Humbjet 50% – Humbjet për vitin 2012 ishin 50% nga 24% që është detyrimi kontraktual, duke i shkaktuar ekonomisë së vendit 160 milionë euro nga mosmbulimi
Çmimi 80 MW – CEZ e blen energjinë nga KESH me 18 euro/MW, ndërsa e shet te konsumatorët me rreth 80 euro/MW, duke krijuar të ardhura rreth 300 milionë euro
Borxhet 300 mln – CEZ është në gjendje të vështirë financiare, me një nivel borxhi të thellë, afro 300 milionë euro, thotë METE, duke renditur një tjetër humbje
Procesi – Ndizet konflikti për kontrollin e kompanisë private. Të hënën ERE heq licencat
ARD KOLA
Qeveria do të kërkojë në arbitrazhin ndërkombëtar një dëmshpërblim prej 800 milionë eurosh
Në muajin tetor, kompania CEZ i dërgon letër ERE-s, duke i konfirmuar përfundimisht gjendjen e falimentit dhe pamundësinë për t’iu përmbushur detyrimeve kontraktuale. Pas kësaj, ERE vendos të mbledhë bordin drejtues dhe në nëntor nis procesin për heqjen e licencës. Më 17 dhjetor, po të vitit 2012, kompania CEZ deklaron zyrtarisht nga Praga se do të nxjerrë në shitje aksionet e CEZ Shpërndarjes, të zotëruar në masën 76 për qind, por një ditë më pas, Ministria e Ekonomisë (pronare-shtet e pjesës tjetër) deklaronte se nuk do ta lejonte një veprim të tillë.
Lufta mes shtetit shqiptar dhe gjigantit çek të energjisë ka hyrë në muajin e tretë dhe asnjë nga palët nuk është në gjendje të thotë saktësisht se cili do të jetë fati i betejës, pasojat financiare të së cilës pritet të jetë me shumë zero. Nëse Praga kërkon t’i shesë aksionet, pala shqiptare po thur të tjera plane: shtetëzimin!
Enti Rregullator hodhi dje hapin e parë për të marrë kontrollin e CEZ Shpërndarjes, dikur e quajtur OSSH, kur drejtohej nga shteti, me kryetar Sahit Dollapin. Në fillim të javës së ardhshme (të hënën, më 21 janar), ERE do të vendosë për heqjen e licencave të operimit për shoqërinë e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Pronësia mbi kompaninë ndahet mes çekëve të “CEZ Group” me 76 për qind të aksioneve, blerë për 102 milionë euro dhe shtetit shqiptar, përfaqësuar nga Ministria e Energjetikës (METE) me 24 për qind. Nëse ERE heq licencat, kjo nuk do të thotë se çekët humbin kontrollin mbi kompaninë, pasi zotërojnë shumicën e aksioneve, pasqyruar edhe në bordin drejtues. Po si mundet që shteti të marrë kontrollin ndaj një kompanie private, aq më tepër e huaj, listuar në bursë dhe ku shteti çek ka interesa (qeveria e Çekisë zotëron aksione në shoqërinë “CEZ Group”)?!
Gazeta “Shqip” mëson se qeveria do të përdorë formën e shpronësimit për të shtetëzuar shoqërinë. Zyrtarë të ERE-s thonë për gazetën se qeveria, “për qëllime të interesit të lartë publik, ka të drejtë të shpronësojë kompaninë, kundrejt akordimit të çmimit, që në rast se CEZ nuk do t’i pëlqejë, mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit”.
Pra, qeveria mendon t’i japë CEZ-it disa para, në këmbim të marrjes së aksioneve dhe kontrollit të plotë. Po cila është shuma? Praga kërkon garancinë të vendosur nga qeveria shqiptare prej 60 milionë eurosh te Banka Botërore, e cila “preket” në rast se kontrata e privatizimit prishet në mënyrë të njëanshme (në rastin konkret nga pala shqiptare). Gjithashtu, çekët do të kërkojnë edhe dëmshpërblim mbi penalizimet “e padrejta”, si gjobat, humbjet etj.
Në asnjë nga këto kërkesa qeveria shqiptare mësohet se nuk ka ndërmend të përulet. “Shoqëria u keqmenaxhua, kurse Praga e la pas dore, duke i shkaktuar ekonomisë dhe sistemit energjetik një humbje prej 800 milionë eurosh”, thotë zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo. Ministria ka bërë disa vlerësime nga humbja e energjisë, mungesa e arkëtimeve, investimeve dhe mosrealizimi i importeve për të mbuluar këto pasoja. Kjo mendohet se do të jetë shuma e dëmshpërblimit, që qeveria shqiptare do të kërkojë në arbitrazh.
CEZ nuk i pranon këto vlerësime dhe ka përgatitur dosjen për gjyqin ndërkombëtar të arbitrazhit. Duke marrë si shembull rastin e një kompanie nafte “e cila për dy puse kërkon nga shteti shqiptar 1 miliard dollarë për prishje të njëanshme të kontratës, nuk është çudi të kërkojmë po aq edhe ne në arbitrazh”, thonë burime konfidenciale të CEZ-it në Tiranë.
I bindur për shtetëzimin është edhe shefi i qeverisë, Kryeministri Sali Berisha. “Faktet tregojnë bilance negative me humbje, më keq se në kohën kur e drejtonim ne. Koha ka treguar që sistemin e shpërndarjes e kemi drejtuar me sukses”, deklaroi Kryeministri kur u pyet mbi largimin e shoqërisë CEZ nga Shqipëria.
Berisha: Kompania, më mirë kur e drejtonim ne
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, është i bindur se kompania CEZ e sistemit të shpërndarjes do të menaxhohet më mirë nga shteti. Sipas tij, shifrat tregojnë se bilancet janë me humbje, madje më keq kur sistemin e drejtonte shteti, “ndaj kemi fakte se ne e kemi drejtuar më mirë, me rezultate pozitive”.