Ekzekutimi i mikut të Elton Deliut, dyshohet për vrasës me pagesë

vrasja ne tiranePolicia e kryeqytetit ka dhënë ditën e sotme detaje rreth ekzekutimit mafioz të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u vra me tre plumba në sy të bashkëshortes 37-vjeçari Admirim Sako.

Policia ka sqaruar se hetimet janë përqendruar në të shkuarën e Sakos dhe në implikimin e viktimës në konflikte të mëparshme apo me administrimin e disa pronave dhe aseteve kriminale të sekuestruara nga strukturat e policisë pak kohë më parë.

“Mbrëmë, rreth orës 21.45, në rrugën “Nikolla Jorgo” në Tiranë, në automjetin në pronësi të tij është plagosur shtetasi Admirim Nuro Sako, 37 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, i cili gjatë orëve të vona të mbrëmshme ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur forca të Komisariatit të Policisë nr.2, si dhe Oficerë të policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së kryeqytetit, të cilët kanë bërë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale 3 copë gëzhoja me kapsolle te plasur, te kalibrit 9 mm. Për hetimin e kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vazhdon puna intensive për dokumentimin ligjor të ngjarjes”, thuhet në deklaratën e policisë së kryeqytetit.

Admirim Sako ka qenë i dënuar për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte i skeduar nga policia si person me precedentë penalë.

Viktima nuk e ka njohur ekzekutorin e vet, pasi nuk ka reaguar aspak për t’u mbrojtur, ndërkohë që policia dyshon se autori i ngjarjes është një vrasës me pagesë, i cili e ka zgjedhur me kujdes vendin e ekzekutimit dhe më pas është larguar në errësirë për nga rruga ‘Myslym Shyri.

Admirim Sako njihej si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Elton Deliut, një nga personat më aktiv në fushën e drogës deri në vitin 2008, kur u vra në apartamentin e tij bashkë me nënën e tij.

Ngjarja në fjalë vjen disa javë pasi Admirim Sakos i janë sekuestruar disa pasuri, të cilat dyshoheshin se ishin vënë nga paratë e drogës, të fituara nga Elton Deliu. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka sekuestruar mbi 20 llogari bankare, lokale, apartamente dhe troje me vlerë 3 milionë euro. Mes pasurive të shumta janë disa apartamente, një vilë në plazhin e Durrësit, një furgon i blinduar, disa sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si dhe disa lokale në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Dibrës dhe në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

23 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)

 

Autor te 23 Janar 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry