurrencës së pandershme dhe humbjes së tregut nga prodhuesit europianë”.

Shumica e anëtarëve të Bashkimit Europian janë prekur nga kontrabanda e hudhrave në një mënyrë apo një tjetër. Por Britania e Madhe, Polonia dhe Italia kanë qenë objektivi kryesor i kontrabandës.

 

Përgjigjja

BE takson me 9.6 për qind tarifë doganore hudhrat e importuara.

Kina prodhon rreth 80 për qind të hudhrave të botës, me kosto të ulët.

Kriminelët mund të bëjnë miliona euro duke e kontrabanduar atë.

 

Historia e hudhrës

Hudhra e ka origjinën në Azinë Qendrore ku sipas të gjitha gjasave është përdorur që nga kohët neolitike për t’i dhënë shije ushqimeve.

Është përmendur në shkrime të lashta egjiptiane, greke, indiane dhe kineze.

Si një bimë ushqimore dhe mjekësore, ajo u përhap në kohët e lashta në Mesdhe dhe më pas u përdor në Egjipt që nga vitet 3000 para Krishtit.

Njihej gjithashtu nga qytetërimet e lashta të luginës Indus – që tashmë është Pakistani dhe India Perëndimore – nga ku u përhap në Kinë.

Spanjollët, portugezët dhe francezët e dërguan atë në Botën e Re.

 

Autor te 16 Janar 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry