ANDREA STEFANI


Andrea StefaniSulmi i ndërmarrë ditët e fundit nga propaganda e pushtetit të Berishës kundër Edi Ramës, është një tjetër provë elokuente e ditëve të vështira që po kalon ky pushtet. Në pamundësi për të dalë përpara shqiptarëve me arritje reale në përmirësimin e jetës së tyre, Kryeministri e ka mbështetur shpresën për t’u jetëgjatësuar në kolltuk, te demonizimi i alternativës opozitare. Nuk provon dot se çka ndërtuar në 8 vjet, prandaj dhe i ka mbështetur shpresat te shkatërrimi i imazhit të opozitës. Por jo vetëm kaq. Agresioni më i fundit ndaj Ramës është një tjetër provë e zbatimit nga Berisha të taktikave nazifashiste të shkatërrimit të kundërshtarit me presione, shantazhe apo mashtrime të opinionit publik.


***


Meqenëse nuk u fakton dot shqiptarëve se është i pakorruptuar, Berisha gjakon t’u mbushë mendjen se edhe Edi Rama është po aq i korruptuar dhe se me ndërrimin e pushtetit, asgjë nuk ndërron. Paturpësia e Berishës për të gënjyer publikisht, po kap maja të papara. Sepse është një rast ndoshta unikal në historinë e politikës, kur Kryeministri i një qeverie që njihet botërisht si thellësisht e korruptuar, guxon të mbrohet e të përjetësohet në pushtet duke shpifur për gjoja korrupsionin e liderit të opozitës. Berisha po vepron tamam si ujku i përrallës që lart nga burimi, akuzonte qengjin poshtë se po i turbullon ujin! Nuk u fakton dot shqiptarëve se familja e tij nuk ka përfituar padrejtësisht nga pushteti i tij për t’u pasuruar në mënyrë përrallore, ndaj rreket t’u mbushë të paktën mendjen se edhe familja e kreut të opozitës është e pasur pra, edhe e korruptuar si familja e tij. Nuk është në gjendje të provojë me dokumente sesi vajza e tij mund të fitojë ligjshmërish, në një muaj, rreth 10 mijë dollarë vetëm me tarifa mësimdhënieje, dhe prandaj akuzon, pa dokumente, për korrupsion bashkëshorten e Edi Ramës. Vetëm sepse familja e saj paska ndërtuar në tokën e vet dhe me paratë e veta, një banesë që sot e kanë ngritur, me kursimet e tyre, jo pak shqiptarë që kanë punuar në emigracion! S’është në gjendje të shpjegohet për akuzat që një investitor pakistanez bën kundër të bijës për konflikt interesi dhe zhvatje korruptive, dhe prandaj krijon tymse me gjoja korrupsionin e liderit të opozitës!


***


Shihet qartë që Berisha po përpiqet të krijojë në psikologjinë e shqiptarëve atë që mund të quhet “detanta e së keqes e të dy krahëve”, të tërheqë në kënetën e korrupsionit, ku është zhytur pa shpëtim vetë, edhe kundërshtarin e tij më të rrezikshëm për momentin. Që në akuzat e sotme të Berishës kundër Ramës nuk ka asgjë të vërtetë, kuptohet jo vetëm ngaqë industria e tij ///////baltës nuk ofron asnjë dokument. Edhe vetë Berisha i ka mësuar shqiptarët të mos besojnë akuzat që, kohë pas kohe ai nxjerr nga kazani i shpifjeve. Sepse ai vetë ka hedhur poshtë akuzat e bëra dikur kundër Fatos Nanos për korrupsion, për lidhje me krimin e deri pastrim parash, si “fjalë kazani”. Berisha ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj Ilir Metës, të cilin, sa qe në opozitë, e denonconte publikisht “si përfaqësuesin e klanit më të rrezikshëm të trafiqeve”. Por kjo nuk e pengoi fare ta merrte në qeveri si zëvendësin e tij për të “shpëtuar Atdheun”! E si mund të besohen akuzat e këtij njeriu që ka përgënjeshtruar vetveten kushedi sa herë, dhe që është i gatshëm të bashkohet edhe me djallin për të qëndruar në pushtet?


***


Por nuk është vetëm nevoja për të baltosur opozitën shkaku që ai e sulmon përsëri Edi Ramën në këtë prag zgjedhjesh. Një tjetër shkak i këtij agresioni është mënyra si e kupton dhe e bën politikën Berisha, një mënyrë tipike për liderët nazistë. Nuk është hera e parë që Berisha lëshon një lumë akuzash kundër Edi Ramës. Deri dje e shante “me nënë e babë”. Sot e shan nga gruaja duke nxjerrë befas, nga veladoni i magjistarit të së keqes, dosje “skandalesh” të pluhurosura. Duket sikur i ka mësuar nga Adolf Hitleri efektet e ushtrimit të një terrorizimi të poshtër psikik mbi një kundërshtar, duke shpresuar se ai nuk do të jetë në gjendje, as morale dhe as mendore, të përballojë sulme të tilla. Prandaj Berisha, tamam si Hitleri, kur ndien se e kërkon momenti politik: “…vjell një rrjetë zjarri gënjeshtrash dhe shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që i duket më i rrezikshëm deri sa nervat e personave të sulmuar rrënohen dhe që të fitojnë përsëri qetësi, sakrifikojnë personin që urrehet”. Këtë shpreson Berisha kur i turret Ramës ashtu sikundër i turrej dje Nanos dhe jo pak të tjerëve. Tamam sikundër Hitleri edhe Kryeministri shqiptar, natyra e pandreqshme autokratike dhe e rrezikshme për demokracinë e të cilit mund të jetë e panjohur vetëm për të verbrit, beson se kjo taktikë shantazhi dhe dhune psikike, e bazuar në një vlerësim sa cinik aq edhe preciz të dobësive njerëzore, ka një siguri matematike për sukses. Dhe, ç’është e vërteta, i ka funksionuar në rastin e liderit të mëparshëm socialist Fatos Nano. Prandaj Berisha duket i vendosur ta zbatojë deri në fund, edhe në raste të tjera, taktikën hitleriane të terrorit psikik mbi kundërshtarin si individ apo si masë. Ky autokrat i korruptuar deri në palcë, që ka vënë në punë institucionet e kapura për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, kërkon të bëjë aleat në luftën për pushtet edhe “moralin” publik! Është e dhimbshme të shohësh që në një kohë kur ky autokrat ka vënë në punë gjithë mekanizmin e institucioneve të kapura (gjyqtarë, ekspertë, KQZ apo Kolegjin Zgjedhor) për të fshehur krimet e qeverisë dhe organizuar manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, përfaqësues të shquar të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, japin këshilla moralistike pa bukë si: duhet drejtësi për 21 janarin, apo KQZ nuk duhet të politizohet! Ujku po shqyen demokracinë dhe drejtësinë. Dhëmbët e tij janë pikërisht institucione të kapura si KQZ, Kolegji Zgjedhor apo Presidenca. Ndërkohë këta “barinj” të Perëndimit po kryejnë misionin e tyre, duke u thënë “dhëmbëve të ujkut” se nuk është e moralshme të shqyejnë drejtësinë dhe demokracinë për oreks të ujkut! Një verbëri që u pëlqen ta quajnë “diplomaci”!